Iniciativa për shfuqizimin e Speciales, “Thaçi presion për të shpëtuar lëkurën e tij”

Politika

Iniciativa për shfuqizimin e Speciales, “Thaçi presion për të shpëtuar lëkurën e tij”

Diana Bunjaku  Nga Diana Bunjaku Më 20 janar 2018 Në ora: 12:28
Hashim Thaçi

“Hashim Thaçi nuk e ka problem për të bërë koncesione në dëm të Kosovës e në interes personal dhe këtë  do ta vërtetojë edhe historia, pasi që kjo është pjesë e pandashme e karrierës së tij politike, andaj ai dje sot dhe nesër nuk ndalet ”, ka thënë për gazetën “Bota sot” Drita Millaku deputete e Lëvizjes Vetëvendosje.

Trumbetimi i pajtimit shqiptaro-serb brenda Kosovës, po konsiderohet si përpjekje e Presidentit të vendit Hashim Thaçit që ti ikë drejtësisë ndërkombëtare.

Përfaqësues të opozitës dhe njohës të çështjeve politike në vend, konsiderojnë se në një të ardhme presidenti Thaçi duhet të përgjigjet për cenim të kushtetutës, nëse veç dëshmohet se ishte pikërisht iniciativa e tij për shfuqizim të ligjit për Gjykatën Speciale.

Ata thonë, se lojërat politike të Hashim Thaçit, çdoherë kalkulohen brenda interesave të tij personale dhe se asnjëherë nuk mund të arsyetohen brenda konceptit të të mirës së përgjithshme.

Të pyetur lidhur me këtë çështje, zyrtarë të Presidencës nuk janë përgjigjur për gazetën “Bota sot”.

Millaku:  Hashim Thaçi nuk e ka problem për të bërë koncesione në dëm të Kosovës

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Drita Millaku, ka thënë për “Bota sot”, se Hashim Thaçi ka shkelur mbi rregullat e etikës, madje në shumë raste ka shkelur edhe rregullat juridike dhe këtë në përputhje me karakterin e tij që tashmë është shpërfaqur.

Image
Drita Millaku

Sipas saj, përpjekjet për anulimin e Ligjit për Gjykatën Speciale janë në funksion të presionit ndaj ndërkombëtarëve për të shpëtuar lëkurën e tij.

“Hashim Thaçi nuk e ka problem për të bërë koncesione në dëm të Kosovës e në interes personal dhe këtë  do ta vërtetojë edhe historia, pasi që kjo është pjesë e pandashme e karrierës së tij politike, andaj ai dje sot dhe nesër nuk ndalet ”, ka thënë Millaku.

Ndërsa, anëtari i LDK-së Bajram Gecaj, ka thënë se në një kohë të caktuar do të duhet të ketë pajtim shqiptaro-serb, por Hashim Thaçi nuk është personi i cili do të mund ta realizojë këtë mision shumë të ndjeshëm dhe të vështirë.

“Nëse vërtetohet se iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale ka ardhur nga Presidenti, për çka unë nuk kam fare dyshime, atëherë natyrisht se kjo edhe do të përbënte një shkelje kushtetuese, posaçërisht nëse bëhet në mënyrë të tërthortë”, është shprehur anëtari i LDK-së Gecaj.

Katërshja e tmerrshme sipas Gazmend Islami

Gazmend Islami, Kryetar i Ballit Kombëtar Demokrat,  ka dhënë mendimin e tij lidhur me situatën para dhe pas luftës në Kosovë.

“Katërshja e tmerrshme e Republikës së Kosovës, ka me mbet në historinë e popullit shqiptar që Xhavit Haliti, Azem Syla, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi, do të shkruhen në histori me shkronja të zeza, që ata jo vetëm që kanë qenë  “çliruesit” por edhe si dëmtuesit më të mëdhenj të proceseve politike të shqiptareve në Ballkan. Kjo për faktin se oficer Hashim Thaçi gjatë luftës ishte katapultues dhe mori në komandën duke shfrytëzuar shërbimin informativ të Shqipërisë i dirigjuar nga Fatos Klosi, i cili kishte rrënjët në Beograd dhe nga Shërbimi informativ francez, kjo i mundësoi Thaçit që të vjen edhe në krye të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ardhja e tij në UÇK erdhi me shpatë të mbrehtë, sepse çdo kush që ishte pengesë për të, largohej ose trajtohej në mënyrë më çnjerëzorë, që vendi ti mbetet këtij. Dhe pas “çlirimit” Thaçi arriti të krijojë strukturat e para operative. Pra Hashim Thaçi lirisht mund të themi se qe 18 vite kontrollon shtetin e Kosovës, sepse ka vendosur një aparaturë në të gjitha shtyllat kryesore të vendit si në Polici, Gjyqësi, Prokurori, dhe në Post Telekomin e Kosovës ku bëhen përgjimet ku është vështirë të shkapet shteti nga ky njeri vetëm nëse arrihet që Thaçi të burgoset”, ka thënë analisti politik Islami.

Image
Gazmend Islami

 

Kompromiset e dëmshme

Sipas tij, Presidenti Hashim Thaçi sipas bisedimeve që ka filluar me Serbinë ka tejkaluar Pakon e Athistarit, ka implementuar komplet gjashtë pikshin e Ban Ki Moonit dhe ka hyrë në bisedime me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës.

“Po të kishim një Gjyqësi të pavarur, Thaçi do duhej të thirrej në Gjykatë për tradhti që ka bërë ndaj vendit. Sepse në vitin 2008 kur është shpallur Pavarësia e Kosovës atëherë Kushtetua e Republikës nuk lejon që të hyhet dhe të flitet me një shtet fqinjë, për çështjet e brendshme të  Kosovës. Pra, nëse merret parasysh Kodi Penal i Kosovës, atëherë lirisht mund të themi se Hashim Thaçi ka shkelur me qindra herë Kodin Penal të Kosovës. Dhe përderisa këta njerëz janë në pushtet nuk do të ketë kurrë çlirim të vërtetë të vendit”, është shprehur analisti politik Gazmend Islami.

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve politike dhe juridike  Blerim Burjani ka thënë se këto janë lojëra politike të tipit symbyllas, për të fshehur veprime personale përmes inkurajimit të tjerëve në mënyrë që të hapin tema, dhe duke luajtur rolin në prapaskena.

Ai ka thënë se, është vështir maskimi pasi përgjegjësia gjithmonë atribuohet akterve përgjegjës për veprime vendimmarrëse, gjithmonë juridikisht është përgjegjës nxitësi dhe kryesi i veprimeve politike, pra fshehja është e pamundshme.

“Hapja e temave me inate dhe për qëllime pazari nuk mund të bëhen me drejtësinë. Pra s’ka një lloj pazari në politikën ndërkombëtare, sepse këta njerëz nuk janë të mençur dhe të shkathët politik. Tash, pas akteve të kryera tentojnë të shpurdhin kjo çështje tash është e kryer, më mire të mos bëjnë me zë, tash këta njerëz e ndjejnë veten të mashtruar nga politikës ndërkombëtare, kjo çështje është kurdisur si Gjykatë Speciale në vitin 2007”, është shprehur Burjani.

Ahmeti: Thaçi ka bërë gabime të njëpasnjëshme

Kurse, analisti politik Hidajet Ahmeti ka thënë se lojërat politike të Hashim Thaçit çdoherë kalkulohen brenda interesave të tij personale dhe se asnjëherë nuk mund të arsyetohen brenda konceptit të të mirës së përgjithshme.

Image
Hidajet Ahmeti

 

Ai konsideron, se Thaçi mundohet që përmes logjikës së nënshtrimit  e servilizmit  të amnistohet nga e kaluara e tij.

“Manipulimi përmes këtyre lojërave që jemi mësuar t’i shohim, shpërfaq fajësinë, por edhe vazhdimin e logjikës së njëjtë të veprimit të tij dinak. Gjykoj se Thaçi ka bërë gabime të njëpasnjëshme, të cilat veprime nuk mund të amnistohen nëse kemi një drejtësi të pavarur e profesionale. Ikja e tij, në mënyrë taktike është e përkohshme, por faktet nuk mund të fshehën përjetësisht”, është shprehur analisti Ahmeti.

Sipas tij, Thaçi ka aftësi të jashtëzakonshme për të manipuluar për ta arritur qëllimin e tij final, dhe shpesh duke dal jashtë mandatit kushtetues e ligjor.

“Ai ka aftësi të shkathët manipuluese, por duke e pas parasysh funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe kapjen e tij nga këta njerëz që kanë qeverisur nga mbas lufta, veprimtaria e tij e kundërligjshme amnistohet në heshtje. Një drejtësi e pavarur, profesionale e objektive do ta thotë fjalën e vet, po aktualisht me kapjen e këtij sistemi, nuk mund të mendohet një veprim i tillë”, ka thënë Ahmeti.

Papërgjegjshmëri politike

Nga ana tjetër njohësi i çështjeve juridike Ilir Vata ka thënë presidenti Thaçi si institucion i pavarur duhet te jete kah te ardhmes se Kosovës që është perëndimi, SHBA-BE.

Sipas tij, në këtë aspekt ndërkombëtaret janë shumë të interesuar që parlamenti i Kosovës dhe institucionet atje, përfshirë dhe presidencën ti thonë po Gjykatës Speciale si një mundësi për të kuruar të shkuarën nëpërmjet transparencës dhe shtetit ligjor.

Image
Ilir Vata

 

“Çdo përpjekje për të penguar iniciativën e ndërkombëtare për Gjykatën Speciale është tek kthimi pas, meqë përpjekje për ta futur agjendën e integrimit të Kosovës në sirtarët e harresës dhe premisat për destabilitet mbeten të mëdha, përderisa të anohet nga bojkoti institucional. Kurse, për sa i përket manovrës së presidentit Thaçi për pajtim të Kosovës me Serbinë për ti shpëtuar drejtësisë është lajthime sepse pajtimi vjen nëpërmjet kurimit të së shkuarës duke vënë të drejtën, pikërisht me Gjykatën Speciale”, ka thënë Vata.

Ai ka thënë se, krimet në Ballkan do vazhdojnë të hetohen, dhe ky është verdikti i Gjykatës Ndërkombëtare, pavarësisht përpjekjeve për ti penguar qeveritë apo politikanë të ndryshëm.

“Për sa i përket frikës nga drejtësia që demonstrohet nga veprimet e Thaçit me veprimet e tij, mendoj se është papërgjegjshmëri politike sesa frikë.”, është shprehur njohësi i çështjeve juridike Vata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat