Refuzimi i vizës, mesazh i qartë për Haradinajn

Politika

Refuzimi i vizës, mesazh i qartë për Haradinajn

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 9 janar 2018 Në ora: 09:11
Ramush Haradinaj

Të shtunën në orët e mbrëmjes, mediat raportuan se Kryeministrit Ramush Haradinajt dhe bashkëshortes së tij, i është refuzuar viza amerikane.

Haradinaj dhe bashkëshortja e tij, në fillim të muajit pritej të udhëtonin për në SHBA.

Kryeministri dhe bashkëshortja e tij do të merrnin pjesë në “Lutjet e mëngjesit”, që çdo 4 shkurt mbahet në Uashington, megjithatë viza i është refuzuar.

Këto raportime kanë bërë që të reagojë edhe vetë Kryeministri, mirëpo duke thënë se ende është në procedurë për vizë dhe është në pritje.

Ambasada nuk i ktheu përgjigje Haradinajt

Mirëpo, të dhënat zyrtare në sajtin e Ambasadës Amerikane në Kosovë, tregojnë se ekzistojnë lloje të ndryshme të vizave. Një nga to janë edhe vizat diplomatike dhe të zyrtarëve qeveritarë.

Për këtë lloj vize, Ambasada kthen përgjigje brenda një dite.

“Nëse aplikanti është i kualifikuar, Ambasada përpunon vizën brenda një dite pune, pasi aplikacioni të jetë dorëzuar”, thuhet në sajtin e Ambasadës për vizat diplomatike dhe të zyrtarëve qeveritarë.

Përkundër, kësaj partia e Kryeministrit vazhdon të qëndrojë prapa duke thënë se nuk ka refuzim të vizës.

Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, janë “tensionuar” sidomos pas kundërshtimeve për ratifikimin e demarkacionit dhe pas tentativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Sipas raportimeve në media, këto çështje kanë ndikuar që departamenti amerikan t’i “hakmerret” kryeministrit Haradinaj.

Zëvendësministri i Jashtëm dhe anëtari i Kryesisë së AAK-së, Anton Berisha, ka thënë për “Bota sot” se politika e tyre nuk është pa Amerikën.

Image
Anton Berisha

“Për momentin nuk kemi refuzim vize kështu që jemi në fazën e entuziazmit. Sa i përket politikës pa Amerikën, nuk besoj që jemi në atë pikë sa i përket kryeministrit. Në fakt, qëndrimi ynë është se ne nuk kemi politikë (as të brendshme, as të jashtme) pa Amerikën. Ka çështje që janë të diskutueshme në të cilat ne kemi dhënë mendimin tonë, sa i përket Asocasionit, Demarkacionit dhe Gjykatës Speciale. Ato janë të natyrës politike dhe shtetërore që kanë të bëjnë me Kosovën, por edhe me çështjen shqiptare në rajon në kuptimin historik, politik dhe aktual. Nuk besoj, e përsëris, që kryeministri del jashtë kornizave të vëna nga vetë ai dhe ne të tjerët brenda qëndrimit politikë, e që e përsëris  është e paimagjinueshme pa dakordim përfundimtar me SHBA. Natyrisht se situatat janë të ndërlikuara dhe përthjeshtimi i tyre nganjëherë edhe mund të lexohet ndryshe me apo pa qëllim”, ka pohuar Berisha.

Interesat personale të liderëve dëmtojnë raportet me miqtë ndërkombëtarë

Ndërkaq, partitë opozitare dhe analistët politikë pas lajmit për refuzimin e vizës së Kryeministrit kanë kërkuar dorëheqjen e tij, duke thënë se Kosova nuk meriton një qeveri të tillë.

Deputeti Xhelal Sveçla ka theksuar edhe një herë qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje për Gjykatën Speciale. Sipas tij, përderisa liderët bazohen në interesa individuale e në mungesë të qasjes shtetërore, dëmtimi i raporteve me partnerët ndërkombëtarë është i pashmangshëm.

Image
Xhelal Sveçla

“Sa i përket raporteve me partnerët ndërkombëtarë, kur beson në drejtësi, me sinqeritet rendit argumentet për çështjet çlirimit e shtetit e çështjet e mirë argumentuara mund të diskutohen shtruar edhe me partnerët ndërkombëtarë. Por, përderisa këta bazohen kryekëput në interesa individuale e në mungesë të qasje shtetërore, dëmtimi i së ardhmes përmes mohimit të të kaluarës e dëmtimi i raporteve me partnerët ndërkombëtarë, që do të ndikojë në të ardhmen iniciativat e forcimit të shtetit janë logjikshëm të pashmangshme, pavarësisht rastit të vizës së kryeministrit”, ka theksuar Sveçla.

Ai, ka kritikuar qeverisjen aktuale duke thënë se populli nuk e meriton një qeverisje që përmes dëmtimit të raporteve me partnerët strategjikë qëndron në pushtet.

“Nuk ka shoqëri e aq më pak një popull si i yni, i shtypur shumë e shumë gjatë e që ka organizuar luftë çlirimtare, që meriton një qeverisje të tillë. Një qeverisje që dëmton të shkuarën e të ardhmen, edhe përmes dëmtimit të raporteve me partnerët strategjikë, vetëm e vetëm për të qëndruar në pushtet për të siguruar pasurim e të mira individuale, është e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një vendi”, është shprehur ai.

Mbi këtë bazë e duke besuar se ka shpresë kur ka organizim mirëfilli politik, sipas Sveçlës ka nisur dhe vazhdon organizimin Lëvizja Vetëvendosje!

“Më duhet të them që mungesa e një qasje shtetërore nga vet institucionet në temat e rëndësisë thelbësore ka bërë që shumë shpesh të akuzohemi që po dëmtojmë raportet me partnerët ndërkombëtarë por kjo ka ardhur në rrethanat kur këta kanë pranuar çka nuk pranohet e kanë bërë çka nuk bëhet vetëm për të mbajtur pozitat e tyre. Pasi që të dy këto qasje ndaj shtetit dhe në raport me partnerët ndërkombëtarë, edhe qasja e këtij pushteti edhe qasja që ne kemi prezantuar, kanë rezultatet e veta, erdhi edhe ngritja e vazhdueshme e përkrahjes ndaj Lëvizjes Vetëvendosje! Me gjithë insistimin e tyre e mos zgjedhjen e mjeteve për të qëndruar në pushtet, viti 2017 ka dëshmuar që ndryshimi po ndodh e besimi që ky popull ka në drejtësi, demokraci e vetëvendosje po ngadhënjen”, ka përfunduar ai.

Gecaj: Kryeministri nuk meriton të qëndrojë në pozitën që e ka

Ndërsa,  Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se do të presin nëse është e vërtetë se i është refuzuar viza dhe nëse është kështu atëherë Kryeministri nuk meriton të qëndrojë në pozitën që e ka.

Image
Bajram Gecaj

Anëtari  i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, ka thënë për “Bota sot” se Kosova nuk e meriton qeverisjen aktuale për shumë arsye.

“Kosova definitivisht nuk meriton një qeveri çfarë e ka sot, për shumë arsye, duke përfshirë edhe veprimet e fundit të treshes shtet-shkatërruese. Duhet të presim, e të shohim se a është e vërtetë që Kryeministrit iu ka refuzuar viza,  nëse po,  atëherë ai nuk meriton të qëndrojë në atë pozitë,  as edhe një minutë  të vetëm”, ka deklaruar Gecaj.

Sipas analistit politik, Enver Bytyçi, përkundër që ende nuk ka deklarim zyrtar për vizën e Kryeministrit, këtu ka një lajm që Departamenti i Shtetit nuk dëshiron në këtë moment të takohet me kreun e ekzekutivit të Kosovës.

Bytyçi ka thënë për “Bota sot”, se edhe pse Haradinaj mohon se i është refuzuar viza, kjo nuk e ndryshon situatën e krijuar në mes Prishtinës dhe Uashingtonit.

Image
Enver Bytyçi

“Ramush Haradinaj ka aplikuar për vizë, me qëllim që sot të udhëtonte për në SHBA. Por deri më sot kjo vizë nuk është dhënë nga ana e ambasadës amerikane në Prishtinë. Në të vërtetë nuk ka një deklarim zyrtar se viza për kryeministrin e Kosovës refuzohet, megjithëse ka një lajm, sipas të cilit Departamenti i Shtetit nuk dëshiron në këtë moment të takohet me kreun e ekzekutivit të Kosovës. Haradinaj mohon se i është refuzuar viza. Megjithatë kjo nuk e ndryshon situatën e krijuar midis Prishtinës dhe Uashingtonit. Imagjinoni për një moment nëse tensionohen marrëdhëniet midis Beogradit dhe Moskës! Të gjithë do ta ndiqnim lajmin me gëzim, sepse Serbia po humbet një aleat strategjik dhe historik të saj. Kjo do të ishte mirë të ndodhte, sepse rajoni do t’i rikthehej paqes. Por çfarë ndjejnë në Beograd kur Prishtina zyrtare u thotë “JO” autoriteteve amerikane! Dhe kjo “JO” e madhe u përsërit së paku dy herë, në rastin e miratimit të vijës kufitare me Malin e Zi dhe në rastin e përpjekjeve jologjike për delegjetimimin e Dhomave Speciale të Gjykatës. Kjo do të thotë se në Serbi bëjnë festë për këtë lojë antiamerikane në Kosovë”, ka pohuar Bytyçi.

Një mesazh për Kryeministrin

Edhe analisti politik, Dimal Basha, e konsideron mesazh të SHBA-së mosdhënien e vizës.

“Duhet kuptuar se vizita në SHBA është privilegj dhe ky privilegj do t’ju mohohet të gjithë atyre që nuk janë serioz në përmbushjen e detyrave shtëpiake. Ky refuzim është praktikuar edhe më herët nga SHBA-të dhe është vetëm një mesazh i vogël për Kryeministrin, i cili së bashku me disa pushtetarë tjerë po mendojnë  se mund të ballafaqohen me superfuqinë e quajtur Amerikë”, ka deklaruar Basha për “Bota sot”.

Image
Dimal Basha

Ramush Haradinaj në SHBA, përveç pjesëmarrjes në Lutjet e Mëngjesit do të vizitonte edhe shtetin amerikan të Ioëa-s, me të cilin Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyeshme, sidomos në fushën e sigurisë.

Ftesat për Lutjet e Mëngjesit i bën Komiteti Pritës i Kongresit amerikan. Lutjet fillojnë në orën 7 e 30 të mëngjesit.

Çdo vit, presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe anëtarë të Kongresit iu bashkohen zyrtarëve të tjerë të qeverisë, udhëheqësve nga anë e mbanë Shtetet e Bashkuara, komunitetit diplomatik, dhe miqve si ju nga më shumë se 130 vende të botës për t’i ndarë përvojat në frymën e miqësisë nëpërmjet lutjes dhe falënderimit.

Vitin e kaluar, pikërisht në këtë kohë, bashkëshortja e Haradinajt, Anita, kishte bërë të ditur se kishin marrë vizat për SHBA, megjithatë kryeministrit aso kohe mbahej në Francë sipas një fletarresti të lëshuar nga Serbia.

Po ashtu, viteve të kaluara në këtë ceremoni kanë shkuar edhe deputetë dhe zyrtarë tjerë shtetërorë të Kosovës, duke mos iu refuzuar askujt viza.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat