“I domosdoshëm bashkëpunimi me VV-në, LDK të jetë gati për çfarëdo situate”

Politika

“I domosdoshëm bashkëpunimi me VV-në, LDK të jetë gati për çfarëdo situate”

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 16 janar 2018 Në ora: 11:15
lideri i LDK-së, Isa Mustafa dhe deputeti i VV-së, Albin Kurti

Pas ngjarjeve që kanë ndodhur kohët e fundit në Kosovë, përfshirë këtu edhe rrezikimin e raporteve me partnerët ndërkombëtarë, siç ishte rasti i fundit me refuzimin e vizës për kryeministrin Ramush Haradinajn, LDK-së siç duket po i “shtrohet rruga” për të marr pushtetin në duar përsëri.

Kështu kanë vlerësuar njohësit e çështjeve politike, duke thënë se LDK do të përfitojë më së shumti nga kjo situatë.

Mushkolaj: LDK duhet të nis bashkërendimin e veprimeve opozitare

Anëtari i LDK-së Bajram Gecaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se pozicionin e LDK-së, tanimë të bërë publik nuk do ta ndryshojnë.
Image
Anëtari i LDK-së, Bajram Gecaj

“T’ju them të drejtën, ne nuk do të mbështesim iniciativa të cilat na largojnë nga miqtë e privuar ndërkombëtar. Ndërsa jo vetëm rasti i fundit, por e gjithë puna e kësaj qeverie, duke përfshirë edhe mënyrën e formimit të saj, kanë provuar se kjo qeveri duhet të ik sa më parë që të jetë e mundur”, është shprehur Gecaj.

Analisti politik Imer Mushkolaj ka thënë për “ Bota sot” se LDK do të përfitojë më së shumti nga kjo situatë, por sipas tij kjo është e kot nëse nuk di ta kapitalizojë edhe në bashkëpunim me pjesën tjetër të opozitës.

Image
Analisti politik, Imer Mushkolaj

“Dihet që pushteti nuk fitohet vetëm andaj pas zhvillimeve në VV, LDK duhet të nis bashkërendimin e veprimeve opozitare, në mënyrë që të jetë gati për çfarëdo situate”, ka thënë analisti politik Imer Mushkolaj.

Nga ana tjetër, analisti politik Fadil Lepaja ka thënë se negociatat eventuale për futje në koalicion, të LDK-së, i shkojnë për shtati më së miri PDK-së.

Image
Analisti politik, Fadil Lepaja

“Forcimi i tepërt i Haradinajt nuk i shkon për shtati as Bashkësisë Ndërkombëtare, por as dalja e tyre nga koalicioni, pasi që për demarkacionin duhen dy të tretat e votave në parlament, dhe nuk ka parti tjetër e cila do të bashkëngjitej rreth disa projekteve që duan dy të tretën e votave, në të ardhmen. Dhe nëse dështon shkëputja e disa deputetëve të Vetëvendosjes, duket se edhe koalicionin e kanë planifikuar dhe atëherë LDK-ja mbetet domosdoshmëri, për të ecur tutje”, ka thënë analisti politik Fadil Lepaja.

Ndarja e LVV-së si problematikë

Kurse, opinionisti Nexhat Haziri ka thënë se partitë e koalicionit qeverisës për mbijetesën e kësaj qeverie, shpresat i kanë mbështetur kryesisht tek zhvillimet brenda dhe rreth LVV-së.

“Pas zhvillimeve të fundit të tentimit për shfuqizimin e Gjykatës Speciale që hasi në reagim të fuqishëm nga shtetet aleate dhe mike të Kosovës, siç duket ky reagim edhe e detyroi kreun e PDK-së, Kadri Veselin për një tërheqje nga kjo nismë, ku preokupimi kryesor i koalicionit PANA, tashmë dihet që është ruajtja e pushtetit. Këtë mundësi po e shohin në ndarjen e Vetëvendosjes që me ndonjërin fraksion ta forcojnë apo ta rrisin shumicën parlamentare”, ka thënë opionisti Haziri.

Image
Opinionisti Nexhat Haziri

Sipas tij, përkundër izolimit të vendit dhe qeverisjes së keqe dhe të pa koncept të Haradinaj, LDK-ja si e vetme, me një LV të ndarë në dysh e ka të vështirë për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj.

“Rritja e presionit publik ndaj kryeministrit Haradinaj dhe divergjencat e mëdha që priten të thellohen akoma më shumë në mes partnerëve në qeverinë e Kosovës për çështjen e Gjykatës Speciale dhe ratifikimi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, do të jenë faktorët kryesor që do ta detyrojnë një vetë dorëheqje apo vet rrëzim të koalicionit aktual qeverisës”, është shprehur opinionisti Haziri.

Ndihma nga Ambasada e SHBA-së

Nga ana tjetër, analisti politik Arbër Gashi konsideron se zhvillimet e fundit në LVV janë pritur kaherë dhe nuk kanë qenë aspak befasuese.

“Në realitet unë kam qenë më shumë i befasuar me faktin që kjo rrjedhë e ngjarjeve nuk ndodhi para zgjedhjeve parlamentare dhe atyre lokale por ndodhi më pas. Thënë shkurt, përmes subjektit LVV synohet asimilimi i ndjenjave të nacional demokracisë shqiptare të Kosovës. Pra, asimilim i rinisë shqiptare përmes një subjekti majtist i cili dirigjohet nga kapitali i krimit të pinjollëve komunist, bijë e bija të atyre që kanë kryer krimet më të rënda kundër interesit tonë nacional, në Kosovën me vise. Faktet, janë shumë kokëforta dhe ato e nxjerrin LVV-në si një leviatan të reinkarnuar të gjakpirësve komunist. Leviatan, që mbahet gjallë me shpikjen e armiqve të brendshëm dhe thithjen e gjakut të njomë të rinisë shqiptare. Kaq për LVV-në dhe drejtuesit e saj, të cilët, nëse janë të interesuar për debat të hapur, jam i gatshëm t'i konfrontoj me faktet që janë aq kokëforta sa i tundin kontinentet”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Arbër Gashi.

Image
Analisti politik, Arbër Gashi

Kurse sa i përket partive tjera, Gashi ka thënë se  nuk ia vlen fare të flitet, pasi sipas tij, pas vdekjes enigmatike të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, tek këto subjekte kanë mbizotëruar vetëm interesat për pushtet dhe jo interesi për bërjen e shtetit të mirëqenies kombëtare.

“E them këtë sepse kjo vlen më shumë për PDK dhe AAK. Do doja të dija se cila është ajo vlerë që këto subjekte po ia ofrojnë Kosovës?! Cila? Kështu që deri më sot, mendoj se nuk ka përgjigje për këtë të mirë që po a ofrojnë këtë pishtarët Kosovës, andaj definitivisht përgjigjja është kurrfarë, sepse asnjë të mirë të tillët nuk ia ofruan vendit të tyre, po veç çka e shkatërruan atë. Prandaj, si të vetmin subjekt që mund të ndihmojë në tejkalimin e kësaj gjendje të pa shpresë, e shohim Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Arbër Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat