Presioni ndërkombëtar ndikoi në tërheqjen e Thaçit, Haradinajt e Veselit

Politika

Presioni ndërkombëtar ndikoi në tërheqjen e Thaçit, Haradinajt e Veselit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 26 dhjetor 2017 Në ora: 15:26
Thaçi, Veseli dhe Haradinaj

Presioni ndërkombëtar ka ndikuar që “inciatorët” për shfuqizimin e Gjykatës Speciale të tërhiqen njëherë për njëherë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, ishin miratuar para dy viteve nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Të pranishëm gjatë seancës për votim të Gjykatës Speciale, ishin 117 deputetë, si pasojë 82 votuan për, 5 kundër dhe 1 abstenim. Opozita e asaj kohe nuk ka marrë pjesë në votim.

Mbrëmja e së premtes së kaluar mund të ishte “datë e shënuar” sa i përket Kosovës e qytetarëve të saj, kjo për shkak të mundësisë së shfuqizimit të Gjykatës Speciale.

Kundër shfuqizimit të kësaj Gjykate janë deklaruar menjëherë ambasadorët e shteteve mike në Kosovë, kurse sipas analistëve politikë këta të fundit edhe kanë ndikuar që ky ligj të mos shfuqizohet.

Gjatë kohës kur diskutohej për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ambasadorët e shteteve mike janë deklaruar menjëherë kundër kësaj nisme.

Ata e kanë konsideruar të tmerrshme këtë ide dhe nuk kanë përjashtuar mundësinë që Kosova do të mbetej e izoluar nëse do të vepronte kundër Gjykatës Speciale.

Ndërsa, pas “dështimit” për mbajtjen e seancës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, kryeministri Ramush Haradinaj, është takuar me ambasadorët e Quntit.

Në takim me ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe përfaqësuesin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Haradinaj ka biseduar për çështjen e nismës së 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Ramush Haradinaj u ka thënë ambasadorëve të akredituar në Prishtinë se do të veprojë bazuar në vullnetin e deputetëve lidhur me shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Image
Faton Mehmeti

“Thaçi po e futë në vallë Haradinajn, Dauti mund të jetë i akuzuar”

Analisti politik, Faton Mehmeti, ka thënë për “Bota sot” se Presidenti ka marrë sinjale se do të jetë i akuzuar i Speciales, prandaj ka mobilizuar kryeparlamentarin dhe Kryeministrin për ta shfuqizuar këtë ligj. Sipas Mehmetit, Haradinaj ka pranuar sepse Thaçi ka pasur argument se vëllai i tij, Daut Haradinaj, do të jetë i akuzuar.

Mehmeti ka shtuar se mund të ketë trazira në fillim të marsit dhe pritet që Thaçi të nxitohet me qëllim që ta parandalojë Gjykatën Speciale.

“Mendoj se pas gjithë kësaj qëndron Thaçi. Ky është njeriu që çdo herë ka vënë interesin personal mbi atë shtetëror. Duke parë sjelljet e Thaçit besoj se ka marrë sinjale të forta se do jetë i akuzuar, prandaj ka mobilizuar Ramushin dhe Kadriun për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale. Thaçi po futë në valle Ramushin me argumentin se Dauti do jetë  i akuzuar, andaj duke shfuqizuar këtë  ligj manovrojmë secili njëri- tjetrin. Nëse s’do ishte reagimi i fuqishëm i ambasadorit amerikan dhe britanik, do ishte shfuqizuar ky ligj. Tanimë mund të themi se po iu vjen fundi krahut të luftës, këtë gjë e kanë kuptuar andaj po manovrojnë çdo përpjekje për të shpëtuar. Pres të ketë trazira në fillim të marsit, të nxitura nga Thaçi me qëllim për të stopuar punën e Gjykatës Speciale e cila pritet që në shkurt të fillon arrrestimet e para. Derisa krahi luftës në krye me Thaçin është në pushtet, Kosova s’mund të shoh perspektivë”, ka pohuar Mehmeti.

Image
Mentor Tahiri

Presioni ndërkombëtar dhe pasojat për Kosovën

Kurse, politologu Mentor Tahiri, ka pohuar se aleatët ndërkombëtarë  i kanë bërë të qarta pasojat që do t’i kishte Kosova nëse do ta shfuqizonte ligjin.

Megjithatë, sipas Tahirit, presioni ndërkombëtar ka qenë pjesërisht arsye pse ideatorët nuk i kanë shkuar deri në fund.

Tahiri ka theksuar se idiatorët nuk i kanë kalkuluar mirë matematikat në Kuvend, prandaj nuk e kanë çuar në fund iniciativën.

“Aleatët tanë ndërkombëtarë i bënë të qarta pasojat që do t’i kishte Kosova, në rast se do të shfuqizohej ligji për Gjykatën speciale. Megjithatë, kjo ishte vetëm pjesërisht arsye, përse ideatorët e këtij veprimi nuk shkuan deri në fund. Arsyeja kryesore ishte kalkulimi jo i saktë i matematikave në Kuvendin e Kosovës. Pra, duket se ideatorët e shfuqizimit të ligjit në fjalë, ishin të vendosur që të shkojnë deri në fund pavarësisht çmimit të lartë që do të paguante vendi”, ka deklaruar Tahiri për “Bota sot”.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë kundër nismës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje kishte “bojkotuar” mbledhjen e kryesisë për caktimin e seancës së jashtëzakonshme.

Deputetë të LDK-së e analistë politikë kanë vlerësuar se miqësia e Kosovës me shtetet ndërkombëtare do të rrezikohej me këtë nismë, ndërsa sipas politologut Tahiri dëmtimi i raporteve me ndërkombëtarë nuk është duke ndodhur vetëm tani.

Sipas Tahirit, shfuqizimi i ligjit për Gjykatën Speciale do të ishte goditja më e rëndë që Kosova do të përjetonte që nga shpallja e pavarësisë.

“Dëmtimi i raporteve me ndërkombëtarët, nuk po ndodhë vetëm tani. Që nga formimi i tij, kabineti aktual qeverisës, i ka dhënë vendit një drejtim i cili po izolon vendin. Kjo qasje “izolacioniste” nuk do të thotë se vjen si rezultat i ndonjë strategjie politike, më parë mund të thuhet se Qeveria e Kosovës nuk po tregohet si lojtarë i pjekur në politikën ndërkombëtare. Por, shfuqizimi i ligjit për Gjykatën speciale, do të ishte goditja më e rëndë që Kosova do të përjetonte që nga shpallja e pavarësisë. Ambasadori amerikan dhe britanik nuk mund ta thoshin më troç se kaq. Së fundmi edhe një mik tjetër i Kosovës, diplomati austriak Albert Rohan u mundua të përçojë një mesazh sensibilizues te klasa politikisht e papjekur e Kosovës”, ka theksuar Tahiri.

Ndërsa, në media është raportuar se pas nismës së shfuqizimit kanë qëndruar Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj, të cilët mund të jetë të akuzuarit potencialë të kësaj Gjykate, e themeluar për t’i hetuar pretendimet e Dick Martyt, i cili bënë përgjegjës udhëheqësit e UÇK’së për krimet në luftë e pasluftës.

Image
Arber Gashi

Arsyet e dështimit të nismës kundër Speciales

Sipas analistit politik Arber Gashi, personi ndërkombëtar për largimin e këtyre krerëve nga skena politike ka qenë i kahmotshëm.

Gashi i ka konsideruar të dështuar ata për shumë arsye.

“Presioni ndërkombëtar për largimin e tyre nga skena politike është i kahershëm. Megjithatë, ata kanë dështuar në realizimin e këtij synimi për shumë arsye. Njëra ndër to, është edhe realiteti aspak premtues te subjektet tjera të regjistruara në KQZ. Andaj, bashkësia ndërkombëtare ka qenë e detyruar të bashkëpunojë me këta që, Tirana zyrtare, për interesa tjera, duke e shfrytëzuar terrin medial gjatë masakrave serbe në Kosovë, i nxori në skenën politike si krah të luftës, të cilën, kundër anmikut shekullor nuk e bënë kurrë ashtu si duhej. Në shumë raste, në emër të kësaj lufte janë vrarë shqiptarët e pafajshëm dhe sidomos ata shqiptarë që ishin zyrtarë të shtetit të Kosovës ose ata që i pranonin si të vetat institucionet e dalura nga Kushtetuta e Kaçanikut. Meqenëse në skenën politike erdhën si puçist dhe zhbërës të institucioneve, prej tyre nuk pritet diç tjetër, përpos konfrontimit me të gjithë ata që nuk i miratojnë synimet e tyre” ka nënvizuar Gashi.

Gjykata Speciale me seli në Hagë, tashmë ka bërë përgatitjet, ndërsa raportohet në media se aktakuza e parë pritet të shpallet menjëherë pas shënimit të dhjetë-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat