Para mbledhjes së Këshillit, analisti politik: Ambiciozët le ta kuptojnë se Vetëvendosje, pa Albin Kurtin nuk mund të ekzistojë

Politika

Para mbledhjes së Këshillit, analisti politik: Ambiciozët le ta kuptojnë se Vetëvendosje, pa Albin Kurtin nuk mund të ekzistojë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 16 dhjetor 2017 Në ora: 22:26
Albin Kurti

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje nesër do të mbajë mbledhje pas përplasjeve në këtë parti.

Duke folur rreth “fatit” të Vetëvendosjes pas kësaj mbledhje, analisti politik Faik Krasniqi thotë se ata do të vazhdojnë të qëndrojnë si Vetëvendosje, përkundër ambicieve të disa personave.

Në një prononcim për “Bota sot” Krasniqi është shprehur se kjo mbledhje nuk do të duhej të mbahej gjersa të lirohet Kurti, mirëpo sidoqoftë, sipas tij ambiciozët duhet ta kuptojnë se Vetëvendosja pa Kurtin nuk mund të ekzistojë.

Sipas Krasniqit, shpirti dhe ajri i Vetëvendosjes është Albin Kurti.

Image
Faik Krasniqi

“Për shkak të ambicieve të disa personave dhe misionit që mund të kenë pasur brenda Vetëvendosjes, nuk do të thotë që Vetëvendosje do të ndahet, sepse çdo parti është shumë më e madhe se çdo individ. Konsideroj që mbledhja nuk do të duhej të mbahej deri sa Albin Kurti është akoma në paraburgim. Kanë mundur të presin deri sa të lirohet nga paraburgimi, dhe pastaj ta thërrasin mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje. Sidoqoftë, të gjithë ata ambiciozë ose misionarë brenda Vetëvendosjes duhet ta kuptojnë një gjë, që Vetëvendosje pa Albin Kurtin nuk mund të ekzistojë. Madje do ta kishte vështirë të mbijetonte qoftë edhe për disa javë, e lëre më të bëhet partia me numrin më të madh të deputetëve në Kuvend, sepse Albin Kurti është shpirti dhe ajri i Vetëvendosjes”, ka pohuar Krasniqi.

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, ka ardhur pas përplasjeve të fundit që kishin ndodhur brenda tyre dhe kushtit që kishte vendosur një grup i deputetëve në krye me Dardan Molliqajn, që Kurti mos të kandidojë për kryetar të VV-së.

Shpërfaqja e pakënaqësisë shpërtheu pas daljes në publik të një bisede të deputetëve të VV-së, ku deputetja Aida Dërguti, e ofendon rënd ish-kryetarin dhe deputetin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat