Kërkohet dorëheqja e Thaçit, Veselit dhe Haradinajt pas “natës turpëruese” të 22 dhjetorit

Politika

Kërkohet dorëheqja e Thaçit, Veselit dhe Haradinajt pas “natës turpëruese” të 22 dhjetorit

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 31 dhjetor 2017 Në ora: 10:33
Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Të premten e javës së kaluar është tentuar që në Kuvendin e Kosovës të shfuqizohet Ligji Gjykatën Speciale.

Por, kjo ka dështuar pasi që në dy mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, nuk është arritur që të sigurohet kuorumi për të kërkuar seancën e jashtëzakonshme, për shkak të mungesës së përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe.

 Por, a mund të ketë një tentim të dytë nga koalicioni qeverisës, i cili kishte arritur të mbledhë 43 nënshkrime të deputetëve dhe a mund të ketë ndryshim mendimi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe?

Sipas njohësve të rrethanave politike, mund të ketë edhe një tentim të ri nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli për të nxitur deputetët të kërkojnë një seancë për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

Ndërsa, sa i përket ndryshmit të mendimit nga partitë të cilat ishin kundër këtij shfuqizimi, sipas tyre, nuk mundet të ndodhë një gjë e tillë.

Mehmeti: Thaçi dhe Veseli do të provojnë sërish shfuqizimin e Speciales

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik, Faton Mehmeti ka thënë se Presidenti Thaçi dhe kryeparlamentari Veseli mund të tentojnë të nxisin deputetët e koalicionit për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale.

“Besoj se Thaçi dhe Kadriu do të tentojnë të nxisin deputetët e PDK-së dhe koalicionit PANA që të tentojnë përsëri shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Do të nxisin të tjerët, por pa marrë përgjegjësi se janë ideatorët, prandaj është i rëndësishëm presioni i bashkësisë ndërkombëtare veçanërisht i SHBA-ve, për mos të lejuar një gjë të tillë”, ka theksuar Mehmeti.

Mehmeti nuk beson që Lidhja Demokratike e Kosovës mund të ndryshojë mendim për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ndërsa sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje mund të mbështesë këtë nismë. 

“Nuk besoj se LDK do të ndërrojë qëndrim pasi s`ka arsye, ndërsa VV mund ta mbështesë PDK-në në këtë rast, edhe pse politikisht i konvenon që të arrestohen njerëzit e saj. Pasi PDK do të dobësohet akoma, por varet çfarë qëndrimi do të mbajë Albini që edhe do të jetë qëndrim i VV-së. Gjithsesi, Kosovës i duhet Gjykata Speciale, faji është individual dhe kushdo që ka bërë krime të mbajë përgjegjësi”, ka deklaruar Mehmeti.

Krasniqi: LDK dhe VV nuk ndryshojnë qëndrim për Specialen

Image
Faik Krasniqi

Kurse, analisti tjetër politik Faik Krasniqi nuk beson se mund të ketë një tentim të dytë për të sjellë në Kuvend shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

“Pas presionit të ndërkombëtarëve për të mos lejuar procedimin e ligjit për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, nuk besoj që do të tentojnë prapë për ta sjellë në Kuvend. Besoj që edhe deputetë nga pozita do ta kundërshtojnë këtë gjë, sepse është një aventurë e rrezikshme që na izolon nga bota dhe rrezik edhe për zhbërjen e shtetit edhe ashtu të brishtë”, ka potencuar Krasniqi.

Po ashtu, ai ka thënë se nuk mund të ketë ndryshim të qëndrimeve nga VV-ja dhe LDK-ja.

“Nuk besoj që VV-ja dhe LDK-ja do të ndryshojnë qëndrim, sidomos pas reagimit të ashpër të amerikanëve, pa të cilët Kosova nuk mund të ekzistojë”, ka përfunduar Krasniqi.

Haziri: Thaçi, Veseli dhe Haradinaj të japin dorëheqje

Image
Nexhat Haziri

Edhe analisti politik Nexhat Haziri, nuk beson se mund të ketë një tentim të dytë për të sjellë në Kuvend shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Ai ka thënë për “Bota sot” se treshja Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, nuk kanë fuqi politike për një tentim të njëjtë sikurse ai i së premtes.

“Nuk besoj se mund të ketë një tentim të dytë nga Veseli, Haradinaj dhe Thaçi, që përmes Kuvendit për të shfuqizuar Gjykatën Speciale, për shkak se  reagimi i opinionit ishte shumë i shpejtë, opozita, mediat, po ashtu edhe i miqve tanë ndërkombëtarë, dhe pas kësaj disfate turpëruese të treshes Thaçi, Haradinaj, Veseli, nuk besoj se kanë fuqinë politike për të përsëritur një tentativë të tillë”, ka thënë Haziri për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka theksuar se opozita LDK-ja dhe LV-ja nuk do të ndryshojnë qëndrim sa i përket Gjykatës Speciale.

“Ajo që për mua do të ishte shumë e rëndësishme është që të rritet presioni i brendshëm, por edhe nga miqtë tanë ndërkombëtar në adresë të presidentit Thaçi për dorëheqjen e tij, pasi që nga nata e 22 dhjetorit, ky njeri më nuk ka kredibilitet moral e as politik për të vazhduar si president i vendit”, ka potencuar ai.

Për më tepër, Haziri ka thënë se duhet kërkuar dorëheqja kryeministrit Haradinaj dhe kryeparlamentarit Veseli.

 “Vazhdimi i qëndrimit të tyre në këto poste shtetërore, vërtetë përbën një rrezik të madh për Kosovën dhe të ardhmen e sajë. Ajo që unë i frikësohem është që kjo treshe do të tentoj që ta destabilizojë Kosovën me anë të trazirave që lehtë mund t’i organizojnë edhe në bashkëpunim me grupet kriminale serbe nga veriu i vendit, pra një skenar i njëjtë i marsit të vitit 2004”, ka përfunduar Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat