Fitorja e Dreshajt në Istog, politologu tregon arsyet e humbjes së LDK-së

Politika

Fitorja e Dreshajt në Istog, politologu tregon arsyet e humbjes së LDK-së

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 17 dhjetor 2017 Në ora: 22:37
Haki Rugova- Gani Dreshaj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e votave nga raundi i balotazhit për kryetar të Komunës së Istogut.

Nga 100 përqind i votave, sipas rezultateve preliminare fitues del kandidati i AAK-së, për kryetar të kësaj komune, Gani Dreshaj.

Dreshaj ka marrë 10 mijë e 241 vota ndërsa kandidati i LDK-së Haki Rugova ka marr 10 mijë e 189 vota.

E sipas politologut, fitorja e kandidatit të AAK-së jo shumë kredibil e dëshmon nevojën e qytetarëve për ndryshime.

Politologu Mentor Tahiri, ka thënë për “Bota sot” se rezultati në Istog tregon që qeverisja e mëparshme nuk ka arritur të reflektojë në kërkesat e qytetarëve.

Sipas Tahirit, duhet pranuar rezultati në Istog dhe mundësitë për ndryshim të rezultatit përmes votave me kusht është i vogël.

Image
Mentor Tahiri

“Rezultati në Istog, pavarësisht se nuk është përfundimtar, tregon se LDK nuk ka arritur të reflektojë si duhet në kërkesat e qytetarëve të Komunës së Istogut. Fitorja e një kandidati jo shumë kredibil, sikurse në rastin e kandidatit të AAK-së në Istog, flet se qytetarët kanë pasur nevojë për ndryshime çfarëdo qofshin ato. Është lëkundur mbështetja elektorale në bastionin më tradicional, i cili është edhe vendlindje e Presidentit Rugova. Qëndrimi shumëvjeçar në pushtet i Haki Rugovës, e ka amortizuar fuqinë e tij elektorale. Humbja e Istogut, në rast se kjo konfirmohet edhe pas votave të mbetura, deri tani paraqet një nga goditjet më të mëdha për LDK-në, sa i përket zgjedhjeve lokale në përgjithësi. Duhet pranuar se pavarësisht rezultatit të ngushtë prej gjithsejtë 52 votave, është vështirë e pritshme që votat me postë dhe ato me kusht të ndryshojnë rezultatin, pasi që numri i votave të tilla, kësaj radhe është shumë më i vogël”,  ka pohuar Tahiri.

Rezultatin e Istogut nuk e pranon Lidhja Demokratike e Kosovës duke thënë se ata janë përpara me vota.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa përmes një statusi në Facebook, ka shkruar se LDK-ja është 55 vota përpara se AAK-ja.

“LDK dhe Haki Rugova kanë fituar në Istog, ndërkaq AAK po feston para kohe. Sipas të dhënave tona, të bazuara në numërimin e çdo vote, Haki Rugova është 55 vota përpara!”, ka shkruar Mustafa./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat