“Mos shkuarja e Haradinajt në Amerikë, e keqe e madhe për Kosovën”

Politika

“Mos shkuarja e Haradinajt në Amerikë, e keqe e madhe për Kosovën”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 13 janar 2018 Në ora: 22:18
Ramush Haradinaj, flamuri i SHBA

Refuzimi i vizës së kryeministrit Ramush Haradinajt më shumë se për të, është më e keqe për Kosovën, kështu shprehen analistët politikë.

Ramush Haradinajt i është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për arsye ende të panjohura. Lajmi tashmë është konfirmuar zyrtarisht, pasi Europa e Lirë kontaktoi një zyrtar nga Garda Nacionale në Iowa të SHBA-së.

Haradinaj pritej të merrte pjesë më 11 janar në një ngjarje të organizuar nga Komandanti i Gardës Nacionale në Ioëa, Timothy E. Orr.

“Kryeministri Haradinaj ka qenë i ftuar nga gjenerali Orr në atë ngjarje, mirëpo është për keqardhje që ai nuk ka mundur ta marrë vizën dhe të jetë së bashku me ne”, ka thënë kolonel Greg Hapgood, zëdhënës i gardës së Iowa-s.

Sipas Hapgood, në vend të Haradinajt pritet të marrë pjesë zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.

Përkundër që zyrtari amerikan ka pranuar se viza e Haradinajt është refuzuar, ky i fundit refuzon ta pranojë këtë.

Edhe, analisti politik Skender Zogaj, thotë se fillimisht Zyra Amerikane në Prishtinë duhet të tregojë arsyen e mos dhënies së vizës, përndryshe nëse jo deri më tani mbetet supozim gjithçka.

Image
Skender Zogaj

Mirëpo, Zogaj ka shtuar për “Bota sot” se mos shkuarja e Haradinajt në Amerikë më shumë se për të është e keqe e madhe për Kosovën.

“Që të mund të vlerësohet saktësisht gjendja, kërkohet informacioni i plotë dhe zyrtar, sepse, me rastin e vizave janë një varg formalitetesh të cilat, nganjëherë edhe për çështje krejtësisht të vogla dhe të parëndësishme, dalin pengesë për marrjen e vizës, sidomos për në SHBA, që, ka një disiplinë ekstreme pavarësisht se për kënd bëhet fjalë. Zyra Amerikane në Prishtinë hiç nuk e ka për turp që të tregojë arsyen e mos dhënies së vizës, prandaj derisa nuk e ka thënë troç arsyen, gjithçka që thuhet është supozim, e supozimet nuk janë të mira, sepse, me thashetheme dhe shpifje e kemi sjellë vendin në pikën kritike të ekzistencës. Është mirë të jemi më racional dhe, të lëmë të zhvillohen ngjarjet sipas rrjedhës së natyrshme, sepse, koha është tepër e turbulltë dhe nuk bëjmë mirë që t'ia shtojmë mjegullën! Mos shkuarja e Kryeministrit të Kosovës në Amerikë, më shumë se për Ramush Haradinajn ,është e keqe e madhe për Kosovën”, ka pohuar Zogaj.

Ndryshe, para disa ditëve Kryeministri Haradinaj është paisur me pasaportë shqiptare, por ai ka thënë se këtë do ta mbajë për nder  nuk do ta shfrytëzojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat