“Deklarata e fëlliqur e Haradinajt, e porositur, dëshmia më e mirë se UÇK-ja është e kapur nga rrugaçët”

Politika

“Deklarata e fëlliqur e Haradinajt, e porositur, dëshmia më e mirë se UÇK-ja është e kapur nga rrugaçët”

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 19 janar 2018 Në ora: 15:28
Nasim Haradinaj

Pas publikimit nëpër media vendore deklarata e nënkryetarit të OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj i cili ofendoi rëndë ambasadorin amerikan Greg Deawie, pati reagime të shumta nga opinioni vendor. Por, Haradinaj nuk u bë “pishman” për deklaratën e tij, por kërkoi dorëheqjen e ambasadorit Deawie së bashku me atë të ambasadorit ritanik Ruari O`Connell,  për shkak të presionit që po iu bëjnë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Por, kjo po shihet si një deklaratë e porositur dhe se veteranët e luftës nuk do të duhej të përfaqësohen nga persona të tillë si Haradinaj.

Analisti Skender Zogaj ka thënë se deklarata e tilla si të Nasim Haradinajt, po ia nxijnë autoritetin dhe po ia devalvojnë vlerën e shenjtë gjakut të dëshmorëve.

Image
Skender Zogaj

“Deklarata e fëlliqur e Nasim Haradinajt kundër diplomatit dhe ambasadorit amerikan në Prishtinë, zotit Deawie, është dëshmia më e mirë se UÇK-ja është e kapur nga rrugaçët, të cilët po ia nxijnë autoritetin dhe po ia devalvojnë vlerën e shenjtë gjakut të kristaltë të bijve dhe bijave më të mira që janë flijuar e sakrifikuar për çlirimin e vendit. Nga një kontrabandist ordiner i kohës së luftës, i cili pas luftës i ka bërë të gjitha të zezat kundër vlerave të luftës, duke e futur UÇK -n nën pengun e strukturave mafioze, me rreth 20 mijë certifikata të falsifikuara për persona që nuk kanë lidhje me luftën por që janë veteranë të UÇK-s, është krejtësisht e pritshme që ky të shaj dhe fyej edhe përfaqësuesit e vendeve mike, siç janë SHBA-ja dhe Britania, pa të cilat Kosova ende do të ishte nën okupimin e Serbisë!”, ai ka deklaruar  ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Zogaj ka shtuar se kjo deklaratë e Haradinajt nuk është e rastësishme, por është e porositur si dhe pjesëtarët e vërtetë të OVL-s së UÇK -së nuk duhet që të tolerojnë një person të tillë.

“Deklarata e Nasim Haradinajt nuk është e rastësishme, por është e porositur nga ata që e kanë ngritur në postin e nënkryetarit të OVL-s së UÇK-së, për ta pasur argat kundër llogaridhënies së kriminelëve, të cilëve siç po shihet u ka ardhur fundi. Prandaj, kontrabandisti Nasim Haradinaj shumë i shqetësuar që kriminelëve po u vie fundi, i lemerisur fyeu ambasadorin Deawie dhe Connell, të cilët po kërkojnë që Gjykata Speciale të punojë dhe të gjykojë kriminelët e luftës dhe të pasluftës, të gjithë ata që kanë bërë krime! Pjesëtaret e vërtetë të OVL-s së UÇK -s nuk do të duhej që të toleronte një kësi banditi që të flas në emër të vlerave të luftës, por ta përzë menjëherë nga OVL-ja dhe t'i bëjë me dije se, nuk guxon të flas në emër të UÇK –s”, ka përfunduar Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat