A po përgatitet tentimi i dytë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale?

Politika

A po përgatitet tentimi i dytë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale?

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 12 janar 2018 Në ora: 16:03
Gjykata Speciale

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, mund të tentojnë për herë të dytë shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Kështu ka shkruar gjiganti mediatik amerikano-gjerman politico.eu, në një artikull të cilin ia ka kushtuar tentativës për shfuqizimin e Gjykatës, e cila do të ndjekë ish-figurat e UÇK-së, për krime të supozuara lufte.

Sipas këtij mediumi, përpjekja për shfuqizimin e ligjit për Specialen u drejtua nga NaitHasani, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në pushtet, e cila u themelua nga Hashim Thaçi dhe nga udhëheqës të tjerë të ish UÇK-së.

"Gjykata e posaçme ka qenë dhe do të jetë e papranueshme për Kosovën," tha Hasani. "Është një gjykatë politike dhe dëshiron të ndëshkojë vetëm ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime të dyshuara të luftës", ka thënë ai. Hasani ishte në krye të listës së 43 deputetëve që kërkuan një seancë parlamentare për të pezulluar ligjin. Kërkesa e tyre nuk u miratua nga grupi i presidencës së parlamentit, por masa mund të marrë një shans tjetër”, ka shkruar politico.eu në shkrimin, për ngjarjet e fundit politike në Kosovë.

Gazeta ka kontaktuar deputetin NaitHasani, për të kuptuar nëse do të tentohet për herë të dytë shfuqizimi i Speciales, mirëpo ai ka thënë se gjendet në Shqipëri dhe se për këtë do të flas kur të kthehet.

“Jam në banjë në Shqipëri, kur të kthehem dëgjohemi”, i ka thënë shkurt ai gazetës “Bota sot”.

Ndërkohë, zyrtarë nga pozita dhe nga opozita janë deklaruar kundër shfuqizimit, duke thënë se një gjë e tillë do të jetë tejet i dëmshëm për Kosovën.

Kajtazi: Shfuqzimi i Speciales nuk do të ndodhë

Image
Lirije Kajtazi

Sipas deputetes së opozitës nga Lidhja Demokratike të Kosovës, Lirije Kajtazi, shfuqizimi i Gjykatës Speciale nuk do të ndodhë.

“Së pari më lejoni ta filloj përgjigjen me thirrjen për dënimin e kriminelëve serbë, për të cilët ka prova të shumta për veprat e kryera, për lojën me të pagjeturit nga shteti serb. Shfuqizimi i Speciales nuk do të ndodhë, ngase do të lëndonte standardin për drejtësi që është i nevojshëm për seriozitetin e shtetit të Kosovës, përballë obligimeve ndërkombëtare”, ka thënë deputetja Kajtazi.

Sipas saj, Gjykata Speciale, do ta bëjë punën e vet edhe në rast se tentohet shfuqizimi, mirëpo, siç ka thënë ajo, pasojat do t’i vuajnë qytetarët e Kosovës.

“Kosova është e njohur ndërkombëtarisht (pret njohje të reja), kështu që duhet të reflektojë seriozisht. Çdo veprim ndryshe do të ketë pasoja, ngase gjykata edhe ashtu do ta bëjë punën e vet (Bashkësia ndërkombëtare ka mjete juridike të mjaftueshme për ta bërë këtë, përfshirë aktivizim të Rezolutës 1244). Por, pasojat do t’i vuajmë ne. Asnjëherë frikë nga drejtësia, këtë gjyqësia kosovare nuk e ka përmbushur”, ka thënë ajo në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Gjykata Speciale të hetojë vrasjet deri në vitin 2010

Kurse, njohësi i çështjeve juridike dhe anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Muhamet Kelmendi, ka pranuar se mund të tentohet shfuqizimi i Gjykatës, mirëpo sipas tij, PDK nuk ka guxim që të shkojë në seancë.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se duhet të zgjerohen kompetencat e gjykatës edhe për krimet dhe gjenocidin serb dhe vrasjet deri në vitin 2010.

“Tentim mund të ketë, por nuk mendoj se ka guxim PDK që të shkojë në seancë me vendimin për shfuqizim. Duhet të punohet vetëm për zgjerim të kompetencave, duke përfshirë edhe krimin dhe gjenocidin serbomadh dhe vrasjet, madje deri në vitin 2010”, është shprehur Kelmendi.

Sipas tij, kjo mund të bëhet përmes angazhimit të miqve ndërkombëtar, derisa ka theksuar se shfuqizimi i Gjykatës, është një gjë e dëmshme për vendin.

“Kjo mund të bëhet. Por duhet punë dhe angazhim me miqtë tanë ndërkombëtar. Ndërsa, shfuqizimi është një gjë e dëmshme, në kohën e tashme dhe kurrsesi nuk bën të iket”, ka shtuar për “Bota sot”, Muhamet Kelmendi.

Tahiri: A do ta dëgjojë Nait Hasani, Kadri Veselin?

Image
Ramush Tahiri

E politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se nisma e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duhet të procedohet ose të tërhiqet sipas procedurave të rregullta, ose Kryesia duhet të caktojë në rend dite këtë çështje në mbledhjen e radhës.

Ai ka theksuar se ky Ligj nuk është i rëndësisë së veçantë, pasi duhet prezenca e 61 deputetëve, me 31 vota pro ose kundër.

“Nisma e 43 deputetëve duhet të procedohet ose të tërhiqet sipas procedurës së rregullt, përndryshe Kryesia e cakton në rend dite në mbledhjen e parë plenare të Kuvendit. Kuvendi me vota e kalon ose jo. Ky ligj nuk është i rëndësisë së veçantë dhe kalon me shumicën e thjeshtë, pra duhet prezentë me qenë 61 deputetë dhe të votojnë po ose jo 31 deputetë”, ka pohuar Tahiri.

Sipas tij, mbetet të shihet nëse nismëtari për shfuqizimin e Speciales Nait Hasani, do të dëgjojë ose jo kryetarin e PDK-së, i cili ka thënë se shfuqizimi do të jetë i dëmshëm.

“Kadri Veseli si lider i PDK-së në letrën publike, ka thënë se kjo është e dëmshme dhe se nisma e deputetëve ishte e pamatur dhe e papërgjegjshme. A do ta dëgjojë apo jo Nait Hasani si nismëtar dhe deputetët e tjerë nismëtar, mbetet të shihet. Deri tash nuk ka shenjë që është lëvizur diçka”, ka theksuar RamushTahiri për gazetën “Bota sot”.

Mehmeti: Mungon guximi

Image
Faton Mehmeti

Edhe sipas analistit politik Faton Mehmeti, nuk mund të ndodhë shfuqizimi i Gjykatës Speciale, për shkak se siç ka thënë ai, mungon guximi i liderëve të vendit.

Duke folur për “Bota sot”, Mehmeti ka thënë se KadriVeseli ka bërë përpjekjen për të dalë pro amerikan dhe duke ia ngulur thikën Ramush Haradinajt.

“Nuk ka gjasa të ndodhë shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale, pasi nuk ka guxim asnjë lider i vendit që të bëjë një gjë të tillë. Tentativa ishte një përpjekje për të fuqizuar rolin e ndonjërit lider të vendit. Me këtë rast, KadriVeseli bëri përpjekjen për tëdalur pro amerikan, duke ia ngulur thikën Ramushit. Presioni amerikan erdhi nga frika mos po ndodhë shfuqizimi i cili do të kthente Kosovën prapa në kohë, derisa Kosova dhe SHBA do tëhumbisnin shumë”, është shprehur Mehmeti.

Ai ka shtuar se nuk mund të shfuqizohet Gjykata Speciale. Sipas tij, e gjithë tentativa për këtë, ishte lojë e presidentit Hashim Thaçi.

“Gjykata Speciale nuk do të zhbëhet dhe nuk ka shanse të ndodhë. Vetëm disa liderë po mundohen të manovrojnë për të shpëtuar veten. Kosova nuk do të mbetet peng, koha e së vërtetës po vjen. Thaçi është më i frikësuar nga të gjithë, dhe e tëra ishte lojë e tij”, ka spërfunduarMehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat