Si u rrezikua humbja e mbështetësve ndërkombëtarë?

Politika

Si u rrezikua humbja e mbështetësve ndërkombëtarë?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 1 janar 2018 Në ora: 10:18
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ambasadori britanik Ruairi O

Politika e Kosovës ka qenë dhe vazhdon të mbetet e mëshiruar nga ndërkombëtarët, mirëpo këtë vit vuri në lojë raportet me ta.

Kështu ka vlerësuar për gazetën “Bota sot”, Adlum Ramadani, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Sipas tij, Politikanët në Kosovë, kanë sfiduar edhe vet procesin e shtet-ndërtimit.

Image
Adlum Ramadani

“Me keq se aq janë ‘premtimet pas perdeve’ që zyrtarët e lartë shtetërorë po u japin atyre (përfaqësive ndërkombëtare) nën kushte të caktuara si liberalizimi i vizave, integrimi në familjen evropiane apo anëtarësimi në mekanizma ndërkombëtarë. Mos miratimi i demarkacionit, zbehja e miqësive me diplomatë aleatë të Kosovës apo tentimi për shfuqizimin e Gjykatës Speciale të Kosovës janë kthesa e gabuar që politikanët Kosovarë po e ndjekin karshi tyre”, është Adlum Ramadani, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Nuk ka tolerime

Anëtari i LDK-së Bajram Gecaj, duke folur rreth asaj se a mund të konsiderohet viti 2017, viti i dëmtimit të raporteve me ndërkombëtaret, ka thënë se cilido që tenton të dëmtojë marrëdhëniet me ndërkombëtarët duhet ta nxjerrim nga zyra e tij apo e saj.

Image
Bajram Gecaj

“Nuk na lejohet të tolerojmë askënd të minoi miqësinë tonë jetike me asnjë kusht, posaçërisht kur kjo bëhet puro për interesa personale”, ka thënë anëtari i LDK-së Bajram Gecaj.

Ndërkaq, analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se asnjëherë më parë nuk kanë qenë në krizë Raportet e Kosovës me Bashkësinë Ndërkombëtare.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, kjo ngase Bashkësia Ndërkombëtare po kërkojnë që Kosova të jetë shtet i se drejtës, i cili nuk po i konvenon komandantëve.

“Këta të fundit kanë arritur të zhvatin pasurinë e vendit në emër të patriotizmit, dhe në kohën kur po kërkohet që t’ju del fytyra e vërtetë të tillët po i cenojnë raportet me ata që na ndihmuan të çlirohemi. Pra, kjo klasë politike pasi ka degraduar çdo aspekt të jetës, po na cenon edhe raportet me ata që na ndihmuan nga asimilimi. Pra, Kosova po rrezikon të humbas miqësinë me miqtë e pa të cilët nuk mund të mbijetojmë. Andaj, në mes të miqve ndërkombëtarë dhe bandës së të ashtuquajturve "komandant" unë zgjedh miqtë ndërkombëtar”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Zhvillime jo pozitive

Kurse, njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani ka thënë se me 2017 kishte zhvillime të cilat nuk janë edhe aq pozitive, meqë kanë shkuar me një  negativitet në raport me ndërkombëtarët.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, kjo duket të jetë jo inkurajuese për miqtë tanë, pasi ballafaqimet dhe lojërat politike nxitja e reagimit ndërkombëtarë ka përbëre diçka jo të zakonshme dhe të dëmshme për shtetin e Kosovës.

“Dëmtimi i këtyre raporteve është bërë me kryeneçësi të pa matur dhe interesante e inatçore. Me BE raporti është dëmtuar duke kritikuar atë për punët e brendshme të pakryera, siç janë demarkacioni dhe luftimi i dobët i korrupsionit pa ndonjë rezultat bindës as minimal në këtë drejtim. Po ashtu, mendoj se duhet kryer punët që ka shteti dhe obligimet, duhet të ndalet trendi i mosmarrëveshjeve në skenën politike që nuk ofrojnë dobi për shtetin dhe qytetarët, duhet bërë marrëveshje për çështje nacionale vet partitë politike”, ka thënë Burjani.

(Mos)pajtimet për gjendjen aktuale 

Ai ka theksuar se të tillët po pasurohen pa bazë, madje nuk i harrojnë as rritjet e pagave dhe zhvatjen e buxhetit me këto veprime.

“Askush në Bashkësinë Ndërkombëtare nuk pajtohet me vendimet e tyre, për rritje të rrogave, pasi një veprim i tillë nuk është i drutë. Përderisa qytetarët e Kosovës jetojnë në skamje e varfëri  me përplot të rinjtë të pa punë, ku mbi 67% të qytetarëve janë nën moshë të re, pra  nën moshën  27 vjet”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani.

Nga ana tjetër, politologu Faik Krasniqi ka thënë se kjo klasë politike nuk ka pasur ndonjëherë raporte të mira me ndërkombëtarët.

Image
Faik Krasniqi

Sipas tij, raportet mes tyre kanë qenë çështje interesi reciprok personal, dhe jo që ka pasur dhe ndodhur diçka për të mirën e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

“Ndërkombëtarët kanë bashkëpunuar dhe vazhdojnë të bashkëpunojnë me këtë klasë politike (pozitë e opozitë), edhe pse kjo klasë politike është fajtore për mjerimin dhe çdo gjëje të keqe që u ka ndodhur qytetarëve dhe këtij vendi. Madje janë bërë monotonë me refrenin e tyre të famshëm ''luftojeni krimin e organizuar dhe korrupsionin''. Të korruptuarve dhe kriminelëve po u thonë luftojeni krimin dhe korrupsionin. Prandaj, nuk e shohë dëmtim të raporteve me ndërkombëtarët mos miratimin e demarkacionit, tentimin e shfuqizimit të Gjykatës Speciale, sepse sikur Bashkësia Ndërkombëtare ta kishte seriozisht që Kosovën ta bëj një shtet serioz, këtë klasë politike do ta kishte izoluar dhe për qytetarët i kishte liberalizuar vizat, kurse ata kanë vepruar gjithmonë të kundërtën e asaj që kanë mundur ta bëjnë për hir të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës”, ka thënë politologu Krasniqi.

Zotimet dhe dështimet

Image
Leon Duhanaj

Kurse, analisti politik Leon Duhanaj ka thënë se jo vetëm tani, por që nga përfundimi i luftës dhe tejkalimi i situatës emergjente shoqëria shqiptare e Kosovës, ka filluar gradualisht t'u kontribuojë ftohjes së marrëdhënieve me miqtë ndërkombëtarë.

“Që nga fillimi, për një pjesë të shqiptarëve më me rëndësi ishin interesat personale e klanore se sa interesat e përgjithshme. Klasa politike, e cila më shumë në formë uzurpative se sa më metoda demokratike, mori "mandatin" për të qeverisur me këtë vend. Nuk kursyen asgjë, as mjet as metodë, për ta djerrë këtë vend dhe këtë popull të shkretë. Madje, edhe Gjykata Speciale është rezultat i kësaj kaste harbutësh që më së paku mendojnë për të ardhmen e këtij vendi. Tani, Presidenti Thaçi, pasi që ja arriti të marrë postin e Presidentit, po përballet me injorim nga qarqet ndërkombëtare. Shumicën e kohës qëndron i paftuar në Kosovë, me ç ‘rast po e dëmton edhe institucionin e Presidencës edhe vetë shtetin”, ka thënë Duhanaj.

Sipas tij, aksionet e shumta si dështimi për ta përfunduar temën e demarkacionit, akuzat ndaj ndërkombëtarëve, me theks të veçantë ndaj Ambasadorit O’ Conell dhe aksioni i fundit kamikaz me synimin e shfuqizimit të Gjykatës Speciale, shkojnë në vazhdën e dëmtimit serioz të marrëdhënieve me ndërkombëtare.

“Në këtë rast humbja më e madhe i shkaktohet shtetit të Kosovës pasi që po humb në seriozitet dhe kredibilitet ndërkombëtarë duke u cilësuar si partner jo serioz në marrëdhëniet ndërkombëtare”, ka thënë analisti politik Leon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat