“PDK nuk ka më fuqi politike, është fajtori kryesor dhe duhet të kërkojë falje”

Politika

“PDK nuk ka më fuqi politike, është fajtori kryesor dhe duhet të kërkojë falje”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 11 janar 2018 Në ora: 16:50
PDK

Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi e nënshkruar në vitin 2015, pritet që gjatë javës së ardhshme të dërgohet për procedim në Kuvend.

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, të hënën pritet që t`ia dërgojë kryesisë e cila më pas do ta procedojë për ratifikim në seancë.

Se a pritet të ratifikohet kjo marrëveshje në Kuvend, për gazetën “Bota sot” ka folur njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Abazi.

Ai thotë se procesi i marrëveshjes së Demarkacionit e ka distancuar vendin nga bashkësia ndërkombëtare dhe se është pikëpyetje rezultati final për këtë proces.

“Situata politike dhe stabiliteti i vendit janë shumë fragjile për të sjellë në debat një çështje që ka krijuar polarizime të jashtëzakonshme në skenën politike por edhe tek qytetarët. Procesi i marrëveshjes për Demarkacionin ka distancuar gjithashtu vendin me bashkësinë ndërkombëtare dhe mbështetësit e vendit. Ajo që është e qartë se gabimi që është bërë në proces ka vënë në pikëpyetje të madhe edhe rezultatin e fundit të këtij procesi dhe rrjedhimisht po ekspozon papjekurinë, naivitetin dhe mënyrën jotransparente të funksionimit të institucioneve”, është shprehur Abazi.

Image
Haki Abazi

Për çështjen e Demarkacionit, deputeti nga PDK, Zenun Pajaziti mbrëmë ka deklaruar se është budallallëk që marrëveshja të sillet në Kuvend për tu rrëzuar dhe të mos votohet.

Lidhur me këtë, Haki Abazi thotë se PDK nuk ka fuqi politike dhe duhet vetëm të ketë kërkim falje për atë që ka bërë.

“Meqë PDK nuk ka as fuqi politike dhe mund të konsiderohet si fjalor kryesor për këtë situatë, nuk ma merr mendja që ka ndonjë kredibilitet për të thënë ndonjë gjë për procesin politik, përveç kërkim faljes për atë se çfarë ka bërë”, vlerëson ai.

Ndërsa, sjellja dhe mos kalimi i marrëveshjes, sipas Abazit e vë në pikëpyetje mosbesimin ndaj qeverisë dhe se për këtë çështje duhet sinqeritet dhe jo lojëra politike.

“Në anën tjetër sjellja e marrëveshjes në këtë fazë është provokim dhe mos kalimi e vë në pikëpyetje edhe mosbesimin ndaj kësaj qeverie, sidomos ndaj asaj pjese që është për miratimin e saj. Ajo që ka mbetur për ta zhbllokuar këtë proces është dalja para qytetarëve dhe të flitet për domosdoshmërinë e këtij kompromisi dhe pamundësia për të krijuar alternativa tjera. Sinqeriteti për këtë çështje është i domosdoshëm dhe jo lojërat politike”, ka deklaruar Haki Abazi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat