Demarkacioni, “heshtet” Qeveria!

Politika

Demarkacioni, “heshtet” Qeveria!

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 8 janar 2018 Në ora: 13:41
Kosovë

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka deklaruar kohët e fundit disa herë që demarkacioni do të kryhet në muajin janar, qysh në fillim të 2018-tës. Por me një deklaratë të njëjtë nuk po dalin edhe zyrtarët e tjerë të qeverisë. Me gjasë se kjo çështje do të shtyhet edhe më tutje, pasi që Kuvendi ende nuk ka përcaktuar se kur do ta thërras seancën për demarkacionin.

“Çështja e demarkacionit do të zgjidhet lehtë, pres që të shumë shpejt jo vetëm demarkacioni, por edhe çështje të tjera nacionale duhet t’i jepet zgjidhje”, ka thënë Limaj.

Marrëveshja e demarkacionit, nga Qeveria ka kaluar në “duart” e deputetëve, prej të cilëve pritet që t’i përcaktojnë fatin e tij. Deri më tani ka pasur deklarime të ndryshime nëse do të kalojë apo jo, por së fundit janë shtuar zërat se kjo çështje nuk mund të kaloj.

Kështu, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi ka deklaruar se nuk pret që të votohet nga kuvendarët versioni aktual i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Image
Ahmet Isufi

“Ata që e kanë vendos edhe mund ta heqin. Shumë herë në politikë dhe diplomaci ndryshojnë agjendat, prandaj ka mundësi të hiqet ky kriter ose në të kundërtën ne jemi të interesuar që të bëhet demarkimi sa më shpejtë me Malin e Zi, mirëpo duke u korrigjuar gabimi që është bërë nga Komisioni paraprak”, ka thënë nënkryetari i AAK-së, i cili është i bindur se kjo marrëveshje nuk do të kalojë si e tillë, pasi nuk i ka votat e kuvendarëve.

Të kontaktuar nga “Bota sot”, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë se si do t’ia dalin ta përmbyllin çështjen e demarkacionit, ashtu siç ka deklaruar edhe zëvendëskryeministri Limaj.

Me 15 janar vendoset për demarkacionin

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa, njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi thotë se çështje e demarkacionit tashmë varet nga Kuvendi i Kosovës.

Ai ka deklaruar se gjithçka do të vendoset më 15 janar në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme, më pas kryesia do të thërras seancën parlamentare dhe do të vendoset përfundimisht.

“Kjo do të varet nga Kuvendi. Si mundet dihet, më 15 janar, ka takim Komisioni për punë të jashtme. Aty do të analizohet kjo çështje. Pas kësaj mbetet që Kryesia të thirrë seancë parlamentare dhe të vendoset përfundimisht. Shpresoj se kjo do të kryhet shpejtë”, ka deklaruar juristi Kelmendi për “Bota sot”.

Demarkacion të zgjidhet sa më parë, te hiqet nga rendi i ditës

Image
Skënder Zogaj

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, duke u bazuar në deklarimet e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, thotë se deklarimet e tij janë lajm i mirë, dhe duke parë vullnetin e tij për demarkacionin, thotë se shpreson që të përfundoj shumë shpejtë.

“Deklarata e zv.kryeministrit Fatmir Limaj, se demarkacioni do të gjej zgjidhjen e duhur gjatë këtij muaji, është lajm i mirë, sepse çështja e demarkacionit po ia zë frymën lirisë dhe pavarësisë së Kosovës! Unë personalisht kam konsideratë ndaj qëndrimeve politike të Fatmir Limaj, i cili është mjaft konsistent në deklarime dhe prej atyre që shquhet si natyrë e hapur dhe i gatshëm për kompromise të dobishme për vendin dhe popullin! Prandaj, e përshëndes vullnetin e mirë të Limajt për demarkacionin duke  shpresuar që kjo çështje të hiqet nga rendi i ditës”, ka theksuar analisti Zogaj.

Kujtojmë, se qeveria e Kosovës e ka miratuar versionin e njëjtë të demarkacionit për në kuvend, i nënshkruar nga ish ministri i jashtëm, tash president i vendit, Hashim Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat