2017, vit i zënkave të Thaçit me ndërkombëtarët

Politika

2017, vit i zënkave të Thaçit me ndërkombëtarët

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 28 dhjetor 2017 Në ora: 11:22
Hashim Thaçi dhe Ruairi O’Connell

Përpos vendimeve kundërthënëse të kryeministrit Haradinaj, viti 2017 do të mbahet mend edhe për zënkat e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me ndërkombëtarët.

Kjo për faktin se prej ardhjes së tij në pushtet në vitin 2007, ai është cilësuar si i dëgjueshëm i tyre, dhe shumë i matur me deklaratat e tij ndaj perëndimorëve. Madje, subjekti i tij politik, PDK pati krijuar një mit se i pari vendit na qenka politikani më pro amerikan në vend.

Por, deklaratat e tij të fundit të ndaj miqve të Kosovës, e kthyen Thaçin nga një politikan pro perëndimor në kundërshtar të tyre. Kritika e parë e shefit të shtetit ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare erdhi në një debat të organizuar nga shoqëria civile, me temën: "Perceptimin publik i Gjykatës Speciale të Kosovës: rreziqet dhe mundësitë”.

Në këtë tryezë, ai akuzoi bashkësinë ndërkombëtare se kanë mashtruar Kosovën për themelimin e Speciales, duke premtuar në këmbim të saj liberalizim të shpejt të vizave për qytetarët, themelimin e ushtrisë dhe pranim në organizatat ndërkombëtare.

“Kosova mbajti fjalën, e Bashkësia ndërkombëtare asnjë fjalë nuk e mbajti”, kështu është shprehur ai.

Ky fjalim çoi presidentin edhe në një kritikë me ambasadorin e Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, i cili doli nga salla e tryezës teksa presidenti akuzonte ndërkombëtarët për mashtrim.

“Ambasadorin se kam pa që ka qenë i pranishëm e as që ka dal kur unë kam qenë duke folur. Nëse ka dal si kundërshtim ndaj asaj çka kam thanë është një sjellje aspak diplomatike”, kishte deklaruar Thaçi.

Kurse, tentimi i shfuqizimit të Gjykatës Speciale të premten e kaluar në mbrëmje pas nënshkrimit të 43 nënshkrimeve të deputetëve të koalicionit PAN, po shihet si një ftohje përfundimtare të marrëdhënieve të presidentit me ndërkombëtarët, pasi që sipas deputetëve të opozitës dhe njohës të çështjeve politike, prapa kësaj kërkesë qëndron vet presidenti.

Madje, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti ka thënë se Thaçi për të shpëtuar nga arrestimi, i ka detyruar deputetët të nënshkruajnë shfuqizimin e Speciales.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndryshuar qëndrim, ndërsa Hashim Thaçi po. Prandaj, të njëjtit deputetë që i detyroi ta votojnë Gjykatën Speciale në mandatin e kaluar tash po i detyron ta shfuqizojnë vetëm Ligjin për këtë Gjykatë, në mënyrë që të shmang arrestimin eventual të tij. Hipokrizi se jo mahi!”, ka shkruar Dërguti në Facebook.

Kurse, vet Thaçi në një emision televiziv ka thënë se ambasadorët i kishin shkuar në zyrë për t’i kërkuar sqarime për nismën e OVL të UÇK-së për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale.

“I kam treguar shumë qartë se unë nuk mund të frenoj vullnetin e deputetëve. Sistemet janë të ndara”, ka thënë Thaçi.

Kjo përgjigje e tij, tregon një ndryshim të madh të tij për këtë çështje kur dihet se në vitin 2015, Thaçi ishte personi i cila ka bindur deputetët e PDK-së për mes ndikimit të tij për të votuar pro themelimit të speciales.

Kështu që, vitin 2017, presidenti po e përmbyll me kritika ndaj ndërkombëtarëve, por opinioni publik ende nuk e ka të qartë se apo e kritikon ai Bashkësinë Ndërkombëtare nga frika se edhe ai mund të hetohet nga Gjykata Speciale apo se më të vërtetë është mashtruar Kosova për këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat