Reagime të ashpra ndaj Haradinajt: Ofendimi i Delawie, fyerje e shtetit dhe luftës së UÇK-së, Nasimi nuk ka dinjitet

Politika

Reagime të ashpra ndaj Haradinajt: Ofendimi i Delawie, fyerje e shtetit dhe luftës së UÇK-së, Nasimi nuk ka dinjitet

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 19 janar 2018 Në ora: 12:54
Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 19 janar 2018 Në ora: 12:54
Nasim Haradinaj

Deklarata e nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili e quan ambasadorin e SHBA-ve, Greg Delawie  një palaço, po konsiderohet një ofendim i rëndë jo vetëm ndaj ambasadorit dhe Amerikës, por edhe ndaj UÇK-së dhe popullit shqiptarë në tërësi.

“Delawie  më së pari është treguar një palaço, kur i ka thyer të gjitha rregullat dhe të  gjitha përgjegjësitë e tij si diplomat që i ka”, kështu ka thënë Haradinaj në një deklaratë për media teksa ka komentuar deklaratën e ambasadorit Delawie , i cili të mërkurën në një adresim për media ka thënë se disa individë që kanë luftuar për kauzën e drejt të lirisë së Kosovës kanë kryer krime të rënda kundër të tjerëve të cilët duhet të japin llogari.

Deputetë dhe njohës të çështjeve politike thonë se ky ofendim i nënkryetarit të OVL-së, është i papranueshëm, pasi që sipas tyre, ambasadori teksa ka folur për Gjykatën Speciale, ka paraqitur qëndrimin e SHBA-së për çështjen në fjalë.

Image
Haxhi Avdyli

Fyerja ndaj Delawie  e pa pranueshme

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli në një deklaratë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Haradinaj me deklaratat e tij po del mosmirënjohës ndaj shteteve të Bashkuara të Amerikës që kontribuoi në çlirimin e Kosovës.

“Fyerja e ambasadorit amerikan është fyerje e shtetit që shpenzoi  miliona për të bombarduar Serbinë për çlirimin e Kosovës. Është pështyrje në fytyrë për ata që rrezikuan jetën për lirinë e Kosovës, fyerje për ata që ndihmuan ta ndërtonin Kosovën pas shkatërrimit serb. Ky zotëria e fyen vendin, i cili e bëri botën ta ndihmoj dhe ndërtoj shtetin e Kosovës”, ka thënë Avdyli për “Bota sot”.

Sipas tij, populli shqiptar është falënderues përjetësisht falënderues ndaj SHBA-ve.

Image
Drita Millaku

Kritike ndaj ofendimit të Haradinajt është shprehur deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku.

Ajo ka thënë, se nga njerëz të tillë si Nasim Haradinaj nuk pritet më mirë, pasi dihet shumë mirë që ai kohë më parë ka ofenduar edhe deputetet e Kuvendit të Kosovës.

“T’ju them të drejtën nga këta njerëz që nuk kanë kurrfarë edukate e as karakter njerëzor nuk pritet asgjë që as qëndrime të veta nuk kanë por veprojnë me urdhra të të tjerëve”, ka thënë deputetja Millaku.

Image
Jeton Kelmendi

Kelmendi: Haradinaj ofendoi edhe Kosovën dhe pjesëtarët e UÇK-së

Nga ana tjetër, analisti Jeton Kelmendi, i cili ka qenë edhe ish-pjesëtar i UÇK-së thotë se deklarata e Haradinajt ndaj ambasadorit është ofendim edhe ndaj Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Unë si pjesëtar i UÇK-së, jam ndier i keq për fyerjen më të rënd ndonjëherë që ka mundur t’ia bëj Kosovës dhe pjesëtarëve të UCK-së, Haradinaj, sepse ai me deklaratën e tij të pamatur fyer sponsorizuesin e luftës së Kosovës dhe të pavarësisë, që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Kelmendi për “Bota sot”.

“Prandaj, nuk do t’ia falë asnjëherë këtë fyerje kaq të rëndë që ka bërë Naism Haradinaj”, ka shtuar ai.

Kelmendi shtoi, se duhet të merren seriozisht fyerjet e tilla nga ana e institucioneve të Kosovës.

Image
Faton Mehmeti

Edhe analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se Nasim Haradinaj është personi me i keq i mundshëm që të përfaqësojë vlerat e UÇK-së, dhe fakti se vlerat e UÇK-së përfaqësohen nga ai tregon se në çfarë mjerimi ka rënë ish UÇK-ja.

Sipas tij, Nasim Haradinaj nuk është asgjë më tepër pos një mjeran dhe banditë ordiner, i cili nuk ka as moral dhe as njerëzi.

“Të fyesh Ambasadorin e shtetit që ta ka çliruar vendin është fyerja më e madhe që mund ti bësh popullit shqiptar jo vetëm në Kosovë, por kudo që ndodhet. Besoj se as Delawie  nuk fyhet nga Nasimi pasi Nasimi nuk ka dinjitet, dhe njeriu fyhet nga dikush që ka dinjitet ndërsa prototipat si Nasimi janë fundërrina që askush nuk i merr parasysh. Gjithsesi, populli shqiptar i Kosovës është mirënjohës ndaj SHBA-së për çdo gjë që ka bërë për popullin e Kosovës, dhe kjo nuk do të ndryshojë asnjëherë”, ka thënë analisti Mehmeti.

Ai mes tjerash ka ritheksuar se pa SHBA-në populli shqiptar nuk do të ishte kurrë në trojet e tij.

“Nasimi sigurisht duhet dhe do të jetë i arrestuar nga Gjykata Speciale, prandaj po mendon " se krejt botës iu ka kall bishti", pasi i ka hyr flaka vet këtij. Nasimi është shtresa më e ulët e shoqërisë, e dhe sinqerisht nuk ia vlen me u marr me të, por nëse ka pak dinjitet brenda shoqatave të dala nga lufta duhet me përjashtua ketë banditë nga organizata e luftës, pasi po i jep imazh të keq kësaj organizate. Po ashtu  jam i bindur se vlerat e UÇK-së nuk përfaqësohen nga Nasimi, njeriu që për interesa të tija është në gjendje të bëj çdo gjë, por nuk do t’ia hedh kësaj radhe pasi  kot e ka”, ka thënë analisti politik Mehmeti.

Image
Leon Duhanaj

Fyerja drejtuar Delawie është fyerje ndaj luftës

Nga ana tjetër, analisti politik  Leon Duhanaj ka thënë se është e papranueshme që të lejohen të flasin për të kaluarën e Kosovës njerëz të cilët thirrën në vlerat luftës dhe janë të pavlerë.

“Për këta njerëz nuk kam as fjalë ku nuk kam as konsideratë  që e kuptoj, se si ka mundësi lufta të ketë vlera. Këta u shërbyen më fonde të llojllojshme që nga paslufta, sidomos në emër të familjeve të dëshmorëve dhe ndërtimin e Lapidarëve duke bërë para e pasuri për veten e tyre. Nuk mund ta kuptoj si ka mundësi, që njerëz që me gjasë nuk kanë as tru, të lejohen të flasin në emër të veteranëve. Apo më gjasë kjo u konvenon disa çarqeve? “, ka thënë Duhanaj.

Sipas tij, fyerjet ndaj ambasadorit janë fyerje ndaj luftës së Kosovës në tërësi.

“Fyerjet drejtuar Ambasadorit amerikan, janë fyerje ndaj luftës, ndaj dëshmorëve dhe martirëve dhe nda gjithë kombit shqiptarë. Të gjithë e dimë se cila ka qenë. Fuqia dhe mundësia jonë reale për çlirim. Këndej po të mos ishin pikërisht amerikanët dhe aleanca e NATO-s, njerëz si ky nuk do të thirreshin as shqiptarë. Marre duhet më i ardhë, nëse e ka veç një trohë logjikë të shëndoshë. Ani thirret në të drejtat e detyrimet e diplomatit. Merre me mend sa larg ka arritë. Ai nuk di ky se cilat janë të drejtat dhe detyrimet e ti. Aq më pak kur dihet mirë se Kosova qëndron në këmbë pikërisht falë këtij shteti përfaqësues i të cilit është Diplomati në fjalë. Ruana Zot, me heq dorë Amerika nga përkrahja ndaj Kosovës. Jo vetëm që nuk do mbijetojnë si shtet, por ka droje se mund të na kthehet shkaku përsëri. Sepse "trimat" janë të zënë me plaçkitje të shtetit. Përderisa trimat e vërtetë kanë rënë në luftë”, ka shtuar Duhanaj.

Haradinaj bëri deklaratë armiqësore

Image
Sulejman Mehazi

Duke folur në lidhje me këtë çështje, njohësi i çështjeve politike Sulejman Mehazi ka thënë se është një absurditet i madh për nënkryetarin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës Nasim Haradinaj.

“Ky person edhe për vrasjet e anëtarëve të LDK-së kishte thënë se s'janë kurrgjë. Kurse deklaratën e Ambasadorit Amerikan Delawie  e kap si shumë tragjike e armiqësore ndaj drejtësisë e sigurisë së Kosovës, saqë shkon deri aty kur thotë se diplomatit amerikan qenka "Palaço". T’ju them të drejtën nuk është për tu çuditur një deklaratë nga njerëzit të tillë, pasi thuhet se ‘ i poshtëruari gjithmonë të poshtëron, e i nderuari të nderon’. Këtu pra shihet se Nasim Haradinaj me fjalorin e tij ofendues ndaj Ambasadorit amerikan Delawie  "Palaço" del i poshtëruar. Dhe besoj se amerikanët nuk do t'ia marrin për të madhe Haradinajt, dhe do ta kapin si fjalor ushtarakësh traumatik, që s'ka të bëjë fare me fjalor diplomatik të Kosovës, po i një Shoqate të pavarur Veteranësh Lufte”, ka thënë Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat