“Brenda VV-së, ka “mbeturina të PDK-së”, pa Albin Kurtin e pret fundi Vetëvendosjen”

Politika

“Brenda VV-së, ka “mbeturina të PDK-së”, pa Albin Kurtin e pret fundi Vetëvendosjen”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 17 dhjetor 2017 Në ora: 15:53
Albin Kurti

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, në një mbledhje të mbajtur sot, ka marrë vendim për shpalljen e zgjedhjeve për kryetar të partisë.

Mbledhja është mbajtur pas mosmarrëveshjeve të shfaqura së fundi brenda anëtarëve të kësaj Lëvizje.

Në mbledhjen e sotme nuk ishte i pranishëm kryetari i saj Visar Ymeri, i cili në një postim në Facebook, ka thënë se mbledhja është e ngutshme, derisa ish-lideri Albin Kurti e kishte të pamundur pjesëmarrjen pasi gjendet në paraburgim.

E sipas juristit Blerim Burjani, brenda Vetëvendosjes po veprohet me inate. Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se brenda VV-së, ka “mbeturina të PDK-së”, të cilët sipas tij, tani po e pengojnë Vetëvendosjen.

Image
Blerim Burjani

“Ky subjekt politik, ka një koncept difuziv prej inateve ndërmjet vete brenda këtij subjekti. Brenda këtij subjekti, janë edhe disa mbeturina të PDK-së, që e luajnë rolin e babës së politikës, të cilët janë aty, për shkak se nuk kanë fituar poste në PDK dhe tash po e pengojnë VV”, është shprehur Burjani.

Ai ka theksuar se Vetëvendosjes i duhen reforma konceptuale, por ka thënë se pa Albin Kurtin, këtë subjekt e pret vetëm fundi.

“Vetëvendosjes i duhet një reformë ashtu siç kam thënë edhe para një viti, reform strukturore programore dhe konceptuale. Nuk është dashur të vie deri këtu dhe aktivistët të bëhen pikë e pesë, pra është dashur dalëngadalë të reformohet. Pa Albini nuk ka Vetëvendosje, kjo është e kuptueshme”, ka thënë Burjani.

 Ai më tej ka pohuar se në VV, ka edhe njerëz që nuk e durojnë konceptin e pamundshëm në VV.

“Në këtë subjekt ka edhe njerëz që nuk e durojnë konceptin e pamundshëm sipas tyre në VV. E vërteta është se ky program politik, duhet të reformohet dhe të vihet objektivat normale të zhvillimeve në Kosovë dhe në rajon, largpamësia politike dhe visioni duhet të projektohet si diçka që është e mundshme të ndodhë dhe të arrihet si objektivë, pra koncept pragmatik”, është shprehur Blerim Burjani.

Sipas tij, kryetar i VV-së duhet të jetë Albin Kurti, pasi siç ka thënë ai, çdo alternativë tjetër, i jep fund këtij subjekti politik.

“VV duhet të zgjedh Albini kryetar të saj, nuk ka alternativë tjetër. Secila alternativë tjetër, i jep fund këtij subjekti politik dhe disa njerëzve që në saje të Albinit janë bërë kryetarë komunash”, ka përfunduar prononcimin për “Bota sot”, juristi Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat