“Frika nga Specialja”, Presidenti me deklarata kundërthënëse

Politika

“Frika nga Specialja”, Presidenti me deklarata kundërthënëse

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 6 janar 2018 Në ora: 08:06
Hashim Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, gjatë intervistës së dhënë për emisionin Opinion, është shprehur se ka përdorur armë, dhe ka qenë njëri ndër themeluesit e UÇK-së.

Hashim Thaçi ka deklaruar se me 1992 ka marrë pjesë në aksione në Drenas.

“Kam përdorur armë në aksione. Jam bashkëthemelues i UÇK-së. Qysh në vitin 1992 kam marrë pjesë në aksione në Drenas. Kam qenë që nga idetë fillestare të luftës çlirimtare. Asnjë ndihmë nga shteti shqiptar nuk e kemi marrë kurrë. Nuk e di që ka ekzistuar ndonjë vendim i qeverisë shqiptare për armatosjen e UÇK-së”, është shprehur Thaçi.

Por, kohë më parë, gjatë kohës kur ka qenë kryeministër, Thaçi ishte shprehur krejt ndryshe.

Ai e kishte pranuar në vitin 2014, për EuroNews se roli i tij në luftën çlirimtare nuk ka qenë në vijën e parë të frontit, dhe se kishte qëndruar larg fronit të luftës.

“Unë kam qenë larg fronteve të luftës. Lufta ime ka qenë politike. Ne e kemi mundur Serbinë bashkë me bashkësinë ndërkombëtare dhe kjo ka qenë fitore e madhe. Kurrë nuk kam dhënë urdhra që kanë shkelur ligjet ndërkombëtare. Ne kemi thyer ligjet e Milosheviçit, që kanë qenë diskriminuese. Sa u përket akuzave për organet, për herë të parë i kam dëgjuar nga raporti i Dick Marty. Kurrë nuk besoj se ndonjë ushtar i UÇK-së ka marrë organe të civilëve. Është një tregim fantastiko-shkencor që nuk mund ta besoj. Askush nuk e beson”, kishte deklaruar Thaçi në intervistën e tij për EuroNews.

Qeriqi: Të gjithë duhet të jenë të sinqertë për rolin e tyre

Situata në prag të akuzave nga ana e Gjykatës Speciale, siç duket e ka bërë Thaçin që të ndryshojë deklaratën e tij. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike duke thënë, se nuk është hera e parë që Thaçi jep deklarata kundërthënëse, sa i përket periudhës së luftës dhe rrolit të tij.

Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e të drejtave të Invalidëve të Luftës Xhevdet Qeriqi, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se të gjithë duke përfshirë edhe Presidentin duhet të jenë të sinqertë dhe të tregojnë të vërtetën dhe rolin në luftën e UÇK-së.

Image
Xhevdet Qeriqi

“Personalisht ndihem shumë i lumtur që i kam shërbyer vendit tim në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po ashtu, ndihem krenar që kam marrë pjesë në frontet e luftës, kundër pushtuesit serb dhe këtë nuk do ta mohoj asnjëherë. Sa i përket Gjykatës speciale me siguri e dini qëndrimin tim, qysh në fillim kur është përmendur kjo gjykatë kam qenë kundër sepse e shoh si një padrejtësi që i bëhet fillimisht republikës të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne të gjithë jemi dëshmitar për krimet e kryera nga Ushtria dhe pushteti serb në popullatën shqiptare”, ka thënë Qeriqi.

Ai ka theksuar, se për këto krime është në dijeni edhe Bashkësia Ndërkombëtare, ku dihet se janë mijëra civil shqiptar të vrarë e të masakruar.

“Po ashtu i kemi edhe diku 1700 civil shqiptar të zhdukur, janë gjetur shumë varreza masive të shqiptareve në Serbi dhe askush nga ndërkombëtaret nuk merret me këto krime dhe me këta kriminel që ti ulë në bankën e të akuzuarve. Andaj sipas mendimit tim ndërkombëtaret nuk po kanë se çfarë ti bëjnë Serbisë, e në anën tjetër po na akuzojnë neve si luftëtar të UÇK-së se gjoja kemi ‘kryer krime’”, ka thënë Qeriqi.

Kurse sa i përket asaj se a i frikohen luftëtarët e UÇK-së, Gjykatës Speciale, Qeriqi ka thënë se asnjëri nuk duhet ti frikohet kësaj Gjykate madje as presidentit Thaçi.

“Në këtë nuk duhet frikuar askujt, për faktin se shumë epror të UÇK-së të cilët qenë akuzuar nga Tribunali i Hagës e kanë dëshmuar se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, ku të njëjtit janë liruar si të pafajshëm. Deklarimet e presidentit Thaçi janë vështir të kuptueshme, në kohën kur ne e kundërshtonim ai bënte presion që kjo Gjykatë të votohej, kurse tash i njëjti njeri bënë presion, që kjo Gjykatë duhet të shfuqizohet. Andaj një deklaratë e tij vërtet është vështir për tu kuptuar”, ka thënë Qeriqi.

Image
Nexhat Haziri

Nuhatja e drejtësisë

Opinionsti Nexhat Haziri, duke folur në lidhje me këtë çështje ka thënë se këto deklarata, Thaçi i bën varësisht nga nuhatja e tij në raport me drejtësinë, pasi ai tashmë është siguruar se do të jetë objekt trajtimi nga Gjykata Speciale.

“Dikur Thaçi vet deklaronte se ka qenë larg vijave të frontit e sot deklaron se ka qenë në vijat e para, duke treguar gjendjen frustruse të tij. Si pasojë e frikës dhe orvatjes së tij të pashpresë për të shpëtuar nga Gjykata Speciale, po ashtu me këtë deklaratë ai po tenton ta tensionojë situatën për të marrë përkrahjen e opinionit që të kundërshtohet Gjykata Speciale”, ka thënë opinionsiti Haziri.

Image
Ali Hertica

“Thaçi deklarohet brenda ‘skifter’ e jashtë ‘pulë‘”

Na ana tjetër, analisti politik Ali Hertica ka thënë se Hashim Thaçi ka thënë se, Thaçi  me këtë deklaratë e ka hequr barrën e tij nga çdo akuzë eventuale po që se dikush ngritë apo bën pluhur rreth historikut që në çdo kohë  mund të akuzohej nga ndonjë Gjykatë kudo qoftë ajo brenda apo jashtë Kosovës.

“Tani një situatë e tillë kaotike, po e shtynë popullin në një kaos idesh dhe trazimesh emocionale, sepse Thaçi deklarohet brenda ‘skifter’ e jashtë ‘pulë ‘. Dhe pikërisht për këtë është për tu çuditur fakti që nga qëndrimi i tij, ndoshta është edhe i etur për ‘meritokraci’ dhe kjo tani po i del e hidhur meqë po deklarohet se ai kurrë nuk ka qenë në front”, ka thënë Hertica.

Image
Hidajet Ahmeti

“Frika nga Specialja”

Analisti politik, Hidajet Ahmeti duke folur rreth kësaj ka thënë se Hashim Thaçi nuk mund ti ikë përgjegjësisë së fjalës publike, pasi ekzistojnë  faktet për deklaratat publike të tij.

“Deklaratat kontraverze për çështje të caktuara të japin një pasqyrë të qartë për personalitetin e luhatshëm, dinak e karrierist. Në shoqërinë  e Kosovës duhet të ndërtohet një standard ku për fjalën publike të mbahet përgjegjësi, kushdo qoftë ai nga pozita, fuqia politike e deri te qytetari i rëndomtë. Standardi i tillë do t’i ndihmonte ndërtimit, konsolidimit të shtetit, por edhe institucioneve publike që përfaqësohen e përfaqësojnë qytetaret  brenda mandatit kushtetues e ligjor”, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti.

Ai ka theksuar, se deklaratat e pamatura, joserioze të Thaçi janë sinjal i qartë për frikën e tij në prag të funksionalizimit të Gjykatës Speciale.

“Deklaratat, e tij publike janë të ruajtura në sirtarët e dosjeve të grumbulluara nga Gjykata Speciale për të cilat duhet të mbaj përgjegjësi Thaçi. Lojërat e tilla të Thaçit nën dirigjimin e egos së tij personale, kanë futur në siklet Thaçin  para aktakuzave nga Gjykatën Speciale”, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat