“Shfuqizimi i ligjit për Specialen, tradhti e sponzorizuar nga Thaçi, Veseli e Haradinaj”

Politika

“Shfuqizimi i ligjit për Specialen, tradhti e sponzorizuar nga Thaçi, Veseli e Haradinaj”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 23 dhjetor 2017 Në ora: 14:57
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Gjykata Speciale është votuar në vitin e 2015, me votën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Por, tashmë 2 vite e gjysmë pas formimit të saj, në Kuvendin e Kosovës u tentua të sillej vendimi për shfuqizimin e ligjit për Specialen. Kjo përmes kërkesës së 43 deputetëve, të cilët mblodhën nënshkrimet.

Për këtë reaguan edhe ambasadorët e vendeve të Quintit, të cilët thanë se Kosova mund të kthehej prapa nëse e bënte këtë dhe do të mbetej e izoluar.

Një ‘dramë’ u bë edhe në rrjete sociale, ku analistët shkruanin duke kundërshtuar shfuqizimin e ligjit për këtë gjykatë.

Ndërsa, lidhur me këtë çështje, për gazetën “Bota sot”, opinionisti Nexhat Haziri ka thënë se kjo ishte tradhti nga krerët e shtetit dhe ishte e sponzorizuar nga Thaçi dhe Haradinaj.

Image
Nexhat Hazir

“Kjo është një ngjarje e hidhur dhe tradhtia më e madhe që krerët e shtetit të Kosovës u munduan t’ia bëjnë Republikës, qytetarëve dhe miqve ndërkombëtarë, e që falë ndihmës dhe përkrahjes së tyre, Kosova sot është e lirë dhe e pavarur. Kjo orvatje e sponzorizuar nga Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, nuk ka të bëjë me atë pse kjo gjykatë nuk merret edhe me krimet e serbëve ndaj shqiptarëve, por është një orvatje e presidentit dhe kryeministrit për ta penguar Gjykatën Speciale që të merret edhe me hetimin e vrasjeve të shqiptarëve gjatë periudhës së luftës dhe pas saj, vrasje këto të aktivistëve dhe personaliteteve të jetës shoqërore dhe politike të Kosovës, ku përgjegjësia për vrasjen e tyre arrin të Thaçi dhe Haradinaj”, ka deklaruar ai.

Sipas Hazirit, shfuqizimi i kësaj gjykate do t’i bënte favor vetëm tre krerëve të shtetit, por që sipas tij deputetët duhet ta kenë parasysh të ardhmen e vendit.

“Andaj me anë të këtij shfuqizimi të Gjykatës Speciale, do të ishte vetëm në favor të krerëve më të lartë shtetëror të Kosovës, Thaçit, Haradinajt dhe Veselit, të cilët kanë një të kaluar të afërt kriminale dhe si të tillë për gjithë këto vite i kanë bërë dëm Kosovës dhe të ardhmes së saj. Andaj, besoj që deputetët e Kuvendit të Kosovës, para fatit të individëve të caktuar do ta kenë parasysh fatin e Kosovës dhe të ardhmes së saj si shtet demokratik, i mirëqenë për qytetarët dhe i integruar në strukturat euro-atlantike, që do të thotë të mos pranojnë të jenë pre e shantazheve të gorillave, Thaçit, Hardinajt, Veselit, por ta mbështesin Gjykatën Speciale, e cila është shpresa e vetme për ta çliruar Kosovën nga kjo kastë politike e kriminalizuar”, është shprehur Nexhat Haziri për “Bota sot”.

Ndryshe, së fundmi në media është raportuar se e gjithë kjo ka ardhur, pasi besohet se aktakuzat e para nga Specialja do të fllojnë së shpejti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat