A është e gatshme Vetëvendosje ta përkrah mocionin e LDK-së për rrëzimin e Qeverisë?

Politika

A është e gatshme Vetëvendosje ta përkrah mocionin e LDK-së për rrëzimin e Qeverisë?

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 22 dhjetor 2017 Në ora: 09:59
Qeveria PANA-Lista Serbe

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë të gatshëm për të përkrahur mocionin e LDK-së për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj të paralajmëruar nga ish-kryeministri, Isa Mustafa.

Pas fitores së komunës së Istogut nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Mustafa ka thënë se LDK ka dal partia më e madhe në zgjedhjet lokale, dhe ka paralajmëruar për ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Haradinaj.

Ngase sipas tij, qeveria e kreut të AAK-së  po e varfëron vendin çdo ditë e më shumë.

Image
Shqipe Pantina

Por, në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se ata ende nuk ka një vendim lidhur me paralajmërimin e LDK-së për rrëzimin e qeverisë.

“Ne ende nuk e kemi parë raportin e Qeverisë për 100 ditshin e punës së kryeministrit Haradinaj. Njëherë duhet të lexojmë raportin për 100 ditëshin, të shohim se çfarë ka bërë, e pastaj të shohim. Por në Lëvizjen Vetëvendosje, ende nuk kemi një qëndrim zyrtar se a duhet përkrahur një mocion në Kuvend të ngritur nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, është shprehur për “Bota sot”, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina.

Haxhiu: Jemi komod për të shkuar në zgjedhje

Image
Teuta Haxhiu

Nga ana tjetër, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka thënë se nuk beson se LDK-ja do të arrij t’i sigurojë 61 nënshkrime për të rrëzuar qeverinë Haradinaj.

Por, sipas saj, AAK është në gjendje të shkojë në zgjedhje qysh tani.

“Kreu i LDK-së, Isa Mustafa e ka të freskët rrëzimin e qeverisë së tij, dhe kështu që mocioni i ka mbetur në kokë Isa Mustafës. Por edhe nëse shkohet në shkohet në zgjedhje, ne jemi shumë komod, sepse AAK ka shënuar rritje në zgjedhjet lokale”, ka deklaruar Haxhiu për “Bota sot”.

Fitorja e Istogut nuk është arsye për LDK-në që të kërkoi rrëzimin e qeverisë

Nga ana tjetër, publicisti Skënder Zogaj thotë se nuk ndonjë arsye që LDK-ja të kërkojë rrëzimin e qeverisë për shkak të fitores së komunës së Istogut.

Image
Skënder Zogaj

“Fitorja e Istogut nuk është kurrfarë aduti që do të duhej ta frymëzojë LDK-në që të kërkojë rrëzimin e qeverisë, por është rast i mirë për reflektime të reja, për ta kuptuar se, përtëritjet janë të domosdoshme. Zgjedhjet lokale në tërësi për LDK-në dhe të gjitha partitë politike të Kosovës, kanë treguar se, duhet të tranden nga letargjia që ika zënë dhe të kuptojnë se duhet të transformohen, të bëjnë reformime të thellë brenda partiake dhe të kthjellojnë konceptet e tyre filozofike-politike duke iu qasur realitetit të kohës dhe vizionit historik kombëtar e ndërkombëtar, në mënyrë që, shteti i ri i Kosovës të dalë nga logjika e garës së pehlivanëve, që qeverisjen e vendit ta kërkojnë në rrëzimet e përhershme”, thotë Zogaj për “Bota sot”.

“Kjo qeveri nuk meriton të qeverisë vendin për katër vjet”

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti Faton Mehmeti është shprehur se LDK-ja nuk duhet të kërkojë ngritjen e mocionit nëse nuk i ka numrat e mjaftueshëm në kuvend.

“Mendoj se çdo mocion pa pasur paraprakisht numrin e sigurtë të votave për rrëzim të qeverisë është aventurë fëmijërore. Kjo qeveri nuk meriton të qeverisë vendin për katër vjet, andaj opozite duhet të shikoj mundësitë për të bërë numrin e nevojshëm të deputetëve për të iniciuar mocion, derisa nuk i ka mbi 61 numra, opozita s’ka sens të kërkoj mocion”, thotë për “Bota sot”, analisti Faton Mehmeti.

Sipas tij, kjo qeveri do e rrëzohet sapo Gjykata Speciale të fillojë me ngritjen e aktakuzave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat