Kosova po rrezikohet nga ndikimi rus

Politika

Kosova po rrezikohet nga ndikimi rus

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 7 janar 2018 Në ora: 07:58
Vladimir Putin, foto ilustrim

Rusia ka penguar dhe vazhdon ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në procesin e  shtet formimit të saj. Rusia këtë zakon tashmë e ka të njohur meqë kohë më parë kishte penguar edhe Malin e Zi për tu anëtarësuar në NATO.

Njohësit e integrimeve evropiane dhe analistët politik vlerësojnë se Rusia vazhdon të përbëjë një sfidë serioze për shtetësinë e Kosovës duke minuar integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare.

Sipas tyre, Rusia është e interesuar që të shtojë influencën në Ballkan për shkaqet e saj strategjike politike, ushtarake dhe ekonomike.

Pengesë për Kosovën

Image
Bajram Gecaj

Anëtari i LDK-së Bajram Gecaj, ka thënë se Rusia vazhdon në pengimin e anëtarësimit në NATO.

“Rusia në vazhdimësi ka mbrojtur interesat destruktive të Serbisë në rajon, interesa këto të cilat janë totalisht në kolizion me investimet e demokracive perëndimore për pacifizmin e kësaj pjesë të Evropës”, ka thënë Gecaj.

Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli ka thënë se Rusia është pengesë për Kosovën, pasi e njëjta është aleati i ngushtë i Serbisë.

Image
Vesel Makolli

“Historikisht dihet se ndikimi i Rusisë(këtu duhet kuptua edhe Serbisë), ka qenë qysh nga kongresi i Berlinit e deri në ditët e sotme. Destabilizimi i kësaj pjese të Ballkanit gjegjësisht destabilizimi i Ballkanit shkon në favor të interesave Ruso- serbe, andaj këtë duhet ne ta kemi parasysh, dhe gjithmonë veprimet tona duhet ti koordinojmë me aleatët tanë jetikë sidomos me SHBA-në. Ballkani në dy shekujt e fundit është quajtur "burë baruti", me formimin e shteteve të reja të dala nga shpërbërja e Jugosllavisë e sidomos me formimin e shtetit të Kosovës, janë zgjidh deri diku shumë nga problemet e Ballkanit”, ka thënë Makolli, duke shtuar se gjatë gjithë këtij procesi Rusia ka qenë pengesë dhe "meritë" e saj,  dhe rezoluta 1244.

Njohësi i çështjeve politike Gazmend Islami, ka thënë se Kosova më shumë është duke i ngjarë një shteti eksperimental, sesa një shteti normal.

Image
Gazmend Islami

Sipas tij, problemi i gjithë kësaj është edhe roli i madh dhe ndikimi që ka shtrirë Rusia e cila ekonomikisht dhe ushtarakisht ka ngritje të madhe.

Islami ka theksuar se, edhe me rreshtimi i Turqisë në krah të Rusisë, sa vjen dhe e shton ndikimin e saj në Ballkan. “E sa më shumë që Rusia po bënë trekëndëshin Moskë-Beograd-Stamboll, Kosovës i vështirësohet anëtarësimi në NATO. Por duarkryq nuk po rrinë as SHBA, të cilat me çdo kusht duan të parandalojnë marshimin e vijës së Rusisë, kjo tregon më së miri që pas Shqipërisë ka arrit që edhe Malin e Zi ta bëjë pjesë të NATO-s. Kosova duhet ti fuqizoj raportet me SHBA, se vetëm krah tyre Kosova mund të qëndroj në këmbë të veta, se vetëm me ta kemi shpresa që një ditë të jemi pjesë e NATOS, por natyrisht që ne si shtet së pari duhet të pastrohemi nga politikanët e korruptuar në mënyrë që ata të kenë besim tek ne”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Gazmend Islami.

Sipas të njëjtit, përfaqësuesit në Kosovë duhet të jenë shumë syqelë e largpamës e mos të lejojmë që blloku Ruso-serb të na fusë në binar të gabuar.

“Tash ekskluzivisht çdo gjë varet nga ne, gjegjësisht nga veprimet apo mosveprimet tona, pasi që konstalacioni i faktorëve kyç botëror është në favor tonin, gjegjësisht është hera e parë në histori që jemi rreshtua drejt dhe kemi krijua shtetin e dytë të cilin duhet ta dimë ta ruajmë nga ndikimet dashakëqij ruso-serbe dhe me veprimet e drejta dhe diplomatike në koordinim me SHBA-në, duhet ta forcojmë shtetin tonë, e  sidomos ne arenën ndërkombëtare”, është shprehur Makolli.

Rusia vazhdon të përbëjë një sfidë serioze për shtetësinë e Kosovës

Image
Sami Blakaj

Njohësi i integrimeve evropiane Sami Blakaj, konsideron se Rusia vazhdon të përbëjë një sfidë serioze për shtetësinë e Kosovës duke minuar integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare.

Ai konsideron, se angazhimi i aparatit shtetëror rus kundër Kosovës dhe ndërkombëtarizimit të saj njihet sidomos nga viti 2008, respektivisht që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe deri më sot.

“Politikës shtetërore i janë bashkangjitur edhe mediet ruse të cilat vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në propagandimin lajmeve të rreme, duke e pasqyruar në vazhdimësi Kosovën si një shtet të dështuar. Në këtë drejtim konsiderojë se interesimi rus në defaktorizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare është jashtëzakonisht i madh dhe fatkeqësi për Kosovën është se institucionet e Kosovës nuk janë të përgatitura sa duhet për ti dalë ballë makinerisë ruse, e cila vazhdueshëm angazhohet për ti arritur politikat e saj kundër shtet-ndërtimit të Kosovës”, është shprehur Blakaj.

Analisti politik Bahri Cani, ka pohuar se Rusia është e interesuar që të shtojë influencën në Ballkan për shkaqet e saj strategjike politike, ushtarake dhe ekonomike.

Image
Bahri Cani

“Ka tentuar që të shtojë influencën edhe në Mal të Zi, me qëllim strategjik ushtarak - daljen në Adriatik, por kjo ka dështuar, pas futjes së Malit të Zi në NATO. Në përgjithësi për Ballkanin është tepër e rrezikshme që Rusia dhe NATO-ja e shohin këtë rajon si një rajon ku eventualisht mund të tregojnë muskujt e tyre dhe do të ishte mirë që këtë ta kuptojnë të gjithë liderët e rajonit. Por, kjo është më shumë shpresë sesa realitet, sepse ndonjë veprim racional i liderëve të rajonit nuk pritet - të paktën jo të liderëve të tanishëm. Sa i përket Kosovës, Rusia ka një influencë serioze në veri të Kosovës në mesin e serbëve, por Moska e ka shumë të qartë se atje nuk mund të ketë ndonjë mbështetje. Ndaj, ajo ka mbështetur dhe do të mbështetë në tërësi interesat e Serbisë karshi Kosovës”, ka thënë Cani.

Shfuqizimi i Gjykatës Speciale të rikthente edhe fuqinë ruse

Ai konsideron, se Rusia nuk do ta mbështetë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare apo në OKB pa ndonjë marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Jo për shkak se Kosova është tepër e rëndësishme strategjikisht për Rusinë, por për shkak se ajo do të ruajë influencën në territoret e banuar me sllavë. E dyta, Kosova i shërben asaj në KS të OKB për të treguar muskujt ndaj vendeve perëndimore, në radhë të parë ndaj SHBA-së. Nga Rusia nuk mund të pritet pra ndonjë mbështetje e Kosovës. Më e mira që mund të arrihet do të ishte abstenimi në organizatat ndërkombëtare, pra mos pengimi i saj. Ajo që Kosovën në këtë moment duhet ta shqetësojë shumë më shumë, është kriza e brendshme, sepse në Kosovë aktualisht nuk ka asnjë fuqi që mund t'i prezantojë denjësisht interesat e saj jashtë vendit. Kosova ka probleme tepër të mëdha të brendshme dhe atë si në pozitë ashtu në opozitë. Ndërkohë që ka dhe një influencë të jashtëzakonshme të listës Serpska”, ka thënë Cani.

Sipas tij, Kosova duhet të përqendrohet më shumë tek zhvillimet brendshme sesa influenca e Rusisë.

“Ky element mund të jetë në këtë periudhë tepër i rëndësishëm në qoftë se Kosova vërtet futet në ndonjë konflikt me vendet perëndimore - përmes përpjekjeve të saja për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Në këtë mënyrë do të rikthente edhe fuqinë ruse e cila me siguri që menjëherë do të kërkonte formimin e një Gjykatë nën ombrellën e OKB, e në rast ftohjeje apo konflikti me Perëndimor, ajo do të gjendet eventualisht mbështetje edhe në Uashington, Paris dhe Londër. Më thjesht: në këtë moment rreziku më i madh për Kosovën nuk është në Moskë por në Prishtinë”, ka thënë Cani.

Analisti politik Zudi Xhelili ka thënë se është evidente që Rusia është aleati më i fuqishëm i Serbisë, meqë Rusia vet nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe mundohet të ndikojë sa më tepër që edhe vendet tjera mike të saja të mos e njohin shtetin e Kosovës.

Image
Zudi Xhelili

“Rusia vazhdon të kërkojë mundësi për të pasur ndikim në gadishullin ballkanik, sidomos nëpërmes Serbisë. Rrethanat ne Ballkan nuk kanë qenë dhe nuk janë në favor të Rusisë dhe prandaj nuk kishte sukses për të penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, nuk do të mund të pengojë një ditë edhe anëtarësimin e Maqedonisë dhe Kosovës ne NATO. Rusia duhet të ndryshojë qasjen ndaj vendeve që kërkojnë perspektiva zhvillimore dhe demokraci të mirëfilltë”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Xhelili.

Diplomacia e dobët

Njohësi i çështjes politike Sulejman Mehazi ka thënë se, një ndër pengesat kryesore të forcimit të shtetësisë së Kosovës nëpër institucionet botërore në NATO dhe BE, është Rusia me anë të aleatit më armiqësor për shqiptaret e Kosovës, siç është Serbia.

Image
Sulejman Mehazi

“Diplomacia e Kosovës është katastrofike për t'u ndeshur me atë Ruse e Serbë, atëherë çfarë mund të pritni prej diplomatëve e politikanëve të vet pëlqyer të

Kosovës, kurrgjë”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Mehazi.

Njohësi i çështjeve politike Artur Roshi ka thënë se kjo është një gjë që nuk ka vend për mëdyshje.

Image
Artur Roshi

Sipas tij, Rusia ka pozicion të qartë në interesat e saj kundër anëtarësimit të saj në NATO sepse është e para që nuk ka dashur shtet formimin e Kosovës.

“Për këtë është shprehur qartë kundër që në fillesat e ideve të mëvetësimit të Kosovës dhe ka vazhduar në këtë linjë duke e përdorur si argument kundër perëndimit për çështjen e Krimesë. Nuk besoj se ka politikan në Kosovë që është i paqartë për qëndrimin koseguent të Rusisë kundër procesit të pavarësisë së Kosovës dhe për çdo gjë që shkon në vazhdimësi në favor të saj”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Roshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat