“Thaçi, Veseli dhe Haradinaj, sikur Lukashenko dhe Kim Jong-un”

Politika

“Thaçi, Veseli dhe Haradinaj, sikur Lukashenko dhe Kim Jong-un”

Nga: Bota Sot Më: 6 janar 2018 Në ora: 16:53
Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Tentativa e zyrtarëve shtetërorë të Kosovës për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale, po konsiderohet si e dëmshme për vendin, që mund të sjellë pasoja të mëdha.

Vet presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili në vitin 2015, tentonte të bindte deputetët nën presionin ndërkombëtar, për të miratuar Gjykatën Speciale, tashmë ka pranuar se ai do të nënshkruante shfuqizimin e Speciales, nëse Ligji do të miratohej nga deputetët në Kuvend.

Deklaratë të ngjashme ka dhënë edhe kryeministri Ramush Haradinaj, duke thënë se është kundër Gjykatës Speciale.

Mirëpo, deklarata e tyre, ka nxitur reagimin e shteteve të Quint-it, të cilat kanë paralajmëruar pasoja të mëdha për Kosovën, duke përmendur këtu edhe izolimin, në rast se ndodhë shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën.

Në kohën kur po tentohej shfuqizimi, amabasadori i shtetit që solli çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, Greg Delawie, dha një mesazh të qartë për krerët e shtetit, duke thënë se shfuqizimi do të thoshte “thikë pas shpine” ndaj SHBA-ve.

“Nëse do të ketë sukses kjo përpjekje, do të ketë efekt shumë negativ për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Evropës, do të konsiderohej nga SHBA-të si thikë pas shpine, Kosova do ta zgjidhte izolimin në vend të bashkëpunimit dhe më duhet ta them se e urrejmë që ta kthejmë orën prapa për Kosovën, në progresin që e kemi arritur deri tani”, kishte thënë ambasadori Delawie nga holli i ndërtesës së Kuvendit.

E sipas njohësve të çështjeve politike, përpjekja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt, përbën goditje të madhe të marrëdhënieve me SHBA-të. Ata konsiderojnë se tentativa e këtyre liderëve, u përngjan liderëve diktatorial të shteteve me demokraci të dështuara, si Bjellorusia dhe Koreja e Veriut.

Duke komentuar në lidhje me këtë publicisti dhe analisti politik Faik Krasniqi, ka thënë se ndërkombëtarët nuk e kanë themeluar Gjykatën Speciale, për ta shfuqizuar një shtet i vogël si Kosova.

Image
Faik Krasniqi

Ai ka thënë se presidenti Thaçi, që sipas tij, kërcënonte pro votimit të saj dhe se i njëjti për interesa personale po tenton ta ''shfuqizojë'' Specialen, bashkë me deputetët.

“Themelimi i Gjykatës Speciale është padrejtësia më e madhe që i është bërë Kosovës. Por, ndërkombëtarët nuk e kanë themeluar kot së koti që dikush mund ta shfuqizojë, e lëre më një vend si Kosova që akoma nuk është shtet me plot kuptimin e fjalës. Përgjegjësinë për themelimin e kësaj Gjykate e mbajnë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që e kanë votuar, dhe e Presidentit Thaçi që kërcënonte pro votimit të saj dhe i njëjti për interesa personale po tenton ta ''shfuqizojë'', dhe përgjegjësi duhet të kërkojmë tek ata. Fajtore është edhe drejtësia e kapur nga politika, që nuk ka arritur krijimin e një Gjykate vendore, e cila do të hetonte të gjitha krimet në mënyrë të paanshme, duke filluar nga vrasjet e pasluftës e deri tek krimet e luftës, pa dallim se kush i ka bërë ato”, është shprehur Krasniqi.

Krasniqi: Politikanët e Kosovës, s’mund të cenojnë miqësinë me SHBA-të

Ai e ka quajtur të palogjikshme tentativën e deputetëve të njëjtë që votuan pro themelimit të Gjykatës, e të cilët tash duan shfuqizimin.

“Është shumë e arsyeshme që deputetët të cilët votuan kundër krijimit të kësaj Gjykate të jenë edhe sot kundër saj, sepse njeriu që ka parime njerëzore dhe politike nuk i ndryshon mendimet çdo ditë, por është e palogjikshme që deputetët e njëjtë që votuan pro themelimit të kësaj Gjykate, tash të votojnë për shfuqizimin e saj. Shfuqizimi i Gjykatës Speciale në këtë kohë, është tepër e vonuar dhe lojë shumë e rrezikshme”, ka thënë më tej Faik Krasniqi.

Mirëpo, sipas tij, asnjë tentativë e politikanëve nuk mund t'i cenojë marrëdhëniet me SHBA-të.

“Tentimi do të ishte sikurse të lozet me ''ruletin rus'', dhe njëkohësisht do të ishte një lëvizje e rrezikshme që minon sundimin e ligjit dhe kredibilitetin e Kosovës si partner i BE-së dhe SHBA-së. Pasojat do të mund të ishin të mëdha për shtetin edhe ashtu të brishtë të Kosovës, në aspektin e ngadalësimit të proceseve integruese dhe ekonomike. Asnjë tentativë e politikanëve tanë në asnjë mënyrë nuk mund t'i cenojnë marrëdhëniet me SHBA-në, sepse Kosova është projekt i tyre dhe SHBA punon me plane afatgjate dhe nuk mërzitet fare për politikat ditore të politikanëve tanë”, është shprehur në prononcimin për gazetën “Bota sot”, Faik Krasniqi.

Haziri: Thaçi, Veseli dhe Haradinaj, sikur liderët e vendeve diktatoriale

Por, ndryshe mendon analisti politik Nexhat Haziri, sipas së cilit, tentimi për shfuqizimin e Speciales nga krerët e shtetit, është goditje ndaj marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-të.

Image
Nexhat Haziri

Ai ka thënë për “Bota sot”, se kjo tentativa, është e ngjashme me atë të liderëve të vendeve diktatoriale.

“Natyrisht se tentimi për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, nga trinoni famëkeq Thaçi, Veseli dhe Haradinaj, përbën edhe goditjen më të madhe të marrëdhënieve me SHBA-të, shtetin që ka kontribuar për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në Kosovë. Kjo tentativë e këtyre liderëve u përngjan liderëve diktatorial të shteteve me demokraci të dështuara siç është Bjellorusia e Lukashenkos, apo edhe më keq edhe me diktatorin korean Kim Jong Un”, është shprehur Haziri.

Ai ka vlerësuar se veprimi i Thaçit, Veselit dhe Haradinajt ndaj SHBA-ve, do të përcillet me konsekuenca politike.

“90% e shqiptarëve të Kosovës janë pro amerikan”

Mirëpo, sipas tij, është fat i mirë që 90% e shqiptarëve të Kosovës janë pro amerikan, duke theksuar se SHBA e vlerëson këtë fakt.

“Ky veprim i tyre për mos pranimin e këshillave nga shteti mik i SHBA-ve, natyrisht se nuk do të shpëtojë pa konsekuenca politike, por këto do të jenë vetëm për treshen Thaçi, Veseli dhe Haradinaj, pasi është fat i mirë për ne për faktin se 90% e shqiptarëve të Kosovës janë pro amerikan dhe i janë mirënjohës SHBA-ve për mbështetjen e dhënë Kosovës në të kaluarën dhe sot, në të gjitha etapat e zhvillimit të saj. Dhe unë besoj se SHBA-të e respektojnë këtë mirënjohje të qytetarëve tanë për ta, dhe se nuk do të lejojnë që për teket dhe të bëmat e zeza individuale të Thaçit, Veselit dhe Haradinajt, të vihet në pikëpyetje kjo lidhje e ngushtë miqësie në mes Kosovës dhe SHBA-ve”, ka pohuar Nexhat Haziri për “Bota sot”.

Mehmeti: Po i afrohemi sfidës së madhe

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, Faton Mehmeti, analist politik, konsideron se presidenti Hashim Thaçi, nuk i përkrah SHBA-të, për shkak të interesit personal.

Duke folur në një prononcim për “Bota sot”, Mehmeti ka theksuar se edhe përpjekja për shfuqizimin e Speciales, është personale dhe se ajo nuk paraqet bindjen e qytetarëve.

“Hashimi nuk i përkrah SHBA-të nga bindja, por nga interesi dhe kur interesi i tij u cenua, Hashimi doli në rolin e tij të vërtetë, atë të konfrontimit me SHBA-të. Dëshira e Thaçit, është të jetë sundimtar, por nuk ka “kaçik”. Trinomin famëkeq në Kosovë Thaçi-Veseli-Haradinaj, i bashkon krimi, zhvatja e shtetit dhe frika nga drejtësia, prandaj janë bërë bashkë. Përpjekjet e tyre për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale, janë personale, ato nuk paraqesin bindjen e qytetarëve”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, Kosova po i afrohet sfidës më të madhe që nga paslufta, arrestimin e “të ashtuquajturve komandantë”.

“Gabim fatal ishte zgjedhja e Thaçit president, pasi arrestimi i tij nga Gjykata Speciale njollos imazhin e presidentit e jo të Thaçit. Gjithsesi, Kosova po i afrohet sfidës më të madhe që nga paslufta, arrestimin e të ashtuquajturve komandantë, të cilët e kanë zhvatur këtë vend tash e 18 vjet. Kim Jong Uni i Kosovës është Thaçi, por ky i fundit sipas interesit luan edhe rolin e Papës, ndonëse brenda vetes është diktator”, ka shtuar për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat