Shkëlqimi dhe huqja e Vetëvendosjes

Politika

Shkëlqimi dhe huqja e Vetëvendosjes

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 17 janar 2018 Në ora: 16:51
Albin Kurti shpalosi ditë më parë platformën e tij për kryetar të Vetëvendosjes

Albin Kurti shpalosi, bujshëm, "Platformën" e tij, si guidë të drejtimit të sërishëm të Lëvizjes Vetëvendosje. "Platforma" ishte e qartë, praktike, me detajime të bollshme. Por, shkëlqimin e tij figurativ dhe oratorik, e zbehë, e relativizon, dukshëm mungesa e konkurrencës zgjedhore. Ai e pranoi se ish-kryetari Visar Imeri ishte shumë i suksesshëm në drejtimin e Vetëvendosjes. Përgjatë udhëheqjes tre vjeçare të tij, partia u dyfishua. Kjo lëvdatë vlen edhe për ish-sekretarin organizativ të tij, Dardan  Molliqaj, si binomi përgjegjës i drejtpërdrejtë drejtues dhe organizativ të Vetëvendosjes. Kur progresi partiak kulmon, natyrshëm, kryetari Visar Imeri duhej ta shfrytëzonte të drejtën statutare, për ta drejtuar partinë edhe në mandatin e dytë.

Ngulmimi i Albin Kurtit, për t`u kthyer sërishmi në krye të partisë, edhe pas kundërshtive cilësore, është zhgënjyes. Mospranimi i mungesës të demokracisë brenda-partiake, diktati dhe përgjimi i kuadrove, për të sajuar "armiq" të brendshëm, njësoj si në monizmin enverist, është anakronik për kohën. Sulmi frontal e linçues, etiketimi paushall dhe  hiç bindës, deri edhe "frikacakë", të dorëhequrve nga Kryesia e Vetëvendosjes, nga kuadrot e afërt me Kurtin, nuk i shërbejnë përafrimit, tejkalimit të krizës aktuale.

Edhe komisar Bojken Abazi zhgënjen shumë, kur, cinikisht, i fton ish-kolegët, të bëjnë autokritikë, njësoj siç e detyronte Enver Hoxha kuadrin e lartë partiak, me shokë, Fadil Paçramin, të rrëfehej para bujqve të Fermës të Kamzës - Tiranë, pastaj, ta dënonte më 25 vjet burg, duke e plandosur në burgun e Burrelit.

Është logjike që mungesa e demokracisë partiake të prodhojë "armiq", për rrjedhojë ta mangësojë subjektin. Një shembull të keq ka dhenë LDK-ja, pas shuarjes të kryetarit Rugovë, duke luftuar dhe larguar kuadrot dinjitozë dhe të përkushtuar të Presidentit Rugova, për të klanizuar të dëgjueshmit e servilët rreth kryetarit. Dhe, kjo politikë qorre e përjashtimit, linçimit e mangësoi, e përgjysmoi elektoratin e LDK-së, e cila, për 12 vjet radhazi, vazhdon të jetë bisht i bandës të PDK-së kriminale.

Askush nuk mund të mohojë faktin se Lëvizja Vetëvendosje ishte e vetme në mbrojtje të Republikës, në tri çështjet kruciale, për mbrojtjen e sovranitetit tokësor e kombëtar.

1) E nismoi kundërshtinë protestuese, demonstrative, të cilësuar të "dhunshme", deri në përgjakje, në mbrojtje të Veriut të Mitrovicës;

2) Denoncimi dhe kundërshtimi parlamentar dhe demonstrativ në rrugë, kundër krijimit të Bashkësisë të komunave etnike serbe, "Zajednicës", brenda Kosovës, si cenim i sovranitetit;

3) Zhvendosja e vijës kufitare, "Demarkacioni", me Malin e Zi, në dëm të Kosovës, duke humbur mijëra hektarë tokë.

Dhe, në mbrojtje të Republikës, Lëvizja Vetëvendosje, veç rrahjes masive, arrestimeve, burgosjeve dhe dënimeve politike e hiç meritore, të vajzave dhe djemve të saj, kurbanizoi edhe tre aktivistët e devotshëm: Arben Xheladinin, Mon Balaj e Astrit Deharin.

Por, veç të mirave, Lëvizja Vetëvendosje bëri tri gabime, më saktë, fajësia të rënda, duke e mbrojtur krimin, u bë pjesë e krimit, madje, në tri raste:

1) U rreshtua kundër krijimit të Gjykatës Speciale;

2) Votoi pro financimit të akuzuarve kriminelë, nga Gjykata Speciale;

3) Votoi ligjin për mbrojtjen e, kinse, të "vlerave të UÇK-së", që, në fakt, ishte mbrojtja direkte e një grupi kriminal, të faktuar nga Gjykata, si dhe të grupeve të tjera në hetim e sipër.

Me këtë rast, u akuzuan shtetet çliruese të Kosovës dhe ishte hapi i parë i sulmit ndaj Gjykatës Speciale. Andaj, lindi dyshimi se Vetëvendosja është "krijesë e PDK-së, bisht i saj".

Në dy rastet votuese të fundit, turpshëm e për faqe të zezë, u solidarizuan edhe deputetët e LDK-së, duke u bërë mbrojtës dhe pjesë e SHIK-ut, pjesë e krimit.

Vetëvendosje para sprovës, ta tregojë integritetin e saj 

Nisma, me porosi të krye pushtetarëve, e një grupi kriminal të deputetëve të PAN-it, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, sepse, disa syresh, janë vrasës me kartelë, është bërë krye temë institucionale e mediale. Zyrtarë e aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, në intervistimet, deklarimet e tyre, nuk kanë as qartësi dhe as drejtpeshim. Disa kuadro të saj, të dyshuar si të afërt me PDK-në, krimin, janë shprehur pro shfuqizimit të Gjykatës Speciale. Disa të tjerë mjegullojnë, duke mos thënë asgjë, pra, janë të dyzuar. 

Vetëvendosje duhet të përcaktohet prerazi: Kundërshtojmë me votë dhe me protestat tona, të njohura për mbrojtjen e Republikës, shfuqizimin e Gjykatës Speciale, sepse kjo rrezikon, pashmangshëm Republikën, deri në vënien në dyshim të pavarësisë dhe të lirisë tonë. Tashmë, përgjegjësia kombëtare e Vetëvendosjes është e shtuar, faktike dhe integriteti i saj, në marrjen e vendimeve të rëndësishme, në mbrojtjen e Republikës, duhet të jetë në krye të detyrës që i takon. Çdo luhatje, do ta denigronte pakthyeshëm.

Deputeti humbës, por, përfitues i listës rendore, Nait Hasani, i akuzuar për denoncimin dhe vënien në pritën armike serbe, Zahir Pajazitin me grupin e tij gueril, me porosi të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Ramush Haradinaj, nismoi mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, sepse, ata pritën të jenë të akuzuarit e parë, për krimet serike ndaj shqiptarëve të pafajshëm. Arsyetimet e tij janë falsifikime banale dhe hiç bindëse. Ai thotë se  se "kjo Gjykatë është politike, është kundër UÇK-së!"

Vërtet, është politike, sepse kriminelët numerikë shqiptarë të Kosovës, të cilët kanë ekzekutuar shumë qindra shqiptarë atdhetarë, vazhdon t`i lërë të lirë dhe në pushtet, edhe pas 18 vjet të çlirimit! Kriminelët nuk janë UÇK-ja dhe as nuk mund të identifikohen me atë. Ata nuk kanë qenë pjesë e luftës për liri. Përkundrazi, e kanë sabotuar luftën dhe kanë abuzuar me fondet e dedikuara për luftën, duke mrizuar nën hijen e  pishnajave e Bllokut të Tiranës dhe ndenjur, konspiruar e intriguar në  hotelin luksoz "Rogner". Gjahu i tyre, nëpërmjet bandave të tyre, kanë qenë ushtarakët luftë bërës të FARK-ut, veprimtarët e kuadrot e LDK-së të Ibrahim Rugovës si dhe idealistët e vjetër të LPK-së, të padëgjueshmit e "komandantëve" mizorë.

Nait Hasani manipulon se, gjoja, gjykata "ka për qëllim shkatërrimin dhe humbjen e imazhit, por edhe të krdibilitetit të luftës sonë për liri". Lojë fjalësh e këtij matrapazi të porositur nga treshja e parë fatale pushtetare. Kriminelët nuk kanë as imazh dhe as kredibilitet. Prandaj nuk kanë çka të humbasin, përveç lirisë, të cilët, për krimet e bëra, e kanë të tepërt. UÇK-ja e FARK-ut, e organizuar në formacione ushtarake dhe komandë, është bartëse e imazhit pozitiv dhe e kredibilitetit, besueshmërisë të luftës për liri, e mirënjohur dhe e respektuar nga populli shqiptar dhe miqtë tanë ndërkombëtarë.

Ndërkohë, ata që skenarizojnë kërkesën për shfuqizimin e kësaj Gjykate, janë të inkriminuar, robër, peng të krimeve të dosuara, dosje këto që i posedon Serbia, sepse qytetarët e Kosovës, pavarësisht etnisë së tyre, deri në shpalljen e pavarësisë, i ka konsideruar shtetas të saj.

Hetimet, dënimet dhe burgjet në Kosovë

Nait Hasani, potragjeli i presidentit, kryeparlamentarit, kryeministrit, përsëritë "alternativën" e shefave të tij se, "kjo gjykatë duhet të veprojë në Kosovë!" Kjo është demagogji cinike, sepse me listimin dhe urdhër dhënien, për ekzekutimin e kundërshtarëve politikë, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë, kanë shkatërruar, tërësisht, sistemin e drejtësisë dhe kanë pamundësuar ndëshkimin e krimit politik vrastar, të haraçit dhe të hajnisë zyrtare, sepse, pikërisht, këta zyrtarë janë në krye të krimeve serike.

Shembullojmë: Kur po gjykohej grupi kriminal i "komandantëve" të Llapit, pjesë e trupit gjykues ishte edhe gjykatësi Rrahman Ratkoceri, i cili, nga presioni i bandës, jo vetëm se votoi kundër dënimit, por edhe e dekonspiroi votën e tij, në kundërshtim me ligjin. Megjithatë, gjykatësit ndërkombëtarë konfirmuan fajësinë e plotë. "Komandantët" kriminelë ende sillën të lirë, sepse zyrtarët shtetërorë janë bashkëpuntorë në krime.

Zhurma shurdhuese për grupin kriminal të Drenicës, protestat rrugaçërore të "veteranëve të luftës", ishte "përrallë me tupan", për opinionon e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Ata, edhe pas dënimit, madje, nga të gjitha shkallët e gjykatave në Kosovë, vazhdonin të figuronin zyrtarë të emëruar dhe paguheshin me rroga komplete! 

"Vuajtja e e burgut të "komandantëve", do të mbahet mend gjatë, ndër breza. Ata "vuanin burgun" në spital, duke qenë shëndosh si molla, të shoqëruar nga familjarë miq e dashamirë. Kur donin, iknin nga "burgu" dhe kushtëzonin kthimin e sërishëm në "burg". Për çudë, pse Kosova  nuk ka një spital-burg, kur dihet se këtë e kanë të gjitha shtetet e botës?! Ai është i thjeshtë, i mundshëm dhe me shpenzime fare të vogla. Por, mungon qëllimshëm, për t`i shkatërruar provat e hetimit dhe lehtësimin e vuajtjes. 

Personalisht, si burgaxhi politik, në Burgun e Burrelit, e kam ndjerë vetën po aq të izoluar në spitalin-burg të Tiranës, sa në Burgun e Burrelit. Autoburgu hynte në oborrin e spitalit-burg dhe lartësia e mureve mundësonte vetëm shikimin e qiellit. I lidhur futeshe në dhomë dhe përveç mjekut, në shoqërim të policit, nuk kishe as mundësi teorike, për të parë dikë tjetër. Nuk gëzoja as të drejtën e ajrimit, që, zakonisht, kur e sheh të arsyeshme komanda e burgut në Burrel, përfiton.

Një ngjarje të pazakontë përjetova në spitalin-burg të Tiranës. Një ballist, luftëtar i Shqipërisë Etnike, nga një fshat i Gjirokastrës e gjeta në dhomë. Ishte burgosur në vitin 1944, ende pa mbaruar Lufta e Dytë Botërore. Ishte dënuar 25 vjet, kishte vuajtur 20 , sepse kishte fituar 5 vjet me punë në kantierët e ndërtimit, brenda burgut. Ishte liruar dhe pas 4 vitësh, sërishmi, ishte arrestuar e dënuar me 20 vjet burg.

Ishte viti 1982. I tregova se kryministri Mehmet Shehu është vrarë, në vend të tij është emëruar Adil Çarçani. "E kam bashkëfshatar Adilin, më m... është ky se ai tjetri", - me tha burgaxhiu i përjetëshëm bashkëvuajtës. Ai vdiç dhe, ndonëse ishte dimër i ftohtë, pa ngohje, sepse nxemje në burgjet e Shqipërisë, nuk kam parë, për dy ditë ma lënë kufomën e tij në dhomë, me arsyetimin  "e procedurave për groposje", (jo varrosje), sepse kufomat e të burgosurëve politikë, nuk u dorëzoheshin familjes.

Është jashtë çdo logjike, të kërkosh një gjykatë vendore, pra, brenda Kosovës, për t`i hetuar, me mundësi ngarkimi me faje faktike, për krimet e tyre, ndaj kundërshtarëve politikë, zyrtarët aktual: presidentin, kryeparlamentarin, kryeministrin, bandat e tyre vrastare, duke qenë në krye të detyrës. Keni parë e dëgjuar, në TV-Klan, intervistën e Shkumbin Mehmetit, anëtar i një bande, pjellë e zyrtarëve të lartë aktual. Kujtoni ekzekutimet e komadantëve të FARK-ut dhe të dëshmitarëve, dëshmues ose në pritje për të dëshmuar, për krimet e "komandantëve". 

Kur Nazim Bllaca denoncoi, në një shesh të Prishtinës, vite më parë, krimet vrastare politike të grupit të tij, shefat e tij "komandantë", e quanin të çmendur, të sëmurë psiqik! Por, drejtësia, të gjitha denoncimet e Bllacës, i hetoi dhe rezultuan të sakta. Edhe dëshmitë e Shkumbin Mehmetit paralajmërojnë dyshimin e bazuar. Vrasjet politike, gjatë dhe pas luftës, më sakt, masakrës të Kosovës, kanë qenë një e fshehtë publike, për arsye se ato kanë qenë masive dhe me angazhimin e shumë grupeve-banda, me listat emërore, të dhëna nga kryezyrtarët aktual shtetërorë. 

Andaj, katalogun e krimeve numerike, mund t`i hetojë e dënojë vetëm një Gjykatë Speciale ndërkombëtare dhe assesi një gjykatë vendore, me çfarëdo infrastrukture qoftë. Populli i Kosovës duhet t`i japë fund heshtjes vrastare. Tashmë, në mbrojtje të Republikës, Lëvizjen Vetëvendosje nuk duhet lënë të vetme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat