A mund të evitohet ndarja e Vetëvendosjes?

Politika

A mund të evitohet ndarja e Vetëvendosjes?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 15 janar 2018 Në ora: 20:54
Levizja Vetevendosje

Kryesia qendrore dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje janë duke mbajtur mbledhjen e përbashkët.

Takimi i cili ka filluar që në mesditë në selinë e partisë pritet të zgjasë deri në orët e vona të ditës së sotme.

Në mbledhje kanë shkuar edhe të dorëhequrit nga pozitat në VV, Dardan Molliqaj, Visar Ymeri, Driton Çaushi e Dardan Sejdiu.

Analisti politik, Faik Krasniqi, ka thënë për “Bota sot” se nëse të revoltuarit do të heqin dorë nga kushtëzimi i tyre për t’u kthyer prapë në parti, atëherë përçarja është e evidentueshme.

Image
Faik Krasniqi

Mirëpo, sipas Krasniqit, nëse ata këmbëngulin me pretekstin e thënë atëherë ndarja është e pashmangshme.

“Nëse të revoltuarit e Vetëvendosjes heqin dorë nga kushtëzimi i tyre për t’u kthyer prapë në parti, me pretekstin që Albin Kurti të mos kandidojë për kryetar partie, atëherë përçarja që ka plasur javëve të fundit, është lehtë e evitueshme. Por, nëse këmbëngulin me atë pretekst për t’u rikthyer në parti, ndarja është e pashmangshme”, ka pohuar Krasniqi.

Në mbledhje nuk janë të pranishëm Faton Topalli dhe Aida Dërguti, kjo e fundit e cila ishte edhe e para përmes së cilës kanë filluar përçarjet në Lëvizjen Vetëvendosje.

Sipas Krasniqit, Dërguti pas fjalorit të saj, të ardhmen në Vetëvendosje e ka të zbehtë.

“Sidoqoftë, Aida Dërguti pas fjalorit banal drejtuar Albin Kurtit, e ardhmja e saj në Vetëvendosje duket tepër e zbehtë. Këtë gjë e tregon edhe mospjesëmarrja e saj në këtë mbledhje, që duket të jetë mbledhja e fundit për të evituar një ndarje në dysh të Vetëvendosjes, ose ndarjes përfundimtare të krahur të të dorëhequrëve nga kjo parti”, ka theksuar Krasniqi.

Në takimin e Vetëvendosjes janë të pranishëm edhe Shpend Ahmeti, Albin Kurti, Liburn Aliu, Shemsi Syla, Donika Kadaj-Bujupi dhe Fitore Pacolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat