A ka ndryshuar Vetëvendosje qëndrim për Demarkacionin?

Politika

A ka ndryshuar Vetëvendosje qëndrim për Demarkacionin?

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 15 janar 2018 Në ora: 20:39
Lëvizja Vetëvendosje

Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, e nënshkruar në gusht të vitit 2015, është proceduar në Kryesinë e Kuvendit nga Komisioni parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike.

Marrëveshja do të dërgohet në kryesi pa asnjë rekomandim, pasi nga votimi i komisionit, 5 vota ishin pro rekomandimit që marrëveshja të mos miratohet, ndërsa 5 kundër.

Anëtarët e komisionit që kërkuan që marrëveshja të dërgohet me rekomandim që të mos miratohet ishin nga VV, AAK dhe Nisma, parti që kanë qenë kundër kësaj marrëveshje edhe në mandatin e kaluar, kur ishin në opozitë.

E Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë kundër marrëveshjes, duke thënë se vota e tyre do të jetë që marrëveshja të mos ratifikohet.

Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Bota sot”, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, i cili ka thënë se të dhënat e komisionit të ri u kanë dhënë më shumë të drejtë për këtë kundërshtim.

Image
Ismail Kurteshi

“Mendoj se qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre që e kanë kundërshtuar para tre viteve këtë marrëveshje, pas të dhënave të komisionit të formuar nga Haradinaj, vetëm se na ka dhënë më shumë të drejtë që demarkacioni në formën që është bërë nga komisioni Meha është i padrejtë për vendin dhe si i tillë duhet të refuzohet dhe procedura fillon nga fillimi”, ka potencuar Kurteshi për “Bota sot”.

Sipas tij, versioni aktual është i dëmshëm dhe duhet të gjendet një zgjidhje tjetër, me procedurë nga fillimi.

“Besoj se ky version është i dëmshëm, nuk është i drejtë dhe si i tillë duhet të bie dhe çështjen e kufirit me Malin e Zi duhet ta zgjedhim në mënyrë të drejtë që të mos dëmtojnë as Kosovën me Malin e Zi dhe anasjelltas”, ka deklaruar Kurteshi.

Ndryshe, pasi komisioni i dërgon marrëveshjen kryesisë, ajo e procedon për në Kuvend, ku deputetët mund të votojnë pro ose kundër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat