Brukseli i thotë jo Haradinajt?

Politika

Brukseli i thotë jo Haradinajt?

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 20 dhjetor 2017 Në ora: 19:30
Ramush Haradinaj dhe Federica Mogherini

“Përpos dokrrave të qeverisë, deri më tani nuk kemi vërejtur asnjë indikacion se Bashkimi Evropian do të mund të bëjë një tërheqje të kriterit të demarkacionit, përkundrazi, zyrtarët e Brukselit në vazhdimësi kanë insistuar se demarkacioni është kusht i padiskutueshëm”, thotë për “Bota sot”, anëtari i LDK-së Bajram Gecaj.

Bashkimi Evropian nuk do ta marrë fare në konsideratë kërkesën e Qeverisë Haradinaj që të hiqet demarkacionin si kusht në mënyrë që Kosova të ketë liberalizimin e vizave.

Kështu thonë përfaqësues të partive politike dhe njohës të integrimeve evropiane.

Ditë më parë, zyrtarë nga Qeveria e Kosovës kanë bërë të ditur se kryeministri, Ramush Haradinaj do t’i kërkojë Brukselit që të hiqet demarkacioni si kusht për liberalizimin e vizave.

Nga ana tjetër, vet kryeministri Haradinaj, të hënën mbrëma ka qenë në një darke pune në Bruksel, ku është takuar edhe përfaqësuesen për politika të Jashtme të BE-së, Federica Mogerni.

Por, ai nuk ka dhënë ndonjë deklaratë për media se a ka qenë temë e bisedimeve me Mogherinin tërheqja e kriterit të demarkacionit.

Po ashtu, Gazeta “Bota sot”, ka dërguar pyetje me shkrim në adresë të qeverisë për të pyetur se a është diskutuar kjo çështje nga i pari i ekzekutivit gjatë takimit me Mogerinin, por nga Qeveria nuk ka pasur përgjigje.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Brukselit në çdo vizitë zyrtare që kanë bërë në Prishtinë, janë shprehur qartë se pa luftimin e korrupsionit dhe miratimin e demarkacionit, vendi nuk të ketë liberalizim të vizave.

Nga kjo kuptohet se tentimi i kryeministrit për të bërë kompromise me zyrtarët e BE-së, është e destinuar që të dështojë që në fillim. Kjo për faktin se shteti që pretendon të integrohet në këtë organizatë politike duhet t’i plotësojë kushtet e saj, e jo e kundërta. (Tekstin e plotë mund ta lexoni të Enjten në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat