Pas refuzimit të vizës nga SHBA, Haradinaj “dorëzohet” edhe për Demarkacionin!

Politika

Pas refuzimit të vizës nga SHBA, Haradinaj “dorëzohet” edhe për Demarkacionin!

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 11 janar 2018 Në ora: 08:47
Ramush Haradinaj

Miratimi i marrëveshjes për demarkacionin me versionin aktual të Murat Mehës, por me një nen të ri që le mundësinë për rinegociim të pikave të caktuara të kësaj marrëveshje apo të dërgohet në arbitrazh, po shihet si një tentim i kryeministrit Haradinaj për “shpëtuar vetën”.

Në muajin dhjetor, qeveria ka marrë vendim për të proceduar në kuvend për miratim dokumentin e marrëveshjes së demarkacionit.

Më pas zëvendëskryeministri Fatmir Limaj gjatë të njëtit muaj pati deklaruar se në janar do të dërgohet një version i ri i demarkacionit që do të jetë i pranueshëm edhe për deputetët që e kundërshtojnë këtë marrëveshje.

Po ashtu, ai pati thënë se ky version do t’i mbroj edhe interesat e Malit të Zi dhe të Kosovës, pa treguar konkretisht përmbajtjen e këtij dokumenti.

Nen i ri në versionin aktual?

Kurse, tashmë po flitet se ekzekutivi ka futur në dokumentin e marrëveshjes për kufirit një nen që jep mundësinë për të rinegociuar me Malin e Zi, pika të caktuar kësaj marrëveshjen ose që ajo të dërgohet në arbitrazh.

Deputetët të pushtetit dhe të opozitës thonë se ata ende nuk kanë pranuar në mënyrë zyrtare dokumentin e demarkacionit me këtë nen të ri.

Por, kjo po shihet edhe si një tentativë e Haradinajt për të pastruar veten sa i përket demarkacionit për të cilën ai thoshte se duhet të hedhet poshtë me çdo kusht.

Image
Time Kadriaj

Time Kadriaj, Deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se ende nuk kanë marrë versionin me nenin që po përflitet. Mirëpo, sipas saj, ata vazhdojnë të jenë kundër versionit aktual.

 “Nuk te them asgjë sepse ende ne nuk kemi marrë asgjë nga versioni i demarkacionit me këtë nen. Ne nuk kemi ndryshuar qëndrim. Ne jemi kundër këtij versioni aktual po një variant i ri për të përmirësuar gabimet që ne mendojmë se janë bërë, për neve është e pranueshme”, ka theksuar ajo.

AAK dhe LVV analizojnë raportin e Bulliqit

Deputetja Kadriaj, ka theksuar se deputetët do të vendosin nëse do të votojnë apo jo, në bazë të raportit të Kryetarit të Komisionit Shtetërorë, Shpejtim Bulliqi.

“Derisa nuk vjen asgjë në kuvend të Kosovës. është marrëveshja që e kemi nënshkruar. E kemi edhe raportin e Bulliqit që mbetet në dorën e deputetëve se a do ta votojnë apo do ta hedhin poshtë”, ka potencuar Kadriaj për gazetën “Bota sot”.

Image
Imajl Kurteshi

Edhe deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Imajl Kurteshi, ka shprehur mendimin se pas analizimit të raportit të ri, do të japin qëndrimin e tyre.

“Ne si deputet duhet të marrim këtë version të ri. Unë duhet të shoh dokumentacionin që e kemi pranuar më parë dhe në bazë të dokumentacionit të ri të shohim se çfarë neni apo paragrafi gjendet. Nuk mund të them aperirori, po ose jo. Ne do të analizojmë mirë pastaj japim mendime dhe qëndrimin tonë”, ka theksuar ai.

Gecaj: Haradinaj ka hyrë në baltën të cilin e ka krijuar vetë

Në anën tjetër, Bajram Gecaj, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e zi, nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e të dyja palëve.

Image
Bajram Gecaj

“Marrëveshja ose aprovohet e tera ose hidhet poshtë. Nuk mund të ndryshojë pala kosovare marrëveshjen tanimë të ratifikuar në parlamentin e Malit të Zi pa pajtimin e tyre. Ne e kemi theksuar edhe më herët se marrëveshja parasheh se nëse në të ardhmen gjenden fakte të pakontestueshme, të cilat do të nxirrnin një vijë tjetër, atëherë marrëveshja do të mund të ndryshohej me pëlqimin e palëve. Zoti Haradinaj ka hyrë në baltën të cilin e ka krijuar vetë dhe tani nuk po di si te dali nga aty”, ka thënë Gecaj për gazetën “Bota sot”.

Image
Faton Mehmeti

Kurse, për analistin Faton Mehmeti, alternativa e vetme e Ramush Haradinajt, është të miratojë demarkacionin aktual edhe pse do të bie në kundërshtim me vetveten.

“Besoj se alternativa e vetme e Ramushit është të miratoj demarkacionin aktual, edhe pse do të bie në kundërshtim me vetveten. Gjithsesi asgjë nuk e shpëton këtë qeveri nga dështimi, e cila nga dita e parë është karakterizuar me mungesë profesionalizmi dhe luks. Demarkacioni e solli në pushtet Ramushin dhe pavarësisht si zgjidhet do të " korit" atë, pasi ka dëshmuar paaftësi dhe mungese sinqeriteti. Demarkacioni duhet miratohet sa më parë”, ka theksuar ai.

Mehmeti ka shfaqur mendimin e tij, se ri negocimi i saj është mënyrë për të manipuluar, pasi asgjë s’do të ndryshojë faktin se demarkacioni është i pakthyeshëm.

Image
Blerim Burjani

Burjani: Haradinaj nuk do të ndalët me lëshimet tjera

Ndërkaq, sipas analistit Blerim Burjani, Haradinaj për të mbetur në postin e Kryeministrit do të bëj çmos dhe këtu sipas tij, nuk përjashtohet edhe mundësia e dërgimit në Kuvend të versionit aktual të marrëveshjes.

“Ai për të mbetur në këtë post do të bëjë çmos, pra nuk përjashtohet të dërgojë versionin e ish komisionit për demarkacion në kuvend dhe partia e tij në kuvend do ta votoj edhe këtë demarkacion me Malin e Zi. Ky do Të jetë i interesuar sa më gjatë të çojë në këtë post mundësisht katër vjet, andaj nuk e përjashtoj në asnjë mënyrë që ai për të mbet në post do të bëjë përplot lëshime tjera”, është shprehur Blerim Burjani.

Image
Nexhat Haziri

Kurse, sipas analistit Nexhat Haziri, Refuzimi SHBA-së për kryeministrin Haradinaj duke mos i dhënë vizën, sikur i ka mbyllur të gjitha rrugët për aventura të reja politike të kryeministrit.

“Besoj se demarkacioni do të kaloj sipas versionit të parë. Refuzimi SHBA-së për kryeministrin Haradinaj duke mos i dhënë vizën, sikur i ka mbyllur të gjitha rrugët për aventura të reja politike të kryeministrit. Mendoj se nga ky refuzim do të jetë mësim i mirë për kryeministrin Haradinaj mbi të cilin duhet të reflektoj pra edhe në çështjen e ratifikimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi”, ka thënë Haziri për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat