Haradinaj sot do të duhej të ishte në Amerikë

Politika

Haradinaj sot do të duhej të ishte në Amerikë

Më: 7 janar 2018 Në ora: 21:00
Ramush Haradinaj

Të dielën e 7 janarit, kryeministri do të duhej të udhëtonte në SHBA. Por kjo nuk ka ndodhur. Shkaku: nuk ka vizë. Si kryeministër, ai do të duhej ta merrte përgjigjen brenda një dite pune, pasi ta ketë dorëzuar aplikacionin. Por si duket kryeministrit i kanë dalë probleme me pasaportën e tij diplomatike

Kryeministri Ramush Haradinaj përmbylli ditën e shtunë dhe nisi të dielën duke shkruar një status në Facebook, duke lajmëruar diçka që askush nuk e ka pritur: mungesën e një vize, që është problemi i të gjithë qytetarëve por jo  edhe për përfaqësuesit e shtetit.

” Jam ende në procedurë për vizë… Pres edhe për vizë deri kur të ma japin”, shkroi kryeministri në Facebook, duke shtuar dyshimet se viza e udhëtimit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i është refuzuar.Përderisa kryeministri nuk tregoi as për kohën kur ka aplikuar, as për arsyen e udhëtimit e as për çfarë “procedurash” bëhet fjalë, këshilltari i tij politik, Avni Arifi  tha se Haradinaj kishte planifikuar të udhëtonte drejt SHBA-së me 7 janar. Arifi tha se kryeministri do të takohej me zyrtarë në shtetin e Iowa-s, me të cilin Kosova ka lidhur marrëveshje të shumta.

“Qeveria e Kosovës nuk është në dijeni nëse i është refuzuar viza kryeministrit Ramush Haradinaj. Është në procedurë dhe nuk kemi akoma përgjigje. Asnjë zyrtari të qeverisë nuk i është refuzuar viza amerikane, e aq më pak kryeministrit”, ka thënë Arifi për KTV-në.

Por kur kishte aplikuar kryeministri për vizë? Sipas Arifit, Haradinaj ka aplikuar për vizë në fund të dhjetorit, të vitit të kaluar.

Të dhënat zyrtare në sajtin e Ambasadës Amerikane në Kosovë, tregojnë se ekzistojnë lloje të ndryshme të vizave. Një nga to janë edhe vizat diplomatike dhe të zyrtarëve qeveritar.Për këtë lloj vize, Ambasada kthen përgjigje brenda një dite.

“Nëse aplikanti është i kualifikuar, Ambasada përpunon vizën brenda një dite pune, pasi aplikacioni të jetë dorëzuar”, thuhet në sajtin e Ambasadës për vizat diplomatike dhe të zyrtarëve qeveritar, raporton Insajderi.

Bazuar në deklaratën e Arifit, Haradinaj do të duhej të merrte përgjigje më së largu një ditë pasi ka dorëzuar aplikacionin për viza, por kjo nuk ka ndodhur. Kësisoj Haradinaj, ka humbur vizitën e tij të planifikuar të niste të dielën, me 7 janar.

Në rast se aplikuesi nuk i përmbushë kushtet për këtë lloj vize, Ambasada i kthen aplikacionin.

“Në disa raste mund të kërkohet edhe një përpunim administrativ” thuhet në sajtin e Ambasadës Amerikane.

Pas kësaj, aplikuesi sipas të dhënave zyrtare, duhet të aplikojë për vizë të rregullt që nuk hynë në kuadër të pasaportës diplomatike.

Në listën e dokumenteve të kërkuara, në rastin e Haradinajt, për të marrë vizë përfshihet edhe një aplikacion për përfshirjen e tij në grupe militare ose paramilitare ushtarake.

“Nëse ndonjëherë keni qenë anëtarë i ndonjë grupi militar ose paramilitar (përfshirë edhe UÇK-në) ju duhet që të deklaroni një formë të re të aplikacionit”, thuhet në sajtin e Ambasadës Amerikane.

Haradinaj në këtë rast do të duhej të paraqiste edhe një notë diplomatike në të cilën duhet të tregonte arsyen e udhëtimit dhe takimet zyrtare duke i shpjeguar në detaje dhe kohën e qëndrimit në Amerikë.

Zyra e Kryeministrit nuk e ka bërë të ditur asnjë detaj nga vizita e planifikuar e Ramush Haradinajt në shtetin e Iowa dhe as agjendën e vet shtetit amerikan, nuk është paraparë asnjë takim me kryeministrin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat