“Stuhitë e egra” për Kosovën në vitin 2018: Gjykata Speciale, Demarkacioni...

Politika

“Stuhitë e egra” për Kosovën në vitin 2018: Gjykata Speciale, Demarkacioni...

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 30 dhjetor 2017 Në ora: 11:55
Selia e Gjykatës Speciale

Në vitin që po e lëmë pas, Kosova u përball me shumë sfida politike e sociale, ku qytetarët e vendit dolën disa herë në zgjedhje për t’i dhënë zgjidhje shtetit të tyre pasi që opozita në muajin Maj rrëzoi Qeverinë Mustafa me mocionin e saj.

Në zgjedhjet parlamentare në Qershor, fitoi koalicioni i përbërë me partitë PDK-AAK-NISMA, e më pas në atë aleancë u bashku edhe Lista Serbe dhe Aleanca Kosova e Re, mirëpo ky koalicion, PANA, me Ramush Haradinajn si kryeministër, nuk i solli të mira këtij vendi, përveç premtimeve boshe, ku u premtuan liberalizmi i vizave brenda 100 ditëshit të kësaj qeverie, mirëpo ky premtim nuk ishte as afër të realizohet pasi që dy kriteret për liberalizim nuk ishin dhe mbeten të parealizuara ende.

Në anën tjetër, kryeministri e ngriti pagën e tij në mbi 100%, ku u bë kryeministri më i paguar në rajon dhe më i paguari në histori të Kosovës, e ku dihet se paga mesatare në vend është rreth 350 euro dhe kemi raste të shumta me asistencë sociale në Kosovë.

E çfarë do të na sjell viti 2018 dhe cilat do jenë sfidat, përgjigjen deputetë të Kuvendit dhe analistë politikë, me shpresën që viti i ardhshëm do të jetë më funksional në zgjidhjen e sfidave, e sipas tyre sfidat kryesore do të jenë: Demarkacioni, Gjykata Speciale dhe Liberalizimi i Vizave.

Image
Besa Gaxherri

LDK pret zgjedhje të reja në vitin 2018

Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besa Gaxherri, duke folur për gazetën “Bota sot”, shpreson që Kosova do të shkojë në zgjedhje në vitin 2018, ku thotë se vendi ka bërë hapa mbrapa me Qeverinë Haradinaj.

“Kosova fatkeqësisht ka bërë hapa shumë mbrapa me këtë qeveri aktuale në aspektin në marrëdhënie me jashtë me ndërkombëtarët dhe problemet ekonomike në përjashtim që nisja për termocentralin është një projekt që është punuar në të me vite, por në aspektin tjetër shpenzimet e buxhetit të Republikës së Kosovës që bëhen tërësisht pa kontroll është vërtetë një shqetësim. Konsideroj që Kosova në vitin e ardhshëm, siç po shihet ka sfida të shumta, por ne po punojmë shumë dhe mendoj që viti i ardhshëm do të jetë vit zgjedhor dhe duhet t’i kthehemi të ardhmes dhe punës”, potencoi Gaxherri për “Bota Sot”.

Image
Zenun Pajaziti

Sfidat kryesore për Kosovën sipas PDK-së

Kurse, deputeti nga radhët PDK-së, Zenun Pajaziti, thotë se viti 2018 e pret Kosovën me shumë sfida, mirëpo sfidat kryesore do të jenë Gjykata Speciale, Demarkacioni dhe proceset e integrimeve në Bashkimin Evropian.

“Në vitin 2018 do të ketë shumë sfida, por ajo që është më e rëndësishmja është procesi i integrimeve tona në BE, liberalizimi i vizave etj, në përgjithësi sfidat që lidhen me kriteret që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe sundimit të ligjit. Sfidë tjetër e rëndësishme që vlen të theksohet është gjykata speciale dhe demarkacioni”, u shpreh Pajaziti për gazetën “Bota Sot”.

Image
Shqipe Pantina

Dy sfidat sipas Vetëvendosjes

Ndërsa Shqipe Pantina nga Lëvizja Vetëvendosje, duke folur rreth kësaj çështje për “Bota Sot”, mendon se sfidat më të rëndësishme janë rritja e vendeve të punës dhe Gjykata Speciale, e për këtë të fundit thotë se është e pamundur të bëhet shfuqizimi i saj.

“E para mendoj që është zgjidhja e problemit të demarkacionit e cila ka mbetur peng tash e dy vite, por, sfida kryesore do të jetë zvogëlimi i papunësisë dhe rritja e vendeve të punës. Gjykata Speciale sigurisht që do të jetë një ndër sfidat kryesore në vitin 2018, por ajo nuk do t’i prek drejtpërdrejt qytetarët e vendit, ajo do të jetë sfidë për shtetësi dhe mbi të gjitha për të kaluarën tonë, më saktësisht për UÇK-në. Shfuqizimi i Gjykatës Speciale duket i pamundur në vitin e ardhshëm sepse duhet dy të tretat e votave në Kuvend, dhe mendoj se kjo është e parealizueshme”, thekson deputetja Pantina.

Image
Hajrullah Tërnava

Kosovën e presin “stuhi të egra”

Ndërsa, eksperti i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, gjithashtu mendon se sfidat kryesore janë Demarkacioni, Gjykata Speciale dhe Integrimi në BE, dhe sipas tij Kosovën do ta presin “stuhi të egra” nëse nuk arrihet zotërim në zgjidhjen e këtyre sfidave.

“Mafioziteti i partive politike ka degjenuar ndërgjegjen qytetare aq sa e vërteta dhe drejtësia nuk kanë kurrfarë vlere! Politizimi i Parlamentit ka bërë që Kosova të mos arrij të merr vendimet më jetike për Kosovën, siç është Demarkacioni dhe Gjykata Speciale, që po e mbajnë peng, pa liberalizim të vizave dhe pa integrim në strukturat ndërkombëtare! Këto prandaj janë sfidat me të cilat do të ballafaqohet Kosova gjatë vitit 2018, që është viti i trenit të fundit për fatin historik të shqiptarëve! Nëse nuk arrihet zotërim në zgjidhjen e këtyre sfidave, definitivisht Kosovën e presin stuhi të egra”, tha Tërnava për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat