Eksperti i sigurisë flet për detajet e vrasjes së Ivanoviqit, tregon se kush është fajtor

Politika

Eksperti i sigurisë flet për detajet e vrasjes së Ivanoviqit, tregon se kush është fajtor

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 16 janar 2018 Në ora: 15:35
Oliver Ivanoviq

Në orët e hershme të mëngjesit, në Mitrovicë është vrarë Oliver Ivanoviq, sh-udhëheqësi i Iniciativës Qytetare “Serbia, Demokracia, Drejtësia”.

Policia ka njoftuar se ai është vrarë para zyrës së tij, nga persona ende të panjohur.

Për vrasjen e tij kanë reaguar krerët e shtetit të Kosovës dhe të Serbisë, kanë shkruar mediat e huaja dhe Serbia ka anuluar bisedimet që sot do të duhej të rifillonin në dialogun me Kosovën.

Për vrasjen e tij dhe shkallën e sigurisë në Kosovë, sidomos në Mitrovicë, eksperti i sigurisë Avni Islami, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se kjo tregon shkallën e pasigurisë në veri të vendit, derisa vrasjen e cilëson politike.

Image
Avni Islami

“Vrasja e njërit nga liderët e serbëve lokal të Kosovës, Oliver Ivanoviq paraqet një shkallë të lartë të pasigurisë në veriun e Kosovës, në atë pjesë ku bandat kriminale janë të lidhura drejtpërdrejt me krimin e organizuar, me njerëz të fuqishëm të Serbisë. Kjo vrasje duket të jetë vrasje politike dhe është terrorizëm i shtetit serb që kanë bërë atak ndaj një subjekti politik, i padëgjuar për qeverisjen e Beogradit. Kjo flet shumë për shkak se Oliver Ivanoviqi, pavarësisht të kaluarës së tij, që dyshohet të jetë kriminale, pas luftës ka qenë bashkëpunues me institucionet e Kosovës dhe në një intervistë së fundmi ai ka thënë se ndihet i rrezikuar nga serbët dhe jo shqiptarët, që tregon se Oliver Ivanoviq ishte pengesë për synimet nacionaliste të qeverisë serbe. Andaj, përgjegjëse kryesore për vrasjen e tij është qeveria serbe”, ka deklaruar ai.

Se sa mund të shkaktojë konflikt kjo vrasje, Islami thotë se Serbia vazhdimisht mundohet ta destabilizojë pjesën veriore të Mitrovicës dhe që për vrasjen e tij është fajtore qeveria serbe dhe është akuzuar edhe nga vetë qytetarët serbë.

“Serbia është e interesuar gjatë gjithë kohës që veriun e Kosovës ta mbajë në tension dhe këtë tenton ta arrijë përmes konfliktit ndëretnik. Kjo do ta paraqiste Kosovën para ndërkombëtarëve si vend jostabil dhe të pasigurt për qytetarët serb. Pra, Serbia nuk është e interesuar që të zhvillohet ajo pjesë e Kosovës. E gjitha do të tentohet tu hidhet shqiptarëve por as vetë serbët nuk e besojnë këtë, shumica e akuzuan qeverinë e Beogradit se ajo është përgjegjëse për vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, ka deklaruar Islami për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat