“Alternativa” e Hashimit - një fenë në ujë

Politika

“Alternativa” e Hashimit - një fenë në ujë

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 7 janar 2018 Në ora: 10:42
Hashim Thaçi

Përzënia e dhunshme e Serbisë nga Kosova, me bombardimet e NATO-paktit, mjerisht, nuk ishte fundi i saj në këto troje. Serbia, me ndihmën e Tiranës zyrtare, të aleates të saj historike, Francës, me spiunët e vjetër dhe të rinj, brenda LPK-së, realizoi sabotimin e luftës në Kosovë dhe, realisht, dështimin e në fushë-betejë të Kosovës, duke realizuar boshatisjen e saj, me ekzodin masiv të shqiptarëve.

Çliruesit faktik të Kosovës, Amerika me Aleancën Ushtarake Perëndimore, duke parë dështimet serike në Kosovën e brishtë: vrasjet politike, korrupsionin - hajninë zyrtare, bllokimin e dhunshëm të sistemit të drejtësisë, nga "komandantët" e LPK-së, hafije të shumëfishtë: të Shqipërisë, Serbisë, Francës..., nuk kishin besim për hapa të mëtejmë, siç ishte shpallja zyrtare e pavarësisë të Kosovës. Kjo zvarrisje e vonesë e pavarësimit të Kosovës, krijoi pakënaqësi në popull. Serbia përgjonte e qetë, por, e sigurt, sepse i kishte "komandantët" hafije, të gatshëm për të zbatuar urdhrat e saj kobzi. 

Nismë e pranverës 2004, pikërisht, në mas-prill, "komandantët" morën urdhrin për aksionin destabilizues të Kosovës. Sulmi, sa i turpshëm, aq edhe fatal për Kosovën, filloi mbi fshatrat e banuar me serbë, kryesisht, popullatë e moshuar, e pambrojtur, duke ua djegur shtëpitë dhe kishat e tyre, gjë që nuk kishte ndodhur në asnjë periudhë të historisë tonë të trazuar me fqinjët. Skenari i Serbisë funksionoi saktë e shpengueshëm. Në zbatim të skenarit serb, ishin angazhuar strukturat qendrore dhe lokale të PDK-së dhe të AAK-së. "Komandantët" partiakë u dhanë parësi "komandantëve veteranë", duke i angazhuar maksimalisht "Shoqatat e dala nga lufta", edhe pse shumica syresh nuk kishin hyrë kurrë në luftë!

Gjithçka u bë në sytë e ndërkombëtarëve, me filmime dhe transmetime, duke ia përcjellë opinionit botërorë "live", drejtpërdrejtë. Rrjedhojat ishin fatale: 28 viktima, por, asnjë "komandantë", shumica të rinj shqiptarë, të shënjestruar nga ushtarakët ndërkombëtarë; shtëpi dhe kisha të djegura, të cilat u riparuan dhe u ndërtuan nga buxheti i Kosovës. Shqiptarët u vranë, u shanë, u fikën, u koritën!

Propaganda serbo-ruso-sllave u hodh në aksionin e madh agjitativ kundër-shqiptar. Krimet vrastare, terrorin faktik, përflakjen e fshatrave serbe, i shumëfishoi. Krimin dhe vandalizmin e inskenuar nga vet ajo, Serbia, por, të realizuar nga "komandantët" shqipfolës, me bandat e tyre, i përgjithësuan, kinse, si sulm masiv i shqiptarëve, "kundër serbëve civilë autokton të pambrojtur". Ngjarjet vandale e kriminale patën jehonën e pritur nga Serbia, e cila, pas skenarit të protestave të përgjakshme të "komandantëve", me bandat e tyre, propaganda e shfrenuar serbe, kundra shqiptare, po besohej, madje, pa rezerva, në opinionin botëror. 

Tashmë, Qendrat e Vendosjes ndërkombëtare u ndodhën para faktit të kryer. Ndjeshmëria e opinionit botëror, në veçanti, sulmi ndaj të moshuarve serbë, si dhe kallja e kshave, nuk kishte vend për pardon. "Shqiptarët sot, njësoj si serbët dje, në luftë! Ata keqpërdorën humanitetin botëror, lirinë e dhuruar. Tani duan revanshizmin mbi pakicën serbe të pambrojtur", - thoshin të gjithë, miq dhe armiq. Serbia hapi rrugën për kërkesa e kushtëzime: "Duam decentralizimin brenda Kosovës", që nënkupton kompetenca të shtuara lokale, një lloj pavarësie nga pushteti qendror, realisht, duke mos e njohur atë të Kosovës, por, atë të Serbisë. Dhe, u krijuan komunat fantomë-serbe!

Pas gjithë kësaj gjëme, vrasjeve dhe kalljeve numerike, u arrestuan disa krerë kriminelë të Shoqatës të "veteranëve të UÇK-së". Ata, të favorizuar nga policët e inkriminuar të qendrave të paraburgimit, veç favoreve tjera, ua mundësonin kriminelëve të seksionin me gratë e tyre edhe në burg! Qëndruan disa muaj prapa grilave, duke ngrënë pula e pite dhe u liruan, edhe pse përgjakën Kosovën! Rast unikal në botë.

Për mos ndëshkimin dhe lirimin e kriminelëve "veteranë", me banditër të tjerë edhe nga shoqatat "të dala na lufta", viston, lejen e dha Serbia, nëpërmjet UNMIK-ut korruptiv dhe koordinues, në të gjitha proceset me Serbinë dhe aleatët e saj. Sepse, Serbia e donë krimin në pushtet në Kosovë. Shefave shtetërorë Serbia "ua ka zënë bishtin me derë", andaj, nëpërmjet tyre realizoi: 

1) Ndarjen paqësore të Veriut të Mitrovicës;

2) Decentralizimin dhe pret ta realizojë Bashkësinë e komunave serbe, pra, "Zajednicën"; 

3) Demarkacionin me Malin e Zi, në pritje për të fituar edhe Serbia, në devijimin e vijës kufitare tradicionale, në njì demarkim ndryshe dhe humbës për Kosovën, siç po ndodhë me Malin e Zi.

Me skenar të Serbisë filloi vandalizmi e krimi i "luftëtarëve të UÇK-së", në mars-prillin 2004, dhe mbaroi për të ardhur ke Decentralizimi, përkatësisht, "Zajednica". Këtë e dëshmoi edhe me skenarin-lojë, në Colmar të Francës, me "burgun-hotel" të Haradinaj e deri në zgjedhjen e tij kryeministër, votimin e qeverisë, si dhe kryeparlamentarin Veseli me "Lista Serpska!"

Rrjedhimisht, krimi i mars-prillit 2004, që solli viktima më shumë shqiptarë, se sa serbë, dëme të konsiderueshme materiale dhe, mbi të gjitha, pasoja fatale politike, duke e bërë Serbinë hisedarë në Kosovë, pra, bashkësundues me Serbinë të Republikës të Kosovës. Pra, revanshi sfidues i "veteranëve", është pasojë e krimit të pandëshkuar.

Ankthi nga Specialja - fajësia e faktuar

Kur Hashim Thaçi e Kadri Veseli agjitonin ke deputetët, për ta votuar Gjykatën Speciale, nga frika se nëse do të dështonte në Parlamentin e Kosovës, atë do ta krijonte OKB-ja. Dhe, në këtë gjykim do të ishin edhe gjykatës nga e majta e botës, e cila, ndryshe nga Gjykata e Hagës, që dënoi simbolikisht apo edhe i liroi kriminelët potencialë, nuk vuan nga mëshira për kriminelët.

Pishmanllëku i Hashim Thaçit, mund të shpjegohet për dy arsye:

1) Humbja e shpresës për paprekshmërinë e tij;

2) "Këshilla" e miqve të tij jashtë Kosovës, përfshi edhe Serbinë, për ta dëmtuar Kosovën pakthyeshëm.

Ndërkohë, Ramush Haradinaj ka qenë dhe mbetët i gatshëm, për të ngulmuar në shfuqizimin e Gjykatës speciale, sepse përgjakja e Rrafshit të Dukagjinit, nga bandat, gjatë dhe pas luftës, është, dukshëm, më shumë dhe këtë e dëshmojnë varret dhe shtatoret numerike.

Treshja e pikëtuar si kryekriminelë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, qëllimshëm, e vunë në krye të komisionit për "Deshminë e veteranit" gjeneral Agim Çekun, një karrierist neveritës. Ata e udhëzuan Çekun me "komandantët" zonalë, të lëshojnë sa më shumë "dëshmi veterani", për ta bërë një armatë të tërë "veteranësh" fiktivë, të rrejshëm, të cilët do të bëhen pjesë e sfidimit, shantazhimit, kërcënimit fizik të shtetit, të shtetasve,  të popullit të Kosovës. Dhe, shitja masive e "dëshmive të veteranit", mori përmasa epidemike! Nga 5.500 ushtarë efektivë, duke shtuar edhe ndoca episodikë, me shërbime gatishmërie, por, jo edhe aksione luftarake, që dyfishon shifrën e cituar, arriti në 67.000 kërkesa, duke aprovuar një shifër tjetër, jashtë çdo realiteti e logjike!

Takimi i Kadri Veselit me kryeveteranët, deklarimi e premtimi i tij se "të gjitha kërkesat e juaja janë të drejta dhe do të plotësohen", rriti numrin marramendës të këtyre "dëshmive". Të trimëruar nga Kadri SHIK-u, krerët e veteranëve, një ditë pushtuan edhe sallën e Parlamentit, ofenduan dhe provokuan deputetët, pacipërisht dhe poshtërsisht. Kjo u bë qëllimshëm, nga shefi i SHIK-ut, për t`iu treguar deputetëve të popullit, se kjo është armata e SHIK-ut. Që këtej, shitja e "dëshmisë së veteranit" u legalizua. "Komandantët" kriminelë zonalë, me lejen e pushtetarëve shtetërorë e partiakë, përfituan dyfish: para dhe vota, meqë kjo ndodhi para dy palë zgjedhjeve: qendrore dhe lokale.

Një gabim fatal bëri edhe ish-kryeministri Isa Mustafa, i cili u trembë nga banda e "veteranëve", se mos po humbiste postin dhe aprovoi listën e shumëfishtë të falsifikuar dhe filloi lëvrimin, shpërndarjen e parave, pa bërë asnjë verifikim serioz! Kjo nuk duhej të ndodhte, madje, për asnjë çmim. Lë të kallet Kosova, ta mësojë edhe populli mjeran i Kosovës, se çfarë banditësh ka votuar e ngritur në kupolë të shtetit, legjislativit, qeverisë!!!

Dyfytyrësia e "komandantëve" komisionerë u pa në hezitimin e lëshimit të "dëshmisë të veteranit", për ushtarakët e FARK-ut! Kjo turpëron dhe inkriminon komisionin e "UÇK-së" të SHIK-ut. Sepse, ushtarët e FARK-ut kanë datë pranimi në komandën e brigadës, me emër e mbiemër, me numrin rendor, me numrin e armës dhe marrjen në dorëzim të pajisjeve tjera ushtarake. Këta ushtarakë kanë edhe datën e dorëzimit të materialeve ushtarake, me rastin e largimit, pas përfundimit të luftës. Brigadat e UÇK-së të FARK-ut, kanë pasur ushtarë dhe oficerë të dëshmuar në beteja dhe luftë ballore, siç janë Beteja e Loxhës, lufta e Kosharës, përballja në Pashtrik dhe zona tjera, tejpërtej Kosovës.

Ndërkohë që, "UÇK-ja" e SHIK-ut ka pasur vetëm emërtesë të Brigadave, por, jo edhe ushtarë dhe as beteja, me formacione ushtarake dhe komandë të mirëfilltë. Këtë të vërtetë, tashmë, e kanë pranuar edhe vetë themeluesit e UÇK-së, e cila, fillimisht, ishte krijuar për të luftuar armikun. Por, Kryesia e re e LPK-së, e cila e uzurpoi LPK-në dhe UÇK-në e saj me puç, me ndërhyrjen e Tiranës zyrtare dhe të Serbisë me aleatë, ndryshoi rrjedhën, duke vendosur të mos përballet me pushtuesin, por, ta luftojë FARK-un, Ibrahim Rugovën dhe LDK-në e Tij.

Anëtarët e Kryesisë së vjetër të LPK-së auzojnë për këtë : Hashim Thaçin, Xhavit Halitin, Azem Sylën, Kadri Veselin dhe bandën e tyre. Përveç emrave të përmendur, të themeluesëve fillestarë të UÇK-së: Ibrahim Kelmendi, Bislim Zogaj, magjistër Muhamet Kelmendi, edhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Dr. Jakup Krasniqi akuzon se këta banditër e sabotatorë të luftës, "nuk lejuan unifikimin, bashkimin e faktorit ushtarak shqiptar; përjashtuan gjysmën e popullsisë nga lufta; injoruan dhe refuzuan thirrjen e përsëritur të Ibrahim Rugovës, për koordinim dhe luftë të përbashkët kundër pushtuesit serbo-sllavë!"

"Alternativa" e Hashimit - një fenë në ujë

Koalicioni i bandës - PAN -, nuk është i rastësishëm. Ai është projektuar më herët. Dhe, këtë grupim kriminal e ka kushtëzuar, pikërisht, Gjykata Speciale. Përshpejtimi i veprimeve, për ta shfuqizuar këtë Gjykatë, ishin tipike komuniste dhe mafioze. Në prag të ndërrimit të motmotve, kur, si gjithë populli, edhe deputetët janë hallakamë dhe mund të manipulohen më lehtë.

Vet nismëtari i mbledhjes të nënshkrimeve të deputetëve, Nait Hasani, bart dyshimin e bazuar, të vënies në pritën e policisë serbe të gueriles aktive: Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, të cilët u ekzekutuan në Pestovë të Vushtrrisë, si dhe dëmtimin zinxhir të të gjithë gueriles së Kosovës. Arrestimi dhe lirimi i denoncuesit të gueriles në fjalë, tani Heronj të Kosovës, Nait Hasani, zgjon dyshimin shtesë: Serbia mirëpret shfuqizimin e Gjykatës Speciale: për ta vetmuar Kosovën; për t`ia zvetënuar, madje, deri në shuarje, miqësinë me Qendrat e Vendosjes Politike; për ta rrezikuar, deri në dështim, shtetin e brishtë dhe të hiçtë të Kosovës, aktualisht, i mbetur në mëshirën e krerëve të krimit, ka vendosur t`i aktivizojë argatët e saj.

"Alternativa" e Hashimit nuk është as pordhë, por, një fenë në ujë. Kërkesën e Ramush Haradinaj, për ta zhvendosur Gjykatën Speciale brenda Kosovës, Hashimi e kamuflon, e mjegullon me "alternativën" e tij. Pra, nuk thotë shfuqizimin e saj, por, miraton propozimin e Ramushit, për transferin e kësaj Gjykate në Kosovë. Hashimi "harron", me dashje, arsyetimin e tij, pse u krijua Gjykata Speciale: "Dështimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë, pamundësia e dënimit të kriminelëve të vrasjeve politike e, deri ke shantazhimi, kërcënimi e vrasja e dëshmitarëve". 

Këtë të fundit ia faturon Ramushit, sepse dëshmitarët viktima, deri në ekzekutim, janë më të shumtët nga Dukagjini, si bastian i bandave të AAK-së. Në mes tyre edhe oficerët e Hetuesisë Speciale në Pejë: Sabahate Tolaj, Isuf Haklaj dhe plagosja e kolegut të tyre, Hysen Lataj. Prandaj, Ramushi provokon rëndë popullin e Kosovës, me propozimin e tij  hileqar, të turpshëm e kriminal. Dhe, populli, me të drejtë, reagon: "A thua "komandantët" kriminelë ende nuk janë ngopur me gjakun e derdhur të shqiptarëve të pafajshëm dhe duan ta fillojnë, sërishmi, gjuetinë e dëshmitarëve të mundshëm?!" Lexoni shkrimet e gazetares hulumtuese, Kimete Berisha, se çfarë mendon e thotë populli i Kosovës, për ju, "komandantë" të territ, të pusirave vrastare, të hajnisë zyrtare dhe të gjithë katalogut të poshtërsive.

Mos harroni ju, pushtetarë aksidentalë dhe mjeranë, se dëshmi të krimeve tuaja, janë varret numerike, të hapura përmes Organizatës kriminale e terroriste SHIK. Dhe, në këto varre, që hasën kudo në Kosovë, janë burrat dhe djemtë luftarakë të Kosovës, të cilët "nuk i kanë vrarë jashtëtokësorët", por, "komandantët", me bandat e tyre, - siç do të thoshte presidenti Fatmir Sejdiu, të cilin, që asaj dite të kësaj akuze bazike, pikërisht, ju nismuat procesin e shkarkimit të tij.

"Rrafsh Kosova, vetëm ne të shpëtojmë nga akuza e krimeve të luftës dhe të pas luftës!" Kjo është logjika e shkërdhyer e pushtetarëve aktualë kriminelë. Këtë e thonë në surdinë Presidenti, Kryeparlamentari, Kryeministri, me bandat e tyre. Por, veprojnë zëshëm e thekshëm, për të rrënuar gjithçka që është arritur deri me tani, me përkrahjen biblike, nga miqtë e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, duke i bërë edhe miq të popullit të Kosovës, deri në sakrificën unike, bombardimin tmerrues të Serbisë fashiste dhe të aleatëve të saj, deri edhe ambasadën kineze, në Beograd. 

Për ju, "komandantë" "jallanë", të rrejshëm, "toka e babës shitet lirë", sepse, përgjatë luftës demonstronit sallave luksoze të botës dhe mrizonit nën pishnajat e Bllokut të zi të Tiranës hyjnore. Vërtet, ju ishit "larg betejave të luftës", siç e pranon edhe presidenti, fort i inkriminuar, Hashim Thaçi. Arma juaj e luftës, ishte propaganda lehaqene, e mësuar nga idhulli juaj, krimineli i shekullit, vegla e urryer e sllavizmit, Enver Hoxha.

Shfuqizimi i mundshëm i Gjykatës Speciale, do të ishte gjemë për Kosovën. Këtë, tashmë, e kanë paralajmëruar miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët, ata e kanë çliruar Kosovën dhe jo UÇK-ja, siç doni ta falsifikoni historinë më të re të Kosovës tonë, ashtu siç bënë sivëllezërit tuaj ideologjikë, Enveri me bandën e tij partizane, i cili, luftën civile, ndërqytetore në Shqipëri, e konvertoi, rrejshëm,  në "luftë çlirimtare!" Për ironi, nisma e luftës civile në Shqipëri, iu besua gjeneralit topall jugosllav, kolonit të Kosovës, Dushan Mugoshës!

Konkluzioni që rezulton, nga ngulmimi juaj, për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, tashmë, është i qartë: frika, ankthi tmerrues, për t`u përballur me drejtësinë ndërkombëtare, që nënkupton fajësinë tuaj, tashmë, të faktuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat