Vetëvendosje në pritje të ekspertizës së Astrit Deharit

Politika

Vetëvendosje në pritje të ekspertizës së Astrit Deharit

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 15 janar 2018 Në ora: 15:44
Astrit Dehari

Lëvizja Vetëvendosje, po ballafaqohet me krizën më të madhe partiake që nga formimi, ku përçarjet e para brenda kësaj partie, po përfundojnë me dorëheqje të njëpasnjëshme të deputetëve dhe aktivistëve të ndarë në dy grupe, gjë që po e dëshmojnë që kjo parti duhet t’ia fillojë nga zero rimëkëmbjen e saj si parti që të renditet në mesin e partive të rangut të lartë politik.

Mirëpo, vëmendja e madhe nga publiku dhe nga vetë anëtarët e kësaj partie rreth këtyre zhvillimeve të fundit, nuk mund ta lënë anash asnjëherë vdekjen e ish-aktivistit të kësaj partie, Astrit Dehari, e cila ende nuk është zgjidhur nga organet e drejtësisë, pasi dyshimet e mëdha janë që Astrit Deharin ta ketë vrarë dikush, e jo që ai ka bërë vetëvrasje.

Valdrin Ahmeti tronditë me deklaratën e tij

Aktivisti i Vetëvendosjes, Valdrin Ahmeti, në një shkrim të tij të publikuar para pak ditësh, tregon bisedën e tij me Dardan Molliqaj pas vdekjes së Astritit, ku thotë se Molliqaj këmbëngulte që Astriti kishte bërë vetëvrasje dhe jo ta ketë vrarë dikush, gjë që supozohet nga të gjithë si vdekje e dyshimtë.

Por kështu nuk mendojnë deputetë të Vetëvendosjes, analist politik dhe përfaqësuesi juridik i familjes Dehari, Tomë Gashi, të cilët thonë se rasti i vdekjes së Astrit Deharit nuk do të harrohet asnjëherë pa marrë parasysh se çfarë zhvillimesh ndodhin brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputetja e Vetëvendosjes, e cila ka dhënë dorëheqje nga kjo parti, Shqipe Pantina, duke folur rreth kësaj çështje për gazetën “Bota Sot”,  thotë se rasti i Astritit nuk mund të harrohet asnjëherë.

Image
Shqipe Pantina

“Rasti i Deharit natyrisht që asnjëherë nuk do të harrohet dhe e dimë që qeveria ka ndarë një fond për të angazhuar një organizatë ndërkombëtare i cili do të merret me analizën e të gjithë rastit dhe do të dalë në publik me të gjeturat  e tyre dhe raportin”-tha Pantina.

Ajo foli gjithashtu edhe për deklaratat e Valdrin Ahmetit, ku tregoi se Dardan Molliqaj kishte thënë se Astrit Dehari ka bërë vetëvrasje.

“Postimi i Valdrin Ahmetit është një status i pabazë dhe pa argumente, dhe mendoj se këto deklarata të tij janë pjesë e frustrimit dhe mllefit të tij ndaj nesh”- shtoi më tutje Pantina.

Gashi: Po presim ekspertizën

Përfaqësuesi juridik i familjes Dehari, avokati Tomë Gashi, thotë se ai nuk njohuri rreth zhvillimeve që po ndodhin në Vetëvendosje dhe se ata janë në pritje rreth çështjes Dehari.

Image
Tomë Gashi

“Nuk kam njohuri të tilla rreth zhvillimeve në Vetëvendosje, dhe ne jemi në pritje që në rastin e  vrasjes së Astrit Deharit,  kjo çështje në aspektin juridik të dërgohen në Institutin zviceran te Mjekësisë ligjore për hetime të pavarura, dhe në kuadër të hetimeve të pavarura të bëhen edhe ekspertiza të nevojshme”,-tha Tomë Gashi.

Analisiti Faton Mehmeti, thotë skenari i SHIK-ut për ta shkatërruar Vetëvendosjen po shpërfaqet më së miri dhe të tillë e sheh edhe deklaratën e Valdrin Ahmetit.

“Në proces e sipër po shpërfaqet me se miri skenari i SHIK-ut për te shkatërruar VV, e cila po shndërrohej ne rival direkt ndaj PDK-se. Të tillë e shoh edhe deklaratën e Valdrin Ahmetit, në akuza brenda njeri tjetrit për skenarin e (vete)vrasjes se Astrit Deharit. Me këto deklarata Ahmeti akuzon indirekt Dardan Molliqajn si nxitës të këtij akti, dhe përpjekjet e tija për tu shfajësuar. Këto akuza të renda do të thellojnë edhe më shumë ndasitë brenda VV, duke realizuar planin e Thaçit dhe Veselit për te shkatërruar VV”,- thotë analisti Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Faton Mehmeti mendon se Astrit Dehari është vrarë, por që e vërteta kurrë nuk do të dalë në pah.

“Astrit Dehari është vrarë dhe kjo nuk ka dyshim, ashtu siç ka dyshim se e vërteta kurrë s’do të dal në pah. Në vrasjet ku shteti është i kyçur, ato raste mbesin gjithmonë enigmë. Edhe kjo e Deharit e tillë do mbetet, vetëm se do thellojë ndasitë brenda VV”,-përfundoi Mehmeti.

Njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi, ndjen keqardhje për familjen Dehari, pasi sipas tij ata kanë pas qëllimin dhe idealin e shtetit të pa korruptuar dhe tani ata po shohin një parti që po luftojnë për karrige.

Image
Haki Abazi

“Me vjen keq se si mund të ndjehen familjet e të vrarëve dhe atyre që kanë humbur me te dashurit e tyre qe për prehje kanë pas  qëllimin dhe idealin e shtetit te pakorruptuar dhe tani po shohim që një numër i figurave kryesore po tentojnë të lirohen nga koncepti i debatit të hapur për të qene ne situate te pasurohen nga pushteti”,- tha Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat