Ish-këshilltar i Ibrahim Rugovës, Muhamet Hamiti, përmes një postimi në Facebook ka reaguar ndaj deklaratës se Hashim Thaçit, ku ky i fundit ka deklaruar sot se do të nënshkruante ligjin për zhbërjen e Gjykatës së Posaçme, sepse, po të mos e nënshkruante, do të bënte shkelje kushtetuese.
Sipas Hamitit, kjo nuk është e vërtetë. Me kushtetutë detyrë e tij është të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë kushtetutë.
“Pyetja shtrohet vetvetiu: A nuk e di, apo po bëhet se nuk e di, presidenti se ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës”, ka shkruar Hamiti.
Ja postimi i plotë:
Përkujtesë: kompetenca e Presidentit për të kthyer ligjet në rishqyrtim.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë disa herë kohët e fundit se do të nënshkruante patjetër ligjin (eventual) për zhbërjen e Gjykatës së Posaçme, sepse, po të mos e nënshkruante, siç thotë ai, do të bënte shkelje kushtetuese.
Kjo thjesht nuk është e vërtetë.
Me Kushtetutë detyrë e tij është të garantojë “funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë” - pika 2 e Nenit 84. Te pika 6 e këtij Neni thuhet shprehimisht:
“[Presidenti] ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj. Të drejtën e rikthimit të një ligji mund ta shfrytëzojë vetëm një herë”.
Kështu tha Presidenti Thaçi në një intervistë për “Zërin e Amerikës” sot:
“'Zëri i Amerikës': Ju keni thënë se jeni i gatshëm të nënshkruani nëse Parlamenti i Kosovës voton kundër Gjykatës së Posaçme?
Presidenti Thaçi: Unë do të bëja shkelje kushtetuese nëse nuk do ta nënshkruaja; e kam obligim kushtetues e ligjor dhe nuk mund të mohoj apo kthej vullnetin e deputetëve.”
Pyetja shtrohet vetvetiu: a nuk e di, apo po bëhet se nuk e di, Presidenti se ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës? Madje se këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar ndonjëherë pararendësit e tij.