Çfarë tentoi të përfitojë Thaçi nga tentimi për shfuqizimin e Speciales?

Politika

Çfarë tentoi të përfitojë Thaçi nga tentimi për shfuqizimin e Speciales?

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 26 dhjetor 2017 Në ora: 09:59
Ilustrim

Deputetët nënshkrues që kërkuan shfuqizimin e Gjykatës Speciale duhet të heqin dorë nga kërkesa e tyre për ndryshimin e këtij ligji.

Kjo për faktin se ata nuk mund t’i sigurojnë dy të tretat e votave, dhe dyta shfuqizimi i këtij projektligji sjellë pasojë të mëdha për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Nuk duhet dërguar më këtë ligj në Kuvend, kjo çështje ka përfunduar kaherë”, thotë analisti Blerim Burjani.

Ai thotë se këto reagime do duhej bërë para miratimit të Ligjit për Gjykatën Speciale në vitin 2015, e jo tani që pritet të ngritën aktakuzat e para.

Burjani tregon arsyet pse po tentohet bash tash ndryshimi i kësaj instance ndërkombëtare.

Image
Analisti politik, Blerim Burjani

“Synimi i PDK-së dhe disa partive të tjera të vogla që kanë të dyshuar për këtë çështje nuk e ndiejnë vetën të sigurtë nga kjo gjykatë. Dihet se Gjykata Speciale dallon nga ajo e Hagës. Kështu që ata i ka kapluar frika e madhe”, thotë më tej Burjani.

Nga ana tjetër, publicisti Fadil Lepaja thotë se tentimi i sa premtes për të shfuqizuar Gjykatën Speciale, ishte i qëllimshëm nga ana e presidentit Thaçi dhe partitë e PAN-it për të treguar se ata kanë ende fuqi në vend.

“Nuk mendoj se ka diçka nga gjithë kjo zhurmë. Mendoj se kjo ka qenë veç një paralajmërim për faktorin ndërkombëtarë dhe vendorë, se akterët nga të cilët varet zhvillimi i procesit janë pikërisht këta që edhe e krijuan këtë krizë nga asgjëja. Pra, frika e presidentit se po mbetet në margjina të proceseve dhe disa zyrtarëve të tjerë nga PAN-i, ishte arsyeja e krejt kësaj loje”, thotë Lepaja për “Bota sot.

Image
Publicisti Fadil Lepaja

Ai shtoi se qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të mbesin të izoluar për shkak të papërgjegjshmërisë së politikanëve.

Presidenca nuk është përgjigjur në pyetjet me shkrim të gazetës “Bota sot”, ku është kërkuar një qëndrim presidenti lidhur me deklarimet publike të analistëve dhe të deputetëve të opozitës se i pari shtetit qëndron prapa kërkesës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Ndryshe, 43 deputet të partive në pushtet të premten përmes nënshkrimeve të tyre kërkuan një seancë të jashtëzakonshme po atë ditë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Por, kërkesa e tyre dështoi pas kundërshtimit të fuqishëm të ambasadorit të SHBA-ve, Grieg Delawie dhe atyre të Kuintit dhe për shkak të mungesës së kuorumit në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, pasi që deputetët e Vetëvendosjes dhe të LDK-së refuzuan të marrin pjesë në këtë mbledhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat