Vizita e parë e Rugovës në Tiranë

Politika

Vizita e parë e Rugovës në Tiranë

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 19 janar 2018 Në ora: 17:57
Ish-presidenti Ibrahim Rugova

Studentëve absolventë, Ibrahim Rugovës dhe Rexhep Ismajlit, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë si dhe gazeta "Studenti", u bëri ftesë për vizitë një-javore në Shqipëri, më 1971. Profesor Androkli Kostallari, më ftoi në Institut, më tregoi se po vijnë Ibrahimi me Rexhepin, por ai po udhëtonte, papritur, për Itali, ke Arbëreshët. Prandaj, kërkoi falje. Kishte përgatitur dy paketime literaturë për mysafirët. Edhe këta më lanë ca dhurata të majme për profesor Kostallarin. Në ujdi me Sigurimin, për shoqërim të studentëve të Kosovës ishin caktuar Koço Bihiku e Jorgo Bulo, i pari historian në Shkencat politike, i dyti, gjuhëtar në Filologji, njëherësh pedagogë të mi, në Universitetin e Tiranës. Ndërsa Mehmet Elezi, kryeredaktor në gazetën "Studenti".

Në Hotel "Dajti" shkova në mbrëmje. Nga holli dëgjova një bisedë të zhurmshme. Kurrë se kisha parë Ibrahim Rugovën kaq nervoz në bisedë. Koço Bihiku ishte njeri i mirë, ligjërues i Historisë së Re Botërore, por, grindavec dhe polemist i zëshëm. Pedagogët mbronin Kadarenë, Ibrahimi dhe Rexhepi e mbronin profesor Qosjen, i cili kishte demantuar Kadarenë në një shkrim, ku Kadareja bënte një krahasim paushall se, kinse, "letërsia shqiptare ka arritur nivelin e letërsisë evropiane" dhe si shembull konkret kishte cituar Migjenin. Qosja kishte reaguar se "letërsia shqiptare nuk ka arritur as stadin ballkanik e lëre më atë evropian". Si duket, Qosja kishte të drejtë, por edhe Kadareja e dinte këtë. Sigurisht, shkrimi ishte bërë me porosi të partisë nga Kadareja. 

Në Shqipëri diktatura dhe varfëria bënin kërdinë. Arrestimet dhe dënimet politike ishin shtuar, ndërsa gjiri i lopëve dhe i nënave-nuse kishte shteruar, njëherësh. Për një litër qumësht, duhej ngritur në ora 4 të mengjezit, për të bredhur nga njëra pikë shitjeje në tjetrën, për ta siguruar. Ndërkohë, propasganda komuniste, më saktë, lehaqene, trumbetonte se "Shqipëria është vendi më i begatë në Evropë" dhe kur u prish me Kinën, "më i pasuri në botë!!"

Rexhep Ismajli ishte idhnak në bisedë dhe unë druaja mos po lëshon fjalë të pamatura dhe mund ta arrestonin. Ndërhyra krejt pa takt dhe u thashë djemve të ngjitemi në dhomën e hotelit. Rexhep Ismailit nuk i pushonte goja. E trashi muhabetin, duke thënë se "këta të Shqipërisë janë mësuar me citatet e Maso Ce Dunit dhe të klasikëve të marksizëm-leninizmit, por unë jam gati të hyj në provim me ta se sa e dinë marksizmin!" Përgjimi në hotel, madje edhe kamera të maskuara, janë të vendosura në të gjithë hapësirën. I bëra me shenjë Ibrahimit për përgjimin dhe Ai i tha Rexhepit, "unë po e përcjellë Idrizin deri ke konvikti, ti pusho pak". U lehtësova nga ai ankth, edhe pse Rexhepi më pëlqente se ishte shumë luftarak, i drejtpërdrejtë dhe krejt i shpenguar në bisedë.

Asaj nate mbetem në përcjellje të njëri-tjetrit. Kishim kaq mall për të biseduar, sa nuk po e ndjenim shëtitjen e ngadalshme dhe qëndrimin në këmbë. Ibrahimi më pyeste për gjithçka: studimet, kushtet e jetës. Ai donte të mësonte për jetën e njerëzve me emër, si: Tafil Boletini, me djalin Aliun, Zekirja Rexha, Ahmet Gashi, Selman Riza, Aziz Zhilivoda, Agim Gjakova, Kapllan Resuli, Adem Istrefi, Sadri Ahmetaj dhe disa të tjerë. Ibrahimi dhe Rexhepi kishin vizituar "Qytetin Studenti" në shoqërim të Mehmet Elezit. Ibrahimi kishte kërkuar të vinte në dhomën time, por Mehmeti kishte mashtruar, duke thënë se "nuk është në dhomë". - Do t`i kërkoj llogari pse ka gënjyer, - i thashë unë. Por, Ibrahimi m`u lut të mos i them. Dhe, u binda. Hija e asaj nate do të ishte objekt i hetimit dhe i gjykimit tim dy vjet më vonë.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Shtunën dhe të Dielën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat