PANA shfrytëzoi Demarkacionin për pushtet

Politika

PANA shfrytëzoi Demarkacionin për pushtet

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 8 janar 2018 Në ora: 08:03
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj

Koalicioni qeverisës PDK-AAK-NISMA-Lista Serbe, nuk ka koordinim sa i përket çështjes së demarkacionit. Kjo pasi zyrtarë të këtij koalicioni, kanë dhënë deklarata të ndryshme lidhur me afatin se kur do të miratohet Demarkacioni dhe kur do të ndodhë liberalizimi i vizave.

Lideri i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj, është shprehur i bindur se Demarkacioni, çështje e cila e bllokoi për më tepër se dy vite qeverinë e kaluar, do të përmbyllet brenda këtij muaji, pas procedimit të saj në Kuvend.

Por, nga ana tjetër, ish-ministri i jashtëm dhe zyrtari i PDK-së Enver Hoxhaj, ka deklaruar se nëse demarkacioni nuk ratifikohet në janar, Kosova rrezikon liberalizimin edhe për vitin 2019.

“Presim që në janar të krijohet në situatë e re dhe ta zgjidhim këtë çështje. Nëse kjo nuk ndodhë, atëherë kam frikë se do ta humbim shansin edhe për vitin 2018, edhe për vitin 2019. Prandaj, është momenti i duhur që liderët e partive politike, jo vetëm për demarkacionin por edhe për tema të tjera nacionale të gjejnë një konsensus”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërkohë, edhe sipas analistëve politikë, koalicioni qeverisës nuk ka koordinim për Demarkacionin e procese tjera të rëndësishsme për vendin.

Kelmendi: Koalicioni qeverisës i ndarë në dy grupe      

 

Image
Muhamet Kelmendi

Moskoordinimin mes koalicionit, e ka pranuar edhe juristi dhe anëtari i AAK-së Muhamet Kelmendi. Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Kelmendi ka konfirmuar se koalicioni PANA-Lista serbe, është i ndarë në dy grupe, atë rreth Hashim Thaçit dhe atë grupi rreth Ramush Haradinajt.

“Në kuadër të vet koalicionit, ka thyerje dhe mendime për dhe kundër. Këtë e theksuat edhe ju. Në njërën anë, grupimi rreth Hashim Thaçit, që është kundër dhe në anën tjetër, është grupimi rreth Ramush Haradinaj, që është për vijën kufitare në Qakorr dhe në Kullë”, ka pohuar Kelmendi.

Ai ka thënë se beson që marrëveshja mund të aprovohet, por edhe të refuzohet në seancën e Kuvendit të Kosovës.

“Besoj se Komisioni do të bart marrëveshjen me të gjeturat e Komisionit të Bulliqit në seancë të Kuvendit. Paraprakisht do të diskutohet kjo në Kryesi. Në seancë parlamentare, ka mundësi të aprovimit të marrëveshjes, veç dy vijavë në Çakorr dhe në Kullë, ku kërkohet të negociohet. Natyrisht se mund të aprovohet në tërësi marrëveshja, sikundër edhe të refuzohet. Një epilog duhet dhënë”, është shprehur Muhamet Kelmendi.

PANA shfrytëzoi Demarkacionin për pushtet

E mospajtimet mes koalicionit qeverisës, sipas ish-zëdhënësit të Qeverisë “Mustafa”, Faton Abdullahu, nuk mund të fshihen.

Image
Faton Abdullahu

Mirëpo, ai ka thënë se qasja kontraverse, nuk e pengon PANA-Lista serben që të jenë në pushtet.

“Nuk ka koordinim të koalicionit qeverisës për çështjen e demarkacionit, në të vërtetë ka mospajtime kruciale dhe ato s'mund të kamuflohen, as fshihen. Por, duket se kjo nuk e pengon këtë koalicion të vazhdoj kështu ndaras, përderisa ky mospajtim, kjo qasje kontraverse, nuk e rrezikon të qenurit në pushtet, gjendje kjo e cila është dëshmuar se ka qenë forcë kryesore tërheqëse dhe parim bazë, e cila ka orientuar dhe ndërtuar këtë koalicion”, ka thënë Abdullahu.

Sipas tij, koalicioni do të duhej të koordinohej dhe të kishte qëndrim unik për Demarkacionin, para formimit të tij, duke theksuar se Demarkacioni është shfrytëzuar për ardhje në pushtet.

 “Ky koalicion para se të krijohej, është dashur me patjetër të koordinohet dhe të ketë qëndrim unik mbi demarkacionin, por qëllimisht as që e ka diskutuar këtë, me qasjen - së pari të vijmë në pushtet e pastaj shohim e bëjmë. Sikur të mendonin për vizat e qytetarëve do të vepronin ndryshe, por kanë menduar vetëm si ta marrin "vizën" për pushtet, prandaj vazhdojnë me mospajtimin. Demarkacioni është shfrytëzuar që ky koalicion të vije në pushtet dhe ky demarkacion do të prolongohet deri sa kjo të jetë e mundshme, me të vetmin qëllim, që ai të mos zbres nga pushteti””, është shprehur Abdullahu.

Ai ka shtuar se për Qeverinë, nuk është i rëndësishëm as liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

“Për këtë Qeveri e rëndësishmja është mbetja në pushtet e mbetja e qytetarëve pa viza ka qenë dhe mbetet e parëndësishme. Kjo nuk është e tëra. Ky koalicion, konkretisht partnerët përbrenda tij, janë plotësisht të pasinqert, bile shumë djallëzor kundruall njëri tjetrit. Ata janë duke pritur cuc që t'i vërsulen njëri-tjetrit në momentet kyqe për t'ia lënë 'fajin' partnerit tjetër për çështjen e demarkacionit, por edhe për çështje tjera. Do ta ndërmarrin këtë sulm në momentin kur nuk mund ta prolongojnë këtë proces më gjatë, që të mundohen varësisht nga rasti, të përfitojnë nga kjo çështje, apo së paku të mos humbin. Deri atëherë qytetarët do të dëgjojnë deklarata konfuze për vizat dhe gënjeshtra mbi datat se kur do të lirohemi nga ato”, ka thënë Abdullahu për gazetën “Bota sot”.

Mehmeti: Koalicionin do ta rrëzojë arrestimi i parë nga Specialja

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, njohësi i rrethanave politike Faton Mehmeti, ka pohuar se janë të dukshme raportet e ftohta mes PDK-së dhe Nismës për Kosovën. Por, sipas tij, nuk ka shanse që liberalizimi i vizave, të ndodhë brenda janarit, edhe nëse miratohet marrëveshja e Demarkacionit.

“Në këtë koalicion, nuk ka si të ketë koordinim, përderisa shumica e tyre nuk flasin as mes vete. Respektivisht, raportet e ftohta mes PDK-së dhe Nismës janë evidente, derisa kjo vërehet edhe në deklarata antagoniste mes njëra-tjetrës. Nuk ka shanse që vizat të hiqen në janar. Siç duket, Fatmiri po sheh ëndrra me sy çelë, kjo nuk ka shanse as teorike e as praktike, të ndodhë, edhe nëse kalon Demarkacioni”, ka thënë Mehmeti.

Ai ka theksuar për “Bota sot”, se koalicioni qeverisës do të kujdeset vetëm për luksin brenda vetes, derisa parasheh që ai të rrëzohet me arrestimet e para nga Gjykata Speciale.

“Besoj se deklaratat e Limajt dhe Enver Hoxhajt, nuk çojnë peshë për qytetarët në sensin që nuk i besojnë asnjërit. Këto deklarata kundërthënëse vetëm sa i pasqyrojnë edhe më shumë ndasitë e thella mes PDK-së dhe Nismës. Unë dyshoj se ky koalicion qeverisës, do të jetë në gjendje për t’i hequr vizat, pasi më tepër po kujdeset për luksin brenda vetes se sa për qytetarët. Ky koalicion do të bie me arrestimin e parë nga Gjykata Speciale”, ka shtuar për “Bota sot”, Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat