Rrëfimi ekskluziv i bashkëluftëtarit të Zahir Pajazitit, flet për pritën që i është bërë atij

Politika

Rrëfimi ekskluziv i bashkëluftëtarit të Zahir Pajazitit, flet për pritën që i është bërë atij

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 16 dhjetor 2017 Në ora: 12:09
Avni Ajeti dhe Zahir Pajaziti

Zahir Pajaziti, ishte një ndër figurat më të shquara për lirinë e atdheut. Ai së bashku me shokët e tij, me luftën guerile që bënin, arritën ta thyejnë armikun serb në shumë aksione.

Avni Ajeti, bashkëluftëtari më i afërt i heroit Zahir Pajaziti, në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Bota sot”, tregon detaje nga lufta, vështirësitë, aksionet,  dhe ato që janë thënë për Komandantin Zahir Pajaziti.

“Zahir Pajaziti në vitin 1981 ka qenë në Shqipëri, ku ai me dy bashkëvendës të tij, e ka kaluar lumin Buna me not me vështirësi dhe atje ka qenë në njëfarë mënyre si i izoluar dhe pastaj Zahiri është kthyer prapë në Kosovë edhe pas kërkesave që ai të qëndronte atje në Shqipëri. Pas ardhjes në Kosovë, sigurimi i atëhershëm e ka burgosur 15 ditë, pastaj ai e vazhdoi  shkollën e Policisë 2 vjeçare në Vushtrri ku e përjashtuan dhe më pas kthehet në Podujevë dhe vazhdon me Hakif Zejnullahun nipin e tij ku përmes organizatave e takimeve të shumta me shokë e njerëz të tjerë e kërkon rrugën për çlirimin e vendit”, ka rrëfyer Ajeti

Aksionet

Avni Ajeti, tregon se aksioni i parë i Zahir Pajazitit ka qenë në vitin 1993 ku e ka sulmuar “Cipiripin” te “Brryli i Xhakalive”, por nuk ka arritur ta godasë.

“Cipiripi në atë kohë ka qenë tmerri i Shqiptarëve, pasi ai ka rrahur e ka maltretuar shumë, ku edhe babai i Zahirit është rrahur nga ai. Zahiri ka qenë i kërkuar nga ai moment pasi i është gjetur pushka që e ka gjuajt Cipiripin. Aksioni tjetër i madh i Zahirit ka qenë më 2 gusht 1996 sulmi i stacionit të policisë serbe, ku unë se bashku me Zahirin në koordinim e sulmojmë me bombë stacionin e policisë. Aksione të tjera me rëndësi kanë qenë edhe aksioni i “Birikdaçit” dhe ai i “Millosh Nikoliçit”, shprehet ai.

Duke rrëfyer për luftën, Avni Ajeti thotë se ndihet me fat që e kanë pasur Komandant Zahir Pajaziti.

 “Ne, si luftëtar në atë kohë përveç që e kemi pas problemin e aksioneve, ne e kemi pas edhe problemin e propagandës që na e kanë bërë, pasi nuk kemi pasur përkrahje nga partitë politike në atë kohë, ku ata nuk donin luftë por vetëm dialog. Mirëpo, problemi ka qenë se dialogu nuk ka pasur vend në atë kohë pasi serbët na sulmonin e na maltretonin vazhdimisht dhe nuk kemi pas rrugëdalje tjetër pasi na kanë “mbështet për muri”. Serbët nuk kanë marrë vesh në tavolinë, pasi edhe ne kemi dashur që ajo çështje të zgjidhet me dialog dhe me paqe, mirëpo ka qenë e pamundur dhe e kemi sulmuar në forma të ndryshme armikun. Fatmirësisht, e kemi pasur një komandant si Zahir Pajaziti, i cili ka qenë jo vetëm trim por ka qenë njeri i mençur dhe intelektual, ku ka ditur ku ta sulmoj armikun, aty ku se ka prit dhe ja kemi fut tmerrin”, shprehet ai.

“Detyra jonë nuk ka qenë e lehtë”

Tutje,  Avni Ajeti shton se, ka dashur që lufta guerile të vazhdojë sepse e ka ditur që Kosova për momentin nuk është e përgatitur për luftë frontale, ndërsa  thotë se, lufta frontale erdhi pas vrasjes së familjes Jashari ku i përshpejtuan procedurat dhe erdhën në ndihmë miqtë tanë ndërkombëtarë.

“Zahiri ka pas kundërshtime nga partitë politike në atë kohë dhe ato parti kanë dërguar njerëz nga partia e tyre në mesin tonë për ta vërtetuar që lufta jonë ka qenë e shenjtë dhe kundër armikut serb. Nuk kemi çfarë të flasim për shpifjet rreth heronjve. Në atë kohë ne si organizatë, na kanë etiketuar si terroristë dhe jemi sulmuar dhe jo vetëm prej serbëve por nganjëherë edhe prej vendasve. Detyra jonë nuk ka qenë e lehtë, ka qenë e vështirë dhe dikush nuk ka guxuar me kap pushkën dhe me dal përballë armikut dhe e ka gjet si arsyetim me shpifje, jo këta janë të financuar kështu jo këta përfaqësojnë këta e lloj-lloj gjërash. Lufta është për luftëtar dhe trima, ato shpifje kanë qenë p.sh sikur puna e përditshme për njerëz ai dembeli gjithmonë punëtorit i gjen gabime dhe vërejtje”, thekson Ajeti.

Rënia e Zahir Pajazitit duhet të sqarohet

Ai thotë se, kanë pasur raste, kur janë koordinuar me tërë Kosovën.

“Aksionet i kemi pasur të koordinuara me orë, me minutë, ku kemi raste në komunën e Podujevës ku brenda 5 minutave jemi koordinuar me stacionin e Podujevës, të Kërpimehit, të Lluzhanit. Zahiri përveç që ka bashkëpunuar brenda në Kosovë, ai ka bashkëpunuar dhe ka komunikuar edhe me njerëz në Shqipëri, me eprorë ushtarak ku ka pasur lidhje të forta”, vazhdon rrëfimin Ajeti.

 Më tej, Avni Ajeti flet për pritën që i është bërë Zahir Pajazitit, e cila sipas tij duhet të sqarohet një ditë.

“Rrethanat e pritës së Zahirit duhet të mbesin që dikush duhet me i sqaru një ditë. Ata djem që kanë qenë të rreshtuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nuk kanë qenë djem që kanë dashur t’i bëjnë dëm shokut të luftës, por, diku diçka kemi gabuar, gjatë punës tonë dikush ka gabuar dhe ka ardhur deri te rënia e Zahirit së bashku me shokë dhe pas rënies së tyre arrestohen edhe disa djem të tjerë dhe dihet se serbi nëpër burgje nuk është sjell mirë me të arrestuarit shqiptar, por i ka “shtrydhur”. Për momentin nuk mund ta akuzojmë askënd për spiunim pasi nuk ka fakte”, potencon ai.

 Për luftëtarët e UÇK-së, rënia e Zahiri Pajazitit kishte qenë më e rënda, pasi sipas Ajetit Komandanti ishte promotor i asaj pune dhe njerëzit kanë pasur edhe rrezik të me vdesin nga lajmi për vrasjen e Zahirit.

“Unë, Iliri dhe Shaip Haziri, pasi morëm lajmin për vdekjen e tij, është dashtë të largohemi prej Kosovës sepse ne jemi dekonspiruar dhe kemi qëndruar në Shqipëri dhe pastaj ajo lufta mori përmasa më të mëdha nga një luftë guerile në një luftë frontale dhe ne atje u mobilizuam me detyra si armatimi, furnizimi dhe pastaj ndodhi edhe vrasja e familjes Jashari dhe më vonë edhe ndihma e ndërkombëtarëve”, nënvizon ajeti.

Veprimtaria dhe guximi i pa krahasueshëm i Zahir Pajazitit

Ai tregon, se pas vrasjes së Zahirit, pesha e përgjegjësisë si udhëheqës i ra në supe Ilir Konushevcit, ku edhe Iliri vazhdoi ta kryej me sukses misionin që kishte komandanti Zahir Pajaziti, pavarësisht rreziqeve dhe vështirësive ku edhe djemtë e tjerë nuk u ndalën për çlirimin e vendit.

 “Për Zahirin dhe njerëzit si Zahiri duhet të bëhet një tryezë e rrumbullakët dhe të mblidhen njerëz që i njohin veprimtaritë e tyre mirë edhe që e dinë rëndësinë e tij në kohën e caktuar, se si ka mundur të veprojë d.m.th duhet të mblidhen akademikë dhe njerëz që e vlerësojnë rolin e tij në atë kohë. Ne duhet me qenë një pendë e hollë që me mund me fol për punën, veprimtarinë dhe guximin e tij. Zahiri nuk ka qenë vetëm një luftëtar që e ka marrë pushkën dhe ka dal kundër armikut, ai ka qenë njeri i ngritur dhe intelektual që me mençurinë e tij ka pasur sukses kundër armikut”, shprehet ai.

Për Avni Ajetin, vepra e Komandant Zahir Pajazitit është e pakrahasueshme.

Të vendoset shtatorja në Besianë

Në fund të intervistës, ai shprehë revoltën e tij se si edhe 18 vjet pas mbarimit të luftës, shtatorja e Komandant Zahir Pajaziti, nuk është vendosur në qytetin e Besianës.

“Kemi raste kur dikush që tash është në pushtet e ka krahasuar Zahir Pajazitin me dikë që nuk ka bërë pothuajse asgjë gjatë luftës dhe po ai njeri gjithashtu sot është në pushtet dhe ky krahasim vjen për arsye se kinse ky person e ka kryer shkollën Policisë njejtë si Zahiri, mirëpo Zahirin e kanë përjashtuar nga ajo shkollë sepse kishte pikëpamje ndryshe me të tjerët.  Nuk është mirë kjo që pas 18 viteve ende nuk është shtatorja e Zahirit në Podujevë, mirëpo kjo dikë e ka penguar dhe shtatorja nuk është ende aty ku duhet të jetë. Bubrrecat e merimangat që janë në sheshet e Podujevës, janë marrëveshje politike që dihen me emër dhe mbiemër cilët ata kanë marrë donacione për t’i siguruar votat dikush në kuvend dhe ato mund t’i gjeni nëse hulumtoni brenda kuvendit komunal në Podujevë. Kryetarin Agim Veliu e kam dëgjuar duke thënë se qytetarët e Podujevës nuk janë të interesuar për shtatoren e tij dhe se nuk ka pasur ndonjë kërkesë nga qytetarët, mirëpo ai ka harruar marrëveshjen politike që janë bërë për ndërtimin e shtatores së Zahirit në qytet dhe këto mundeni me i hulumtu në kuvend. Ka edhe probleme tjera p.sh shtatorja e Ali Ajetit u pengua nga një qytetarë që e ka uzurpuar pronën me letra false të Serbisë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat