“Mbajtja në burg e Kurtit për ta ndarë në dysh Vetëvendosjen”

Politika

“Mbajtja në burg e Kurtit për ta ndarë në dysh Vetëvendosjen”

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 18 dhjetor 2017 Në ora: 10:06
Albin Kurti, duke u arrestuar nga Policia e Kosovës

Dyshohet se mbajtja e Albin Kurtit në burg në këtë kohë është inskenuar nga partitë në pushtet për të ndarë Lëvizjen Vetëvendosje në dysh.

Kështu thonë analistët politik në vend, pas zhvillimeve të fundit në partinë më të madhe që çoi në dorëheqjen e deputetes, Aida Dërguti nga Kryesia Qendrore e VV-së dhe nga posti i kryetares së degës në komunën e Vushtrrisë, pas ofendimit që ajo i bëri Kurtit në një komunikim në viber.

Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes kanë mbledhur dy të tretat e nënshkrimeve për mbajtjen e një mbledhje këtë të diele për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit në këtë subjekt politik.

Besohet se në këtë mbledhje mund të propozohen edhe emrat për të parin e këtij subjekti politik për zgjedhjet brenda partisë.

Gazeta “Bota sot” është munduar të marrë një deklaratë nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për të dhënë një sqarim në detaje për përplasjet brenda partisë, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Brenda VV-së, të përfshirë njerëz të SHIK-ut

Image
Hidajet Ahmeti

Nga ana tjetër, analistët politik në vend thonë mbajtja e Kurtit në burg pas shfaqjeve të problemeve të brendshme në VV, ka për qëllim ndarjen në dysh të këtij subjekti politik.

“Lojëra të tilla politike domosdo rrisin  dyshimin për një orkestrim të ngjarjeve brenda Vetëvendosjes, por  të dirigjuara nga dora e zgjatur e partive që po ju rrezikohet pushteti në vazhdimësi. Gjykoj se është planifikuar mirë gjunjëzimi  i Vetëvendosjes duke shfrytëzuar çdo vakum politik e institucional, e aq më shumë kur dihet se lideri karizmatik e shpirtëror i Vetëvendosjes gjendet në burg”, thotë për “Bota sot”, politologu, Hidajet Ahmeti.

Ai dyshon se brenda VV-së janë përfshirë edhe njerëz të SHIK-ut.

“Dora e zgjatur e SHIK-ut ka funksionuar falë njerëzve të pushtetshëm të cilët kanë instrumentalizuar këtë organizatë kriminale për arritjen e qëllimeve politike, e cila në vazhdimësi ka prodhuar situate të paqenë për  jetëgjatësinë e krimit dhe korrupsionit. Nuk mund ta faktojmë  se përplasjet brenda Vetëvendosjes janë në korrelacion me dorën e zgjatur të SHIK-ut, por mbështetur në retrospektivën politike mund ta  përligjim një teori të tillë”, thotë më tej Ahmeti.

Sa i përket zhvillimeve të fundit brenda VV-së, Ahmeti thotë se është normale që të ketë konfrontime të ideve dhe të koncepteve, por sipas tij, kjo nuk duhet të shndërrohet në fraksione që rrezikojnë ndarjen në dy grupe.

Kurti po mbahet peng

Edhe analisti Nexhat Maliqi thotë se Kurti po mbahet në burg kur i duhet regjimit.

“Albin Kurti është ne burg kur t'i duhet regjimit qe ka kapur shtetin. Ai burgoset e lirohet me komandë. Argument më të fort se pezullimi i vendimit për ndjekje në prag të fillimit të fushatës elektorale nuk ka, edhe nuk ka nevojë të ketë”, thotë Maliqi për Bota sot”.

Sipas tij, ai po mbahet në paraburgim me një akuzë që nuk i takon gjyqësorit.

“Albini nuk ka hedhur gaz në Kuvend nga dritarja në salle plenare, por ka kundërshtuar bashkë me deputetë tjerë brenda stërkeqen ne maksimum të veprimit antikushtetues të ish-qeverise së Kosovës. Kjo punë nuk është për gjyqësorin dhe lënda duhet të pezullohet”, thotë ai.

Maliqi thotë se Kurti po mbahet peng dhe strukturat që e kanë burgosur nuk janë nga "drejtësia" janë nga politika.

“Këto struktura që në zgjedhje kanë pësuar debakël provuan ta rrëmbejnë edhe Prishtinën e humbur edhe Prizrenin, por dështuan. Tani s'ju ka mbetur tjetër përveç me makinerinë e propagandës “Gebelsiane” që e artikuloi  në emër të tyre, Blerand Stavileci zyrtarisht ta luftojnë LVV me çdo mjet. Ata të orkestruar luftën speciale po e bëjnë me Albinin peng. Nuk do të kalojnë. LVV do ta kaloje edhe ketë dhe Albini është që tani Kryetar i LVV! e në zgjedhjet e para nacionale ai do të jetë edhe kryeministër i ardhshëm”, shtoi Maliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat