Shfuqizimi i ligjit për Specialen në dorë të Qeverisë, Tahiri tregon si mund të veprohet

Politika

Shfuqizimi i ligjit për Specialen në dorë të Qeverisë, Tahiri tregon si mund të veprohet

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 22 janar 2018 Në ora: 21:38
Kuvendi i Kosovës

Iniciativa e disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, tashmë i është dërguar Qeverisë nga Kryesia e Kuvendit.

Në bazë të rregullores së Kuvendit, kryesia vendosi t’ia dërgonte qeverisë, pasi e kishte në rend dite më herët këtë pikë dhe për shkak të kuorumit dështonte mbledhja e kryesisë.

Lidhur me dërgimin e kësaj iniciative në qeveri, për gazetën “Bota sot” ka folur politologu Ramush Tahiri.

Ai shpjegon mënyrën procedurale të dërgimit të iniciativës së deputetëve nga Kuvendi në Qeveri, derisa tregon se në seancë plenare të Kuvendit, mund ta dërgojë Ministria e Drejtësisë.

“Është çështje krejtësisht procedurale në respektim të Rregullores së Kuvendit por edhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në pjesën që ka të bëjë me marrjen e nismave për procedim dhe për ndryshim plotësim të ligjeve. Pasi deri tash nuk kemi veprime konkrete te tërheqjes së nënshkrimeve nga ana e deputetëve nënshkrues të nismës për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara me gjithë deklarimet publike të dy-tre deputetëve, ajo është e rregullt dhe duhet të procedohet për mbledhjen plenare të Kuvendit. Për këtë duhet të ketë sponzorues të Projektligjit. Këtë mund ta bëjë Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Drejtësisë”, thekson Tahiri.

Image
Ramush Tahiri

Ai shpjegon edhe variantin që ka dalë në opinionin publik për shfuqizimin e ligjit për Specialen, por që është mohuar nga këshilltarët e qeverisë.

“Në opinion publik ka dalë një variant i projektligjit me dy nene, një që shfuqizohet Ligji për Gjykatën Speciale...dhe dy, që ky ligj hyn në fuqi ditën e nënshkrimit nga Presidenti, por për këtë variant Qeveria nëpërmjet njërit nga këshilltarët kishte deklaruar që ky dokument nuk është i saj”, është shprehur më tej ai.

Politologu Ramush Tahiri tregon se pritet afati ligjor nga Qeveria që të procedojë në Kuvend si projektligj apo të japë mendimin institucional për nismën e deputetëve.

“Tash mbetet të pritet afati ligjor njëmujor që Qeveria ta procedojë në Kuvend si Projektligj ose të japë mendimin institucional për nismën e 43 deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale të miratuar në vitin 2015, të tregojë a janë krijuar kushtet për një gjë të këtillë dhe a pajtohet. E gjithë kjo është ana ligjore e procedurale, jashtë anës politike të pasojave eventuale të brendshme dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare”, ka deklaruar Tahiri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat