Serbia po e pengon Kosovën, Blakaj tregon si të veprohet për anëtarësim në BE

Politika

Serbia po e pengon Kosovën, Blakaj tregon si të veprohet për anëtarësim në BE

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 27 dhjetor 2017 Në ora: 21:59
Ilustrim

Ish-ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner në një editorial të tij ka folur për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Në këtë shkrim, ai ka thënë se Serbia dhe Mali i Zi janë gati të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, derisa Kosova do të duhet të pres ende për këtë.

“Një pjesë e mirë e kosovarëve, 90 për qind, një shifër shumë e lartë, duan që vend i tyre të hyjë në BE. Unë dyshoj me keqardhje se dëshirat e tyre do të bëhen realitet shpejt, pasi Serbia dhe pesë anëtare aktuale të BE-së nuk pranojnë të njohin legjitimitetin e Kosovës. Por, edhe në këtë pikë BE duhet të jetë më aktive duke nxitur Qipron, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë, Spanjën si dhe Serbinë të pranojnë të njohin të pashmangshmen, sovranitetin e Kosovës. Është një shembull sesi burimet e mëdha “të pushtetit të butë” mund të japin rezultate të rëndësishme nëse zbatohen”, shkruan ai.

Lidhur me këtë çështje dhe anëtarësimin e Kosovës në BE, për gazetën “Bota sot”, ka folur njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane, Sami Blakaj.

Image
Sami Blakaj

Ai thotë se anëtarësimin e Kosovës në BE po e pengon Serbia, por që nuk është pengesa e vetme.

“Serbia me mjeshtëri diplomatike vazhdon ta pengojë Kosovën, jo vetëm në anëtarësim drejt BE-së, por edhe në çdo nismë tjetër ndërkombëtare për Kosovën. Mbase kjo është edhe një tregues i qartë se Serbia nuk është e interesuar për konstruktivitet dhe stabilitet në rajon, kur është në pyetje Kosova dhe ndërkombëtarizimi i saj. Megjithatë Serbia nuk është pengesa e vetme. Pengesë kryesore janë pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që akoma nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre për ta njohur sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe përderisa nuk e kemi njohjen e këtyre vendeve, Kosova nuk mund të jetë anëtare e Bashkimit Evropian”, është shprehur ai.

Sipas Blakajt, Ministria e Punëve të Jashtme duhet të lobojë tek pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur ende Kosovën, e këtu duhet të jetë edhe Republika e Shqipërisë.

“Një gjë e tillë edhe ligjërisht është e pamundur, meqë vetë traktatet e BE-së nuk krijojnë hapësirë ligjore që Kosova të bëjë progres në anëtarësimin e saj në union, pa u njohur nga të gjitha shtetet anëtare. Në këtë drejtim institucioneve kompetente të Kosovës, veçmas Ministrisë së Punëve të Jashtme i mbetët të lobojë intensivisht tek institucionet e BE-së, e sidomos tek pesëshja e BE-së që akoma heziton për ta njohur shtetësinë e Kosovës. Pjesë e këtij lobimi duhet të jetë edhe Republika e Shqipërisë, e cila direkt apo indirekt do të mund të ndikonte në qëndrimin e shteteve në fjalë për ta njohur subjektivitetin shtetëror të Kosovës”, ka deklaruar Sami Blakaj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat