“Haradinaj e dogji Kuvendin për Demarkacionin”, kjo është vota e LDK-së për këtë marrëveshje

Politika

“Haradinaj e dogji Kuvendin për Demarkacionin”, kjo është vota e LDK-së për këtë marrëveshje

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 16 dhjetor 2017 Në ora: 09:53
Gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës

Në seancën e 7 dhjetorit në Kuvendin e Kosovës u diskutua edhe për marrëveshjen e Demarkacionit. E kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj polemizoi me deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku ai derisa e komentoi vendimin e tij në Qeveri për Marrëveshjen që e njëjta të procedohet në Kuvend, tha se deputetët e LDK-së në vazhdimësi kanë thënë se do ta votojnë dhe këtë Haradinaj e lidhi ”me çare”.

“Po e shoh që jeni në zor të madh, keni thënë se do ta votoni Marrëveshjen vazhdimisht, s’keni as tash çare pa e votuar”, u shpreh Haradinaj.

Kësaj deklarate iu përgjigj Kujtim Shala i LDK-së, i cili i tha Haradinajt se nuk kanë kurrfarë zori, vetëm se do të votojnë ashtu siç votoi në Qeveri kryeministri.

Por Haradinaj e sqaroi votimin e tij në Qeveri të Marrëveshjes me Malin e Zi, duke thënë se ajo është gjetur aty.

Për marrëveshjen e Demarkacionit dhe mënyrën e votimit të saj në Kuvend nga LDK, për gazetën “Bota sot” ka folur shefi i Grupit Parlamentar i kësaj partie, Avdullah Hoti.

Ai ka thënë se Haradinaj e ka djegur Kuvendin duke e kundërshtuar atë marrëveshje, ndërsa që të njëjtën e ka sjellë në Kuvend.

“Haradinaj është zgjedhur kryeministër me premtimin për të rishikuar këtë marrëveshje. E ka sjellë të njëjtën në Kuvend. Nuk e ka ndalur në Qeveri. Ai ka premtuar se do të sjell marrëveshje të re. Tash duhet t’u dal zot premtimeve, sepse e ka djegur Kuvendin duke e kundërshtuar atë marrëveshje, ndërkaq e sjell të njëjtën në Kuvend”, është shprehur ai.

Hoti: Haradinaj të japë përgjegjësi para Kuvendit, i mashtroi qytetarët

Image
Avdullah Hoti

Hoti ka thënë se LDK-ja do ta votojë marrëveshjen e Demarkacionit, por që për numrin e nevojshëm mbetet të shihet nga votat tjera.

“LDK e mbështet këtë marrëveshje. Por, tash ne jemi parti opozitare. Për këtë marrëveshje duhen 80 vota, pra 2/3 e votave në Kuvend. Shumica parlamentare duhet të kujdesen për të siguruar votat e tyre prej 61 sa janë në Kuvend, mandej do të bisedojmë me ta për të siguruar votat e tjera për të arritur 2/3”, është shprehur më tej shefi i GP të LDK-së.

Po ashtu, ai ka thënë se Haradinaj duhet të jap përgjegjësi, pasi vendi po mbahet i izoluar për shkak të agjendave të tij të ngushta.

“Vendi po mbahet i izoluar për shkak të agjendave të ngushta politike të Ramushit. Nuk u dokumentua me raportin e ri se marrëveshja paraprake ka qenë gabim. Tash Haradinaj duhet të jap përgjegjësi para Kuvendit dhe qytetarëve pse i ka mashtruar me kauza të rrejshme”, ka deklaruar Avdullah Hoti për “Bota sot”.

Duhanaj: Demarkacioni mund t’i kthehet në bumerang Haradinajt

Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj duke komentuar deklaratën e kryeministrit, ka thënë se deklarata të tilla janë në kundërshtim me demokracinë politike dhe të papërshtatshme.

Image
Leon Duhanaj

“Deklaratat e tilla, me karakter detyrues, jo vetëm që janë në kundërshtim të plotë me logjikën e demokracisë politike, por janë edhe të papërgjegjshme. Të papërshtatshme, pikërisht për faktin që një gjë e tillë të kërkohet nga opozita, përderisa vetë nuk jep shenja se çfarë pozicioni do të mbajë. Ishte kauza e Haradinajt, kjo që çoi deri në rënien e Qeverisë Mustafa. Tani, kjo deklaratë, për mendimin tim ka dy mundësi kuptimi. Që kryeministri me këtë të synojë kundër-efekt (të mos votohet), ose është hipokrizi e plotë e tij”, është shprehur ai.

Sipas tij,  ishte marrëveshja e Demarkacionit që i siguroi qeverisjen Haradinajt, por që mund t’i kthehet bumerang.

“Nuk ka asnjë logjikë, ndryshe t'i detyrojë. Për mendimin tim, kjo mund të jetë një përpjekje për ta dështuar këtë përpjekje. Duke ditur që shumica e deputetëve të LDK-së do ta përkrahte këtë marrëveshje në parim, tash në vend që Kryeministri t'u kërkojë mbështetje, e bën të kundërtën. Kauza e demarkacionit, i ndihmoi Haradinajt që të marrë qeverisjen në dorë. Tani, nëse nuk ka kujdes, mund t'i kthehet në bumerang të plotë politik”, ka deklaruar Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat