Mbi 60 të akuzuar nga Specialja, flet avokati Gashi: Jam kontaktuar nga personat që do të akuzohen

Politika

Mbi 60 të akuzuar nga Specialja, flet avokati Gashi: Jam kontaktuar nga personat që do të akuzohen

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 25 dhjetor 2017 Në ora: 16:03
Avokati Tomë Gashi

60 ish-drejtues dhe ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Aktakuza e parë pritet të shpallet menjëherë pas shënimit të dhjetë-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Kështu ka mësuar Insajderi nga burime të afërta me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, sipas së cilit në mesin e të akuzuarve të parë, do të jenë Azem Syla, Shukri Buja, Sokol Dobruna dhe Daut Haradinaj.

Sipas këtij mediumi, aktakuzat e Speciales nuk kanë të bëjnë vetëm me krime lufte, por edhe vepra tjera të kryera deri në fund të vitit 2000.

Të akuzuar nga kjo Gjykatë, do të jenë edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari, Kadri Veseli. Thaçi, për rolin e tij si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, derisa Veseli për rolin e tij si shef i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).

Mirëpo, Thaçi e Veseli nuk pritet të akuzohen në valën e parë.

E gjithë këto të dhëna të publikuara sot në mediat online në vend, i ka komentuar avokati Tomë Gashi. Ky i fundit në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se përveç Prokurorit të Zyrës Speciale në Hagë, askush tjetër nuk e din se cilët do të jenë të akuzuarit e parë të Speciales.

Ai ka theksuar se e gjithë procedura e hetimeve nga ana e Gjykatës Speciale, mund të zgjas nga 5 deri në 15 apo 20 vjet.

“Sigurisht se çdo medium ka të drejtë që të publikojë edhe emra ndoshta të caktuar që sipas tyre, mund të akuzohen nga Gjykata Speciale. Por kredibiliteti i një mediumi varet prej informatave që i ka, prej kredibilitetit të atij që i ka dhënë ato informata. Unë mendoj se askush saktë nuk e din se kush mund të jenë të akuzuarit e parë e posaçërisht se kush do të jenë të akuzuarit gjatë gjithë procedurës sa do të mbahet në Gjykatën Speciale. Ajo procedurë mund të jetë e tej zgjatur, minimum pesë vite, ndoshta dhe pesëmbëdhjetë deri në njëzet vite. I vetmi që e din për aktakuzat është prokurori i Zyrës Speciale në Hagë”, është shprehur avokati Gashi.

Sipas tij, Gjykata Speciale është tërësisht e gatshme, mirëpo e gjitha është në duar të Kryeprokurorit David Schwendiman.

“Ata që kanë përmendur emra, besoj se do të duheshin që opinionin ta informonin nga i kanë marrë ato informata, përndryshe mbetet vetëm një shkrim që mund të jetë i vërtetë, por unë nuk mund ta komentojë më tepër për këtë. Besoj që askush nuk e din saktë as kur do të fillojnë akuzat e para. Këtë e ka thënë edhe kryeprokurori që në një kohë të caktuar kur ai e vlerëson, do t’i dërgojë akuzat dhe ka muaj që Gjykata Speciale është krejtësisht e gatshme, pasi i kanë gjyqtarët të zgjedhur, është kryetari i zgjedhur, janë sekretarët dhe të gjithë të tjerët, të cilët do të fillojnë të merren me gjykime. Por, prapëseprapë që të aktivizohet dhe të funksionalizohet Gjykata Speciale, duhet që akuzat të dorëzohen nga Zyra e Prokurorit në Hagë. I vetmi person 100% që e din se kush do të jenë të akuzuarit në fazën fillestare, është kryeprokurori David Schwendiman, i cili i ka të gjitha kompetencat ligjore për të ngritur akuzat”, ka vlerësuar më tej avokati.

Ndërkaq, i pyetur për mundësinë e ndonjë tensionimi apo eskalimi të situatës në vend, Gashi ka pohuar se aktakuzat e para, mund të shkaktojnë tensionime të natyrave të ndryshme, por jo edhe destabilitet.

Avokati ka vlerësuar se tentimet e ditëve të fundit për të parandaluar punën e Gjykatës Speciale, janë një lojë politike që dikush të fitojë kredibilitet apo eventualisht ta heqë veten nga lista e mundshme e të akuzuarve.

“Sa i përket eventualisht tensionimit të situatës në Kosovë, mund të ketë për ngritjen e akuzave të para, mund të ketë tensionime të natyrave të ndryshme, por nuk do të paraqitet ndonjë destabilitet në Kosovë. Nuk mund të paraqitet destabilitet në Kosovë lidhur me fillimin e punës së një gjykate, të cilën njëzëri e kanë votuar deputetët e Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit 2015 dhe tani më këto tentime për ta parandaluar fillimin e punës së Gjykatës Speciale, janë haptas një lojë politike që dikush të fitojë kredibilitet apo eventualisht ta heqë veten nga lista e mundshme e të akuzuarve”, është shprehur ai.

Kurse, i pyetur nga gazeta, se a është kontaktuar nga ndonjë person në lidhje me Gjykatën Speciale, Gashi ka pohuar një gjë të tillë, por nuk ka përmendur emra, për shkak të konfidencialitetit.

Ai ka thënë se ata do të bëjnë mbrojtjen e tyre, vetëm në rast se ata personalisht i kërkojnë shërbimet e Zyrës së tij.

“Ne jemi deklaruar shumë herë që në zyrën time punojnë tre avokatë, unë, janë dy avokatë amerikan, është Gregor GuySmith dhe Callin Rohan. Po ashtu kemi zyrën në Hagë. Unë kam punuar në Tribunalin e Hagës përreth 12 vite, ndërsa Gregor GuySmith dhe Callin Rohan kanë qenë në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë avokat mbrojtës për 14 vite. Ne kemi persona të caktuar që na kanë kontaktuar, është e drejtë e tyre, por është edhe e drejta jonë që të mos i bëjmë publik emrat e tyre, pasi është çështje konfidenciale dhe ne do të bëjmë mbrojtjen e tyre, vetëm në rast se ata personalisht i kërkojnë shërbimet tona, pasi që të akuzohen. Ndërsa, derisa të mos akuzohet askush, gjithsesi ka të drejtë që të përzgjedh ekipin mbrojtës, i cili mendon se mund t’ia ofrojë shërbimet më të mira”, ka theksuar Gashi.

Sipas avokatit, publikimi i emrave dhe tensionimi i ditëve të fundit, është bërë për shkak se të gjithë e din se ka ardhur koha për të nisur punën Gjykata Speciale.

Mirëpo, Gashi e ka pranuar se kjo gjykatë ka humbur kredibilitetin e saj, për shkak të shtyrjes së funksionimit të saj për dy vite e gjysmë.

“Gjithçka tani është në lojë të spekulimeve. Ato spekulime mund të jenë të vërteta, ata persona që janë përmendur sot në këtë medium, mund të jenë të vërtetë, mund të mos jenë të vërtetë. Kjo i përket gazetarisë hulumtuese dhe gazetaria hulumtuese, është një prej punëve që gazetarët e kanë, që tentojë që ta informojnë opinionin lidhur me informatat që i kanë e që janë në interes të opinionit publik. Gjithçka tani më, por edhe publikimi i emrave, por edhe tensionimi është e qartë se është duke u bërë për shkak se  të gjithë e din se ka ardhur koha kur Gjykata Speciale do të fillojë punën e saj edhe pse me paska e ka humbur kredibilitetin për shkak se është shtyer funksionimi i saj për dy vite e gjysmë”, ka shtuar për “Bota sot”, avokati Tomë Gashi.

Ndryshe, Gjykata Speciale është formuar në vitin 2015, me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat