Përçahen udhëheqësit e shtetit, Thaçi e Veseli

Politika

Përçahen udhëheqësit e shtetit, Thaçi e Veseli

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 16 janar 2018 Në ora: 08:49
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Ideja për shfuqizimin e Gjykatës Speciale nëpërmjet Kuvendit të Kosovës ishte pritur dhe përcjellë me reagime të shumta. Vetë Kadri Veseli, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe krye parlamentari i Kosovës ishte shprehur i gatshëm për shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe ishte munduar shumë që bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Presidentin e vendit Hashim Thaçi që të bëjnë shfuqizimin e gjykatës në Kuvendin e Kosovës.

Vetëm pak ditë më vonë, Veseli me një kolumne të publikuar në medie, pati një reagim tjetër duke përkrahur Gjykatën Speciale dhe punën që ajo pritet të bëj.

Veseli ka shkruar se, Specialja qartësisht është e dëmshme për Kosovën, por ajo do të ndodhë, pasi Kosova s’ka fuqi për ta ndaluar atë.

“Më së paku në botë e ka merituar Kosova t’i ndodhë, por ajo do të ndodhë edhe pse ka qindra argumente që flasin kundër saj! Është padrejtësi që po bëhet në emër të drejtësisë!”, shkruan, pos tjerash Veseli.

Shfajësimi i Veselit

Se Specialja është e pandalshme, Veseli thotë se u pa edhe me datën 22 dhjetor, kur ajo u tentua të shfuqizohet.

Në lidhje më ketë, kryeministri i vendit Ramush Haradinaj nuk ka dashur të komentoj letrën e krye parlamentarit Kadri Veseli, në të cilën ai doli në mbrojtje të Gjykatës Speciale, pavarësisht se në fund të dhjetorit si koalicion me AAK-në u përpoqën ta zhbëjnë atë.

Pas një takimi, që ka pasur me kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti, Haradinaj ka thënë se e ka lexuar letrën e Veselit, por ka shtuar se “qëndrimin tonë e dini dhe ai nuk ndryshon.

Veseli kishte kritikuar deputetë e LDK-së dhe të Vetëvendosjes, ndërsa për reagimin e ambasadave tha se “Kosova nuk mund të trajtohet si shtet pa shtet”.

Një deklaratë e tillë e krye parlamentarit Veseli, duke se do të nxis përçarje ndërmjet PDK-së dhe deputetëve të saj të cilët kanë qenë të gatshëm që të votojnë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Një përçarje e fortë pritet të ndodh edhe ndërmjet Kadri Veselit dhe presidentit të vendit Hashim Thaçi i cili se fundmi vazhdimisht ka qenë mjaft i zëshëm dhe është shprehur kundër Gjykatës Speciale.

Përçarje në koalicion, por edhe brenda PDK-së

Gazeta ka provuar të marr prononcim nga njeri nga deputetët e PDK-së, por ata për dy ditë më radhë nuk kanë kthyer përgjigje. As zyra për Informim e Presidencës nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e drejtuara.

Në lidhje më këtë, analisti politik Nexhat Haziri  ka thënë se tërheqja siç po quhet “taktike” e Veselit nga shfuqizimi i gjykatës speciale, do të shkaktojë një përçarje jo vetëm brenda vetë PDK-së, por edhe brenda vet koalicionit qeverisës.

Image
Analisti politik, Nexhat Haziri

“Për arsye se me këtë tërheqje taktike të Veselit sikur përgjegjësinë ia hodhi te qeveria Haradinaj për të vazhduar tentimin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, gjë që shkaktoj një nervozizëm te partia e kryeministrit Haradinaj. Po ashtu, mendoj se kjo tërheqje taktike e Veselit është e koordinuar edhe me presidentin Thaçi, si një skenar i përgatitur për ta djegur Haradinaj” , ka thënë Haziri.

Kurse, sipas njohësit të çështjeve juridike Muhamet Kelmendi kjo nuk do të sjell aspak përçarje te PDK-ja, pasi që sipas tij, deputetët i nënshtrohen tërësisht partisë se tyre dhe se janë njerëz të varur nga partia.

Image
Njohësit të çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi

“Nuk do të ketë përçarje brenda PDK-së, kjo për faktin se anëtaret përkatësisht deputetet e PDK-së, janë njerëzit e varur dhe i nënshtrohen tërësisht partisë. Te deputetët e PDK-së është një varësi absolute. Ata nuk kanë guxim të vendosin vet. Këtë e provuan për Gjykatën Speciale edhe në vitin 2015. Ishin ata që ishin kundër dhe kur u bë presioni nga Hashim Thaçi e pranuan këtë gjykatë”, ka potencuar Kelmendi.

Qëndrimi i AAK-së

Sipas tij, Presidenca e vendit ka qenë e njoftuar me qëndrimin e Kadri Veselit para se ky i fundit të deklarohej.

“Hashim Thaçi ka qenë për dhe prandaj kemi ketë tërheqje të Kadri Veselit për Gjykatën Speciale. Nuk është taktike po është imponim i vullnetit të SHBA-ve”, është shprehur ai.

Derisa, i pari i Kuvendit kishte thënë se Specialja është gjëja më e dëmshme për Kosovën, por që nuk do të mund të zhbëhet, Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, ka thënë se qëndrimi i Veselit kundër iniciativës është dashur të bëhej publik më 22 dhjetor.

Image
Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj

“Sa i përket letrës së Veselit dhe qëndrimit të tij tashmë publik, mendoj se do të ishte në rregull sikur këtë qëndrim ta mbante më 22 dhjetor kur u mor iniciativa për thirrje të seancës së jashtëzakonshme”, ka thënë Selmanaj.

I pyetur nëse deputetët e AAK-së ndihen të mashtruar nga PDK-ja, parti që mori iniciativën për të mbledhur nënshkrimet për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, Selmanaj ka thënë se ai vetë nuk ndihet i mashtruar, pasi ishte i vetëdijshëm se çfarë po nënshkruante.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat