Paralajmëron Krasniqi: Veteranët e rrejshëm do të varfërojnë buxhetin e shtetit

Politika

Paralajmëron Krasniqi: Veteranët e rrejshëm do të varfërojnë buxhetin e shtetit

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 15 dhjetor 2017 Në ora: 22:15
UÇK

Kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, ka paralajmëruar se numri i veteranëve, mund të rritet edhe më shumë.

Ai ka thënë se OVL nuk do të merr përgjegjësi për këtë punë.

“Ne kemi frikë. Mund të rritet. Po nëse rritet, e bajshin me shëndet ata zotrinjtë të cilët janë brenda. Ne nuk marrim përgjegjsi për atë punë”, ka thënë Gucati.

Por, rritjen e numrit të veteranëve, e ka kundërshtuar analisti politik Faik Krasniqi. Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ka njerëz që duan të përfitojnë kundërligjshëm nga lufta e UÇK-së.

Sipas tij, fajin për fryerje listash të veteranëve të rrejshëm, e kanë komandantët e zonave.

Image
Faik Krasniqi

“Lista e të gjitha kategorive të UÇK-së është fryrë me një kategori tjetër njerëzish, me kategorinë e atyre njerëzve që s’kanë gjë të përbashkët me UÇK-në, por që janë të gatshëm të përfitojnë kundërligjshëm prej luftës së saj. Por, fajin për këtë stërfryerje të veteranëve të rrejshëm të UÇK-së, padyshim që e kanë komandantët e zonave dhe udhëheqësit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së”, është shprehur Krasniqi.

Ai ka thënë se nuk duhet habitur edhe nëse numri i veteranëve shkon në 100 mijë, derisa ka theksuar se Prokuroria do të duhej të burgoste ata që kanë manipuluar me listat.

“Nuk do të habitesha nëse ky numër i veteranëve të UÇK-së shkon edhe deri në 100 mijë, meqë kemi tolerim nga institucionet tona dhe mbi të gjitha nga Prokuroria e shtetit, e cila do të duhej t'i fuste në burg të gjithë ata që kanë manipuluar me këto lista dhe kjo listë jo që nuk do të fryhej, por do të zvogëlohej në numrin real të veteranëve të UÇK-së”, ka thënë më tej analisti.

Ai ka paralajmëruar se fryerja e listave, mund të varfërojë buxhetin e shtetit.

“Çdo stërfryerje e listave të veteranëve të rrejshëm të UÇK-së, do ta varfërojë buxhetin e shtetit dhe do t'i godas direkt qytetarët e Kosovës, para që do të mund të shfrytëzoheshin për investime dhe hapjen e mijëra vendeve të punës”, ka shtuar për ”Bota sot”, Faik Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat