Lojërat e komandantëve me Specialen

Politika

Lojërat e komandantëve me Specialen

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 17 janar 2018 Në ora: 10:52
Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Letra e publikuar ditë më parë  nga Kadri Veseli, në të cilën shihej zmbrapsja e tij nga përkrahja për rrëzimin e Gjykatës Speciale, është shenjë se krye parlamentari po synon rikthimin e situatës së tensionuar mes “krahut të luftës dhe atij të paqes”. në vitin 2000. 

Veseli ka hedhur akuza ndaj LDK-së dhe VV-së duke tentuar të nxisë konflikt. Veseli, po ashtu kritikonte ashpër deputetët e LDK-së dhe VV-së dhe kjo u bë me qëllim që të nxitet një pasiguri në vend. Në letrat e QUINT-it, e sidomos ato të Amerikës, po ashtu u tha se e gjithë kjo nga ana e Veselit u bë për interesa personale dhe jo shtetërore. 

PDK mos ta bëj gabimin

Në lidhje me këtë çështje, anëtari i LDK-së Bajram Gecaj ka thënë për “ Bota sot” se Kadri Veseli po fshihet prapa urrejtjes kronike ndaj LDK-së kur duhet të gëlltitë të pabërat e veta, pasi që partia e tij ishte pikërisht shtytësja kryesore e aprovimit të amendamentit kushtetues dhe e ligjit mbi gjykatën speciale.

Image
Bajram Gecaj

Sipas tij, LDK ishte pajtuar atëherë sepse, ashtu si edhe PDK, e kishte konsideruar të domosdoshëm dhe të pashmangshëm një votim të tillë.

“Nuk kemi asnjë dyshim se LDK dëshiron dhe duhet gjithherë të punoi që vrasësit e aktivistëve të devotshëm të partisë sonë kurdo t’i arrij dora e ligjit dhe mallkimi i zotit. Por, asnjëherë nuk e ka bërë dhe nuk e bën këtë fshehurazi dhe pabesisht. Nuk jemi ne ata që fusim thikë prapa shpine as partnerëve lokal e as miqve ndërkombëtarë. PDK mos ta bëj gabimin e të niset nga vetvetja kur gjykoni tjerët, sepse nuk janë të gjithë kosovarët të pabesë. Si herët tjera, edhe këtë herë PDK na ka lutë të "rikthehemi" në qeverisje, por kemi refuzuar kategorikisht, pasi që besojmë fuqishëm që ata më nuk i sjellin asnjë të mirë qeverisjes së këtij vendi! Mënyra e tillë e komunikimit mundet vetëm prapa të na kthejë, në armiqësi fatale politike, por këtë herë edhe me rrezikun e konfrontimit me miqtë e provuar ndërkombëtar”, ka thënë Gecaj.

Deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku ka thënë se tendenca e Kadri Veselit dhe SHIK-ut është ta përbaltin çdo kënd që nuk mendon si ata apo që nuk i shkon për shtati interesave të tyre dhe klanit të tyre.

Image
Drita Millaku

Sipas saj, sulmet politike që i ka drejtuar në VV dhe LDK janë vetëm vazhdim i koordinuar i përpjekjeve politike për të minimizuar humbjen  politike nga kjo përpjekje.

“Lojërat e komandantëve me specialen janë lojëra brenda llojit dhe me duket sikur ndeshje e boksit ndërmjet ‘Tyson dhe Holyfield’ në pritje se kush kujt do t'ia kafshojë veshin”, ka thënë deputetja Millaku.

Përgjigja “cinike” e Veselit

Njohësi i çështjeve politike Artur Roshi, ka thënë se çështja e Gjykatës Speciale është një gjë që nuk e ndalon dot as Kadri Veseli dhe as një faktor tjetër i brendshëm sepse janë qytetarët që presin një demokraci mbi themele solide dhe konstruksion të qëndrueshëm. Sipas tij, demokracia kur funksionon është në krah të atyre që e ëndërrojnë, që e predikojnë, që e aplikojnë dhe qytetarëve e kuptojnë apo se kuptojnë atë.

Image
Artur Roshi

“Nuk besoj që Vetëvendosja është në një plan me LDK sepse një parti me tipare marksiste nuk mund të jetë pro një demokracie dhe mund ta kenë thjesht për rrëmujë që ata kanë për zemër dhe nga rrëmuja fiton ai që nuk duhet të fitojë. Ndërsa LDK është një Parti që e predikon shtetin demokratik dhe ka qëllim demokracinë. Përgjigjja e Veselit është një përgjigje që anon nga cinizmi dhe jo maturia”, ka thënë Roshi.

Njohësi i çështjeve politike Arbër Gashi ka thënë se puçistët nuk mund ti quaj krah të luftës, sepse ky përkufizim nuk i përgjigjet as për së afërmi të vërtetës historike.

Ai ka thënë se Kadri Veselit ti ‘vishen atributet që nuk i meriton, nuk është aspak e drejtë, madje duhet tërhequr vijën ndarëse mes krahut të luftës së shtetit të Kosovës për çlirim nga Serbia pushtuese dhe krahut puçist që i luftonte dhe i shkatërroj institucionet e shtetit të Kosovës. 

Image
Arbër Gashi

“Kadri Veseli dhe ata që e sollën këtë skenë politike i takojnë krahut puçist. Këtij krahu i takojnë edhe subjektet e tjera të dalura nga lufta, të cilat e luftuan deklarativisht regjimin e Millosheviqit, duke e potencuar gjithkund fjalën regjim, dhe duke e harruar qëllimisht atributin kryesor të Serbisë në Kosovë, atë si vend pushtues të tokës shqiptare dhe si shtet që ka kryer gjenocid të paramenduar kundër kombit shqiptar. Prandaj, duke e njohur përkufizimin e saktë të cilin e nxjerrin faktet historike, ne mund ta kuptojmë më lehtë edhe brengën e madhe që i ka kapluar subjektet e dala nga lufta. Ruajtja e privilegjeve, pushtetit të fituar me dhunë dhe garantimi i vazhdimësisë janë arsyet që e shtyjnë Kadri Veselin ti rikthehet atyre që dikur, në emër të krahut puçist i luftonte pa mëshirë. Ne e dimë të gjithë, se vetëm falë zbarkimit të trupave të NATO-s i shpëtuam një luftë më të madhe vëllavrasëse, të cilën e ka nxitur me të madhe krahu puçist i Kadri Veselit”, ka thënë Gashi.

Miftari: LDK dhe LVV ta demaskojnë Celulën e të keqes në Kosovë

Ish agjenti i SHIK-ut Naim Miftari, ka thënë se akuzat e Kadri Veselit nuk kanë kurrfarë baze , duke thënë, se në këtë rast nuk i ka fajet asnjë parti nga opozita dhe se, Veseli e Thaçi sot u shesin trimëri partive opozitare.

Image
Naim Miftari

 

“Këta janë vet përgjegjësit dhe sjellësit e Gjykatës Speciale, ndërsa sot ti kërcënosh kundërshtarët politik me ‘tradhtar e heronj’ është turpi dhe tentim ikjes nga realiteti dhe sidomos ikja nga përgjegjësia e vet. Andaj, normal që sot këto janë tentime dhe thirrje për dhunë kundër opozitës, por partitë politike si VV si LDK nuk duhet të bien në atë nivel, por me argumentet e fakte duhet ta demaskojnë Celulën e të keqes në Kosovë e cila sot përmes pushtetit po tenton t ‘na  i prish marrëdhëniet me SHBA mikun e vetëm të vërtet por edhe me disa shtete mike siç janë Gjermania Britania e madhe e shumë shtete tjera mike”, ka thënë Miftari.

Sipas tij, krejt kjo po ndodh në kohën kur Rusia po e armatos rëndë Serbinë dhe ndikimin Rus-Serb po tentojnë ta dominojnë në hapësirën strategjike në Ballkan.

Sipas tij, nuk duhet harruar assesi tentimin e Puçit në Mal të Zi , pastaj në Maqedoni, e Bosnje ku kishte shumë ngjashmëri me Kosovën tonë, të cilën jo rastësisht e kanë bërë  poligon i shërbimit sekret (Guru) Ruso –Serb, ku edhe paratë Ruse dhe Serbe kanë depërtuar në disa parti politike shqiptare në Kosovë. “ Andaj çdo tentim i prishjes së marrëdhënieve me SHBA-në është akt dhe veprim pro- Rus dhe pro- Serb.  Në këto tentime dhe manipulime OVL dhe Hashim Thaçit janë vetëm lodra për një përdorim ditor. Dhe pikërisht për këtë këtu  nuk ndodh asgjë me  rastësi pasi gjithçka është e bërë me plan. Andaj heqja e Gjykatës Speciale tani është e pamundur dhe në fund Kosova do të ketë pasoja. Kjo Gjykatë do duhej të anulohet pasi në fund të fundit është mjaft e dëmshme për vendin tonë. Po ashtu kjo Gjykatë është e pa drejtë nëse nuk merret edhe me krimet Serbe dhe vrasjet politike të pas luftës. Në si pjesëtar të lartë të UÇK-së nuk ja kem frikën asnjë Gjykate Ndërkombëtare dhe askujt tjetër pasi ne luftuam për lirinë e popullit tonë dhe se gabimet janë shumë minimale. Madje ato gabime janë bërë pikërisht nga klani i interesave të Hashim Thaçit dhe vartësit e tyre në Kosovë. Gabime masive dhe hakmarrje masive kanë kryer edhe shumica e ushtrive Evropiane gjatë tërë historisë sidomos gjatë Luftës së Dytë  Botërore, prandaj si pjesëtar i UÇK-së shlirë mund të them se ne nuk ia ulim kokën askujt sot sepse jemi krenar për luftën që kemi bërë”, ka thënë Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat