LDK deklarohet për rrëzimin e Qeverisë, VV më e përçarë se asnjëherë

Politika

LDK deklarohet për rrëzimin e Qeverisë, VV më e përçarë se asnjëherë

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 17 janar 2018 Në ora: 06:39
Visar Ymeri/Albin Kurti

Deklaratat e njëpasnjëshme të zyrtarëve të Lidhjes Demokratikë të Kosovës po tregojnë  gatishmërinë e tyre për ngritjen e një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë “Haradinaj” pas punës 100-ditëshe.

Ata janë të bindur se pas vlerësimit të punës së kësaj Qeverie mocioni i mosbesimit është i pashmangshëm. 

Ndonëse, kryesia e LDK-së në këtë fillim vit nuk është mbledhur për të diskutuar mundësinë e rrëzimit të qeverisë, deputetë të kësaj partie shprehen të sigurt se kjo qeveri nuk është duke bërë asgjë për integrimin e vendit, dhe si e tillë duhet të rrëzohet.

Rugova numëron dështimet e Qeverisë

Deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës Naser Rugova,  ka thënë për Bota sot” se LDK ende nuk është mbledhur këtë vit për të diskutuar për diçka konkrete në lidhje me rrëzimin e qeverisë.

Image
Naser Rugova

“Tani për tani nuk mund të them diçka konkrete, ende nuk është diskutuar nga kryesia dhe grupi parlamentar, por realisht po krijohen konditat që kjo qeveri e papërgjegjshme që po i mban peng proceset kruciale të shtet-ndërtimit dhe integrimit të vendit në strukturat euroatlantike të lëshojë rrugë. kredibiliteti i saj publik dhe ndërkombëtar është zero” ka thënë Rugova.

Nga ana tjetër, deputeti i Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës Sami Kurteshi në një prononcim për gazetën  “Bota Sot” ka ironizuar me LDK-në, duke thënë se e njëjta politikisht nuk mund të qëndroj në opozitë.

Image
Sami Kurteshi

“Çështja e ngritur nga ju si pyetje, nëse Lëvizja Vetëvendosje do të përkrahë "një mocion për rrëzimin e qeverisë nga LDK-ja", realisht nuk ka ndonjë kuptim politik. Ne e dimë se LDK-ja nuk mund të jetojë financiarisht, e rrjedhimisht edhe politikisht, në opozitë. Prandaj kërkesa e saj për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj nuk ka thelb të kërkesave të veta "politike" kundërshtimin e Gjykatës Speciale, sikurse nuk e ka pasur as decentralizimin, as demarkacionin me Malin e Zi e Maqedoninë, as 'Zajednicën', si edhe asnjë proces tjetër kundër integritetit territorial, sovranitetit dhe cenimit të interesave të Republikës së Kosovës. Duke u nisur nga fakti se ata e duan pushtetin më shumë se Republikën, nuk e kanë shtruar këtë çështje fare. Përkundrazi, ata e kanë ndihmuar PDK-në në të gjitha këto procese, madje duke e zgjedhur edhe Thaçin President” ka thënë Kurteshi.

Inicimi i mocionit jo i lehtë

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje si partia më e madhe politike në Kosovë, ka qëndrimet e saj parimore ndaj të gjitha këtyre çështjeve.

“Ajo vazhdimisht ka kundërshtuar të gjitha veprimet kundër kushtetuese që cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, të cilat i kanë iniciuar dhe fatkeqësisht i kanë realizuar në të shumtën e herëve me dhunë brutale policore të qarqeve kriminale brenda Policisë së Kosovës”, është shprehur ai.

Image
Faton Abdullahu

Kurse, njohësi i çështjeve politikë në vend Faton Abdullahu ka shpjeguar se çështja e mocionit involovon shumë raporte, çështje, interesa, përbrenda Kuvendit, jashtë tij, tek partitë politike dhe klanet e interesit. Sipas tij, nuk do të jetë e lehtë sepse më në fund mocioni është edhe çështje numrash.

“Ka përpjekje që kjo Qeveri të mbetet në pushtet deri sa ajo t'i përfundoj disa "punë të ndjeshme" sikundër është demarkacioni e më pas vetë ky koalicion të shpërbëhet nga mospajtimet përbrenda partnerëve ku Kryeparlamentari Veseli mund të jetë iniciatori kryesor i kësaj nisme. Por, që të jetë kështu ai duhet të sigurohet se partia e tij është e gatshme për zgjedhje. Tash për tash nuk mendoj se është kështu”,ka potencuar ai.

Abdullahu ka potencuar se PDK me Veselin mendojnë të qëndrojnë më gjatë në pushtet që të rikonsolidohen sepse me këtë koalicion është ngjallur jo pak pakënaqësi përbrenda këtij subjekti,  pasi një numër jo i vogël i aktivistëve të kësaj partie, është dashur të lihen anash, për tu bërë vend atyre pa të cilat ky koalicion nuk do të vinte në shprehje.

“Në anën tjetër VV është në gjendje 'nokdauni politik' që të mund të mendoj esull dhe të jetë efikase në bashkëveprim për një nismë të kësaj natyre. Askujt më pak sesa VV-së nuk i konvenon tani që të bije kjo Qeveri sepse ajo do të determinonte zgjedhje të reja për të cilat VV nuk është në asnjë variant e gatshme, pos tjerash edhe për shkak të zhgënjimit që kanë determinuar përçarjet përbrenda, çka do t'i hakmerrej drejtpërsëdrejti në vota” ka shtuar ai.

Votat

Sipas tij, LDK-ja për një mocion mund të llogaritë në VV vetëm pas një rikonsolidimi të mundshëm të këtij subjekti, i cili nuk shihet në perspektivën e afërt, ose tek zyrtarizmi i ndarjes së plotë të saj, me çka një pjesë e deputetëve mund të i bashkëngjiten LDK-së së paku për një mocion të mundshëm. Përmbledhtazi thënë LDK-së i mbetet barra kryesore e politikës opozitare që ta mbroj Kosovën nga kjo Qeveri.

“Mocioni duhet të mendohet mirë me një reagim të koordinuar që mos të dështoj. Sa më shpejt aq më mirë që kjo Qeveri të bije. 100 ditët e para të kësaj Qeveria ishin të mjaftueshme për të na bindur se edhe 1000 ditë të tjera do të ishin shumë të dëmshme për kualitetin e jetës së qytetarit dhe për sigurinë e vendit tonë”, ka përfunduar ai .

Kurse, politologu Mentor Tahiri ka thënë se sikur LDK të ishte e sigurt në suksesin e mocionit, do ta kishte iniciuar deri më tani.

Image
Mentor Tahiri

“Sipas konfigurimit të tanishëm të Kuvendit të Kosovës, opozita pavarësisht se është shumë e balancuar numerikisht me pozitën, sërish nuk ka më shumë se 58-59 vota. Tani ka edhe dy paqartësi shtesë, në njërën anë është e vështirë që për momentin përçarjet konceptuale në kuadër të shumicës parlamentare të reflektojnë edhe në votimin për një mocion eventual, kurse në anën tjetër ende nuk dihet se si do të përformojë në Kuvend, një VV e ndarë në dy fraksione. Në gjithë këtë “pështjellim” të skenës politike, në fund shumëçka do të varet nga relacionet që partitë kanë me faktorin ndërkombëtarë, e ku duhet thënë së një pjesë e partive, janë më të izoluara si asnjëherë më parë” ka thënë ai.

Sipas Tahirit, pavarësisht përçarjeve që mund të ketë në mes deputeteve të koalicionit qeverisës, nuk rrezikojnë pushtetin duke votuar një mocion për rrëzimin e Qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat