Flasin nga Vetëvendosje, ky është qëndrimi për shfuqizimin e Speciales

Politika

Flasin nga Vetëvendosje, ky është qëndrimi për shfuqizimin e Speciales

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 27 dhjetor 2017 Në ora: 14:39
Selia e Vetëvendosjes

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të premten e kaluar kishin marrë iniciativë për të mbledhur nënshkrimet që të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme, me qëllim që ta shfuqizojnë Gjykatën Speciale.

Shfuqizimi i Speciales, e cila ishte iniciativë e 43 deputetëve, e që gjeti mbështetjen edhe të udhëheqësve të vendit nga deputetët opozitarë po shihet si e vonuar.

Janë pikërisht deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që thonë se përpjekjet për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale janë të vonuara dhe jo serioze, e që në plan të parë kanë frikën personale se sa imazhin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) dhe të vendit.

Image
Shqipe Pantina

Lojë e rrezikshme

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se shfuqizimi i Gjykatës Speciale mund të bëhet duke bërë ndryshime kushtetuese, për të cilat nevojiten dy të tretat e deputetëve (81 vota).

“Qëndrimet tona i ka bërë publike edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca. Ndryshimi që do ta zhbënte Gjykatën Speciale mund të bëhet vetëm duke ndryshuar nenet Kushtetuese, më saktë me shfuqizimin e nenit i cili e krijoi këtë Gjykatë. Dihet se për shfuqizimin e këtij neni duhen dy të tretat e votave, po ashtu edhe dy të tretat e pakicës në Kuvend”, u shpreh deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje për “Bota sot”.

Sipas Pantinës, në momentin që Qeveria Haradinaj siguron votat e shumicës, do t’i ketë edhe votat e Lëvizjes Vetëvendosje, por thekson se loja për shfuqizimin e kësaj gjykate është e rrezikshme për Kosovën.

“Loja për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale është e rrezikshme dhe as nuk e zhbën këtë Gjykatë. Në anën tjetër, krijon edhe një imazh të keq për vendin dhe për seriozitetin që kemi krijuar si shtet. Nga fillimi e kemi bërë të ditur qëndrimin tonë, që kjo Gjykatë është e padrejtë dhe cenon sovranitetin. Si Vetëvendosje, këtë e kemi vërtetuar vite më parë, me mos votimin e saj në Kuvendin e Kosovës”, tha Pantina.

Deputetja e Vetëvendosjes thekson se përpjekjet për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale janë të vonuara dhe jo serioze.

E pyetur për reagimet e ambasadorëve, Pantina tha se ata kanë paraqitur qëndrimin e shtetit që përfaqësojnë.

“Këto përpjekje përveç se janë tepër të vonuara, janë edhe jo serioze, e që në plan të parë kanë frikën personale, më shumë se sa imazhin e UÇK-së dhe të Kosovës. Po të kishin një qëndrim të tillë, nuk do ta lejonin krijimin e kësaj Gjykate dy vite më parë. Theksoj edhe një herë se për shfuqizimin e nenit të Kushtetutës duhet jenë 81 vota, në mesin e tyre të jenë 11 votat e pakicave”, përfundoi Shqipe Pantina për “Bota sot”.

Image
Sami Kurteshi

“Lëvizja Vetëvendosje do ta analizojë propozimin për shfuqizimin e Ligjit”

Edhe deputeti tjetër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje rreth Gjykatës Special tashme është i ditur.

“Qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje rreth Gjykatës Special tashme është i ditur. Kjo gjykatë është diskriminuese, e njëanshme dhe e krijuar vetëm kundër shqiptarëve. Kjo ka qenë edhe arsyeja që edhe e kemi kundërshtuar gjithmonë si subjekt. Në Vetëvendosje edhe sot mendojmë që kjo Gjykatë është e tillë, e nxitur nga Rusia dhe Serbia”, tha Kurteshi për “Bota sot”.

Kurteshi shton Vetëvendosje se do ta analizojë kërkesën e 43 deputetëve, që kërkonin seancë e jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të specializuar.

“Lëvizja Vetëvendosje në fillim do ta analizojë saktë se për çfarë bëhet fjalë në këtë propozim, e pastaj do të vendosim edhe përfundimisht për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të specializuar”, përfundoi Kurteshi.

Image
Lirim Zorra

“Lëvizja Vetëvendosje dëshiron përfitime nga Gjykata Speciale në aspektin politik”

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Lirim Zorra, në një prononcim për “Bota sot”, deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje tani e shikon interesin e vet politik dhe elektoral.

Sipas tij, Vetëvendosje duke e parë situatën dhe momentin për të fituar pikë, tani hedh edhe kushte për aprovimin e këtij Ligji.

“Lëvizja Vetëvendosje tani e shikon interesin e vet politik edhe elektoral. Duke qenë që tani shfuqizimi i Gjykatës Speciale shihet si një akt kundër SHBA-ve dhe BE-së, sigurisht, asnjë parti nuk synon t’i hyjë kësaj valle, andaj edhe Vetëvendosje duke e parë situatën dhe momentin për të fituar pikë, patjetër tani hedh edhe kushte për aprovimi e këtij ligji”, u shpreh njohësi i çështjeve politike.

Ai thotë se Lëvizja Vetëvendosje në këto momente dëshiron përfitime në aspektin politik, në sytë e ambasadave, të votuesve të saj dhe jashtë saj.

“Kërkesa e tyre është e pamundur të realizohet, po ashtu duke e parë kritikat ndaj Qeverisë dhe presidencës dhe shumicës parlamentare, patjetër që Lëvizja Vetëvendosje dëshiron përfitime në aspektin politik, në sytë e ambasadave, po ashtu edhe të votuesi të saj dhe jashtë saj”, përfundoi Lirim Zorra për “Bota sot”.

Kujtojmë se Kryesia e Kuvendit të Kosovës kishte dështuar dy herë radhazi që të sigurojë kuorumin për shqyrtimin e kërkesës së 43 deputetëve nënshkrues, me të cilën kërkohej seancë e jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat