E zbulon Haki Abazi: Këta dy njerëz e helmuan Vetevendosjen dhe e futën në grack Visar Ymerin

Politika

E zbulon Haki Abazi: Këta dy njerëz e helmuan Vetevendosjen dhe e futën në grack Visar Ymerin

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 5 janar 2018 Në ora: 22:03
Haki Abazi

Dorëheqjet nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë të ndalur. Pas dorëheqjes së Dardan Molliqajt, Aida Dërgutit, Visar Ymerit dhe Dardan Sejdiut, nga Vetëvendosje, sot janë larguar edhe deputetja Shqipe Pantina dhe anëtari i Kryesisë Zgjim Hyseni.

Ndaj largimit të tyre ka reaguar vet kandidati për kryetar të Vetëvendosjes Albin Kurti. Ky i fundit, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se nuk mban inat me këta që dhanë dorëheqje dhe se i ka pritur për diskutim pas lirimit nga burgu.

Ai i ka ftuar të gjithë ata që duan të kandidojnë për kryetar të Vetëvendosjes, që të shpalosin platformat e tyre dhe se afati i fundit është të mërkurën me 10 janar.

E dorëheqjet nga Lëvizja Vetëvendosje, njohësi i rrethanave politike Haki Abazi, i sheh si një gjë të pritur, madje i quan si pastrim të domosdoshëm.

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Abazi ka thënë se nyja e së keqes në VV, është Shpend Ahmeti, pasi sipas tij, ai ka dëshiron të “dalë në fund të situatës si shpëtimtar”.

“Ajo çfarë po ndodhë në VV, është gjë e pritur dhe shpresoj se do të menaxhohet drejtë. Ky është një pastrim të domosdoshëm nga ata që në fakt në VV, kanë shkuar për të mirëmbajtur pozicionet dhe eventualisht të përfitojnë personalisht. Nyja e së keqe në VV është Shpend Ahmeti, që është një demagog perfekt dhe përçarës i përsosur që fut thikat ndërmjet njerëzve, për të krijuar situatë konfliktesh për të dalë mbi atë situatë si shpëtimtar”, është shprehur Abazi.

Ai më tej i ka quajtur taktikë të poshtër dhe idioteske largimet nga VV-ja që sipas tij, janë të dizejnuara nga Dardan Molliqaj dhe Shpend Ahmeti.

Abazi ka theksuar se ka menduar që Visar Ymeri, përkundër mospajtimeve, do të gjente forcën intelektuale, që të mos binte pre e grackave artificiale, që siç ka thënë ai, janë ngritur nga “Klani Coca Cola Zero dhe njerëzit e Jahteve”.

“Më vjen keq për Visar Ymerin, që unë e kam pas respekt të veçantë dhe kam menduar që përkundër mospajtimeve, do të gjejë forcën intelektuale për të mos rënë pre e grackave artificial e paranoike që u ngriten nga Klani Coca Cola Zero dhe njerëzit e Jahteve në VV. Taktikat që po përdorin, duke dhënë dorëheqje një nga një, po mundohen që të dëmtojnë VV, duke e bërë lajm çdo ditë. Kjo është një taktikë e poshtër dhe idioteske e dizajnuar nga Molliqaj dhe Ahmeti. Këto janë mendje provincial të ngushta dhe me interesa personale”, ka thënë Haki Abazi.

Sipas Abazit, Vetëvendosjes, nuk i duhet njerëz manipulues si Molliqaj, për të cilin ka thënë se e ka ndërtuar një strukturë anti Kurti, gjë për të cilën, ai kishte paralajmëruar edhe më herët.

“Kam qenë shumë i qartë dhe i drejtpërdrejtë që moti se ky grup është helmues dhe ka prodhuar situate kontaminuese dhe përjashtuese përbrenda organizatës, duke bërë që me informata të rrejshme të izolojnë Kurtin dhe të tjerët nga realiteti. Dhe kur Kurti filloi të dalë në terren dhe pa një realitet tjetër aty, nuk kishte më vend për teoritë e Molliqajt, i cili po ndërtonte një strukturë anti Kurti”, ka pohuar ai.

Ai i ka quajtur pastrim të shëndetshëm largimet nga VV-ja, duke thënë se këta njerëz të VV-së, janë të ngjashëm me karakteret e disa partive tjera në Kosovë.

“Ky pastrim, është i mirë dhe i shëndetshëm për VV-në. Nuk i duhen asnjë strukture politike, njerëz që nuk kanë pozicion për asnjë gjë dhe nga pozitat e dyta e hedhin gurin dhe fshehin dorën. Këta njerëz manipulues në VV, janë të ngjashëm me karakteret që i kemi parë në partitë tjera si Milazim Krasniqi, Hajredin Kuqi, Edita Tahiri, Enver Hasani, etj. Do të thotë, është një fenomen i demagogjisë dhe hipokrizisë politike”, ka përfunduar për “Bota sot”, analisti politik Haki Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat