Deputetja e AAK-së tregon se kush vendos për Demarkacionin

Politika

Deputetja e AAK-së tregon se kush vendos për Demarkacionin

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 15 janar 2018 Në ora: 15:57
Kosovë

Komisioni parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike i ka proceduar Kuvendit të Kosovës, Marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Megjithëse anëtarët e Komisionit nga VV-ja, AAK-ja dhe Nisma për Kosovën, insistuan që Marrëveshja të dërgohet në Kuvend me rekomandimin për të mos u miratuar ky version i Projektligjit, propozimi i tyre nuk kaloi.

Kjo pasi pas votimit, 5 anëtarë të Komisionit ishin pro, e 5 të tjerë kundër, duke bërë që Projektligji të dërgohet për shqyrtim në Kryesi, pa rekomandim.

Kryetarja e këtij Komisioni nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani ka thënë se do të shkohet në Kryesinë e Kuvendit, pa dhënë ndonjë rekomandim për votim për apo kundër kësaj marrëveshjeje.

“Zgjidhja më e mirë është që të shkohet dhe t’i rekomandohet Kryesisë së Kuvendit që ta dërgojë në seancë për shqyrtim. Po ashtu, meqenëse Komisioni ka thënë se do ta dërgojnë edhe raportin përfundimtar, jo atë preliminar, do të sqarohen gjërat para seancës”, ka thënë Osmani.

Por, me të nuk janë pajtuar deputetët e VV-së, AAK-së dhe Nismës, të cilët gjatë mbledhjes kanë kërkuar që Kuvendit të Kosovës t’i rekomandohet që kjo Marrëveshje e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, të mos votohet.

Duke komentuar në lidhje me këtë, nënkryetarja e këtij Komisioni Time Kadrijaj, ka thënë se pas procedimit të Marrëveshjes, janë deputetët dhe partitë politike, ato që do të vendosin se si do të votojnë.

Image
Time Kadrijaj

Ajo ka thënë për “Bota sot”, se qëndrimet e partive politike, të cilat nuk e përkrahin Demarkacionin, tashmë janë të njohura.

“Marrëveshja është proceduar, në fund të fundit, marrëveshja do të shkojë në Kuvend dhe janë deputetët dhe partitë politike, ato që vendosin se si do të votojnë. Qëndrimet janë të njohura, dihet subjektet politike të cilat nuk e përkrahin këtë marrëveshje të Demarkacionit. Me rëndësi është proceduar tutje, pa rekomandim të Komisionit , meqë edhe ju e patë që është një pjesë e deputetëve që ishin për të shkuar me rekomandim të Komisionit që të mos miratohet, por meqënëse ishin 5 për e 5 kundër, megjithatë marrëveshja u procedua pa rekomandime”, është shprehur ajo.

Kadrijaj ka bërë të ditur se Marrëveshja do të procedohet për seancë të Kuvendit, pasi të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendi të Kosovës.

“Kjo marrëveshje do të procedohet në seancën e Kuvendit pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit”, ka thënë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat