“Gjuajtja me armë nga zyrtarët e shtetit, shembull i keq që nuk duhet të arsyetohet”

Politika

“Gjuajtja me armë nga zyrtarët e shtetit, shembull i keq që nuk duhet të arsyetohet”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 20 dhjetor 2017 Në ora: 22:47
Ramush Haradinaj dhe Dardan Gashi

Përdorja e armëve në ahengje të ndryshme familjare është lajm i shpeshtë në media. Por së fundmi një video e publikuar shfaqi zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Diasporës, Dardan Gashin odën e zëvendëskryeministrit tjetër, Fatmir Limajt, duke gjuajtur me armë.

Një gjë të tillë, jo vetëm që e arsyetoi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, por tha se nuk bëhet nami pse kanë gjuajtur me armë dhe e kanë shkelur ligjin zyrtarët e shtetit.

Madje, Haradinaj ka menduar që të propozojë legalizimin e gjuajtjes me armë në ahengje.

Për një gjë të tillë, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Abazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se kjo nuk është as e hijshme as e preferuar, derisa kjo nxjerr shumë pyetje në lidhje me gjërat që mund të ndodhin nga gjuajtja me armë.

Image
Haki Abazi

“Përdorimi i armëve nga zyrtarët e vendit nuk është gjë e hijshme e as e preferuar. Kur përdoren armët, shtrohen një sërë pyetjesh, nëse ato janë legale, nëse përdoruesi ka njohuri paraprake, a rrezikohen njerëzit përreth apo nëse plumbat qorr mund të rrezikojnë njerëzit tjerë. Përdorimi i armëve nuk është gjë e re në Kosovë, ekziston një traditë e gjatë që qitja me pushkë lajmëron harenë e gëzimin në shtëpi por edhe ngjarjet si dasma, gëzime e hare janë momente të festimit të fuqisë dhe fitores”, ka deklaruar Abazi.

Sipas tij, përdorimi i armëve sidomos nga zyrtarët e shtetit nuk duhet të arsyetohet, pasi është një shembull i keq dhe kundër ligjit.

“D.m.th dimensionet se si janë përdorur armët dhe se si ka mbetur një traditë e tillë i ka rrënjët thellë në kanunin edhe traditat shqiptare. Arma njihet edhe një urë lidhëse ndërmjet gjeneratave duke i trashëguar nga brezi në brez. Në ditët e sotme përdorimi armëve nuk mund të arsyetohet sidomos nga zyrtarët meqë japin një shembull jo të mirë dhe sidomos nëse përdorimi tyre është i sanksionuar me ligj e që në rastin në fjalë duket të jetë një situatë e tillë”, është shprehur Haki Abazi për “Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat