Pasuria marramendëse e Nasim Haradinajt, që shokoi me ofendimet ndaj ambasadorit Delawie

Politika

Pasuria marramendëse e Nasim Haradinajt, që shokoi me ofendimet ndaj ambasadorit Delawie

Nga: A.Zhushi Më: 20 janar 2018 Në ora: 20:48
Nasim Haradinaj

Deklaratat ofenduese të Nasim Haradinajt, në drejtim të ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, nuk po dalin të jenë vetëm nga një nënkryetar i zakonshëm i Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo, pasi Haradinaj nuk është vetëm “njeriu i dytë” i veteranëve, por, është një nga milionerët e shumtë që ka Kosova.

Këtë e konfirmon raporti i Agjencisë Kundërkurrupsion, në bazë të të cilit, Nasim Haradinaj ka deklaruar pasuri në vlerë afër 5 milionë euro, shkruan Bota sot.

Haradinaj në vitin 2004 ka blerë 220 hektarë në vlerën prej 4 milionë e 400 mijë eurosh. Ndërkaq në vitin 2007 Haradinaj ka deklaruar se ka në pronësi të trashëguar tokën në sipërfaqe prej 14,400 metra katrorë në vlerën prej 90 mijë eurosh.

Që të dy këto pasuri, ai i ka deklaruar si pasuri të përbashkët, mirëpo nuk ka treguar prejardhjes e vlerës së tokës mbi 4 milionë eurosh, me të ciën ka privatizuar 220 hektarë tokë, por nuk ka dhënë as emrin e bashkëpronësisë.

Image
Deklarimi i pasurisë së Nasim Haradinajt

Ndërkaq, Haradinaj ka deklaruar edhe një veturë të vitit 2012, në vlerë prej 11 mijë eurosh si dhe një traktor poashtu të vitit 2012 në vlerë prej 10 e 500 eurosh.

Por, nënkryetari i Veteranëve, pranon të hyra edhe një punë tjetër e shtetit. Ai nga pozita e drejtorit të Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e  Deçanit, merr një pagë vjetore prej 7.900 euro.

Kujtojmë se Nasim Haradinaj, është kritikuar ashpër kohëve të fundit, për shkak të deklaratave të tij skandaloze. Fillimisht, ai shkaktoi zemërim pas deklaratës së tij se nuk “është bërë nami që janë vrarë aktivistët e LDK-së”.

Por, Haradinaj nuk është ndalur me kaq, pasi duke folur rreth tentativës së shfuqizimit të Gjykatës Speciale, ka kritikuar ashpër ambasadorin amerikan, Greg Delawie, të cilin e ka quajtur “palaço”.

“Delaëie më së pari është treguar një palaço, kur i ka thyer të gjitha rregullat dhe të  gjitha përgjegjësitë e tij si diplomat që i ka. Delawie nëse ka prova për komandantët që kanë bërë krime, le të urdhëron si dëshmitar. Nuk është Delawie i plotfuqishëm që të flas çfarë të do ai. Delaëie më së pari nuk e përcakton dhe nuk mund të sillet në Parlamentin e Kosovës, sikur janë sjellë ushtarët e tij në kampin e Guantenamos. Prandaj, Delawie të jetë shumë i kujdesshëm çka fol. Ka thanë se për ata që kanë iniciuar shfuqizimin e Gjykatës do të merren masa. Unë po i them Delawies se t’i nuk mund të marrësh masa asnjëherë, ti e ke të drejtën e diplomatit. Diplomatët te na shkojnë e vijnë për çdo ditë, e kryejnë detyrën prej diplomatit dhe mos t’i kalojë kompetencat e tij”, ka thënë Nasim Haradinaj në reagimin e tij ndaj ambasadorit, i cili ka deklaruar se disa nga komandantët e UÇK-së kanë kryer krime dhe duhet të përgjigjen para drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat